E denoncoi 15-vjeçarja shtatzënë, çfarë tha në gjyq i akuzuari për përdhunim

571
I akuzuari për përdhunimin e fqinjës së tij të mitur 15 vjeçe ka dalë dje para gjykatës. Seanca në ngarkim të Ligor Bibës, 55 vjeç, është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa të pranishëm nuk kanë qenë asnjë prej familjarëve të tij apo të adoleshentes së përdhunuar.
Në seancën për dhënien e masës së sigurisë ndaj 55-vjeçarit, prokurori ka bërë një rend kronologjik të ngjarjes, e cila daton në mars të këtij viti, duke mbajtur bazë dëshminë e vajzës XH. Biba, e cila tani është në muajin e tetë të shtatzënisë.
Prokurori, duke u mbështetur te dëshmia e së miturës, i kërkoi gjykatës të caktojë ndaj të akuzuarit masën e sigurisë arrest me burg dhe të kalojë gjykimin e kësaj çështjeje në Gjykatën e Korçës, pasi Gjykata e Pogradecit nuk është kompetente për shkak të mungesës së seksionit të të miturve. Për shkak të çështjes delikate, u kërkua që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Por, pas akuzave të ngritura nga prokuroria, avokati mbrojtës ka hedhur poshtë gjithçka duke theksuar se 55-vjeçari nuk ka lidhje me një ngjarje të tillë. Ai ka kërkuar që të konsiderohet i paligjshëm arrestimi në flagrancë i tij dhe të bëhet lirimi i menjëhershëm.
Në versionin e tij, avokati i Bibës i konsideroi provat e prokurorisë të pavlefshme, pasi nuk mund të vërtetohet dot as dhuna, por edhe kryerja e marrëdhënies seksuale me të miturën. Mbrojtja është mbështetur edhe te fakti që nëse do të bëhej fjalë për përdhunim, e mitura do të kishte shfaqur tronditje psikologjike, ndërkohë që ajo ka vazhduar normalisht shkollën por edhe sjelljen në familje, duke mos rënë në sy të askujt.
Edhe vetë Ligor Biba ka mohuar çdo akuzë të ngritur ndaj tij, duke e cilësuar të gjithë historinë si të sajuar.
“Jam i pafajshëm. Nuk e di pse e thurën këtë sajesë ndaj meje. Nuk e di çfarë ka vajza dhe nëna e saj me mua, por ato e kanë trilluar të gjithë këtë histori. Kam 3 unaza në zemër, gjendja ime shëndetësore është e rënduar, pasi më ka tronditur kjo histori. Jam i pafajshëm dhe duhet të më lironi”, është shprehur Biba.
Pasi dëgjoi pretendimin e të dyja palëve, gjykata vendosi të lërë në burg Ligor Bibën, mbi të cilin rëndon akuza e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur, ndërsa çështja do të kalojë për shqyrtim të mëtejshëm në Gjykatën e Korçës në seksionin e të miturve.
Katër ditë më parë, 15-vjeçarja Xh. Biba nga fshati Velçan i Pogradecit denoncoi në polici fqinjin e saj, duke e akuzuar se e kishte përdhunuar tetë muaj më parë dhe si rezultat i kësaj marrëdhënieje ajo mbeti edhe shtatzënë. Ngjarja, sipas dëshmisë së saj, ka ndodhur në muajin mars dhe gjithçka e ka mbajtur të fshehtë deri para pak ditësh, kur u zbulua nga infermieria e fshatit.
Sigal