Dy vite pas përurimit rinis restaurimi i bulevardit të Durrësit

528
Sigal

 

CILËSIA E KEQE NË PUNIME/ Ky riparim i përshpejtuar dhe jashtë çdo programi paraprak ka lënë shije të hidhur te banorët

Ka nisur në qytetin e Durrësit restaurimi i bulevardit të kalldrëmtë të njohur edhe si rruga kryesore e tij me emrin “Dyrrah”. Rruga ka qenë përuruar vetëm dy vite më parë. Duke qenë se kishin filluar që të dalin gurët dhe ishin krijuar gropa të ndryshme në aksin e kësaj rruge ka pasur shumë vërejtje nga qytetarët si dhe nga shoferët, të cilët ankoheshin vazhdimisht mbi rrënimin e pjesëve xhenerike dhe gomave. Shumë prej tyre kanë bërë vërejtje se një rrugë e tillë duhej që të ishte vetëm (pedonale) për këmbësorët, pasi dhe me fundin e këtij bulevardi që ishte planifikuar për këmbësore pasi i rilejuan mjetet që të qarkullonin u shkatërruan pllakat dhe u mbulua më pas me asfalt. Megjithëse ditë pushimi, pasi ishte dita e Sulltan Novruzit, në këtë bulevard ka nisur puna që herët. Ndërkohë që ka shkaktuar edhe problem në qarkullimin e mjeteve të shumta, të cilët ishin të detyruar që të ndërronin destinacion, pasi  është bërë edhe bllokimi i qarkullimit në nyjën kryesore të qarkullimit, nga mjete të Policisë Bashkiake të Durrësit. Në hyrje të kësaj rruge ka pasur një përqendrim punonjësish, të cilët po bënin disa procese punimesh. Pastrim të një sektori me kalldrëm si dhe seleksionimin e për shkuljen e gurëve të dëmtuar. Ky riparim i përshpejtuar dhe jashtë çdo programi paraprak ka lënë shije të hidhur te banorët e Durrësit, të cilët edhe më parë kanë shprehur shqetësimet se kalldrëmi nuk ishte i përshtatshëm për qarkullimin e mjeteve dhe për trotuaret e zgjeruara, pasi rruga ishte ngushtuar së tepërmi. Ka qenë cilësia e dobët kryesisht, por edhe problemet e lartpërmendura, pasi mbi kalldrëme nuk duhen lejuar mjetet që të kalojnë, sepse sipërfaqja e gurtë e bulevardit nuk ka atë elasticitetin e duhur që ka asfalti ase edhe pllakat e prodhuar me zift të përpunuar. Investimi i Bashkisë së qytetit të Durrësit për rikonstruksionin e këtij bulevardi ka kushtuar 137 milion lekë. Gjatësia e rrugës së shtruar është 1.320 m, ndërsa sipërfaqja unike e bulevardit është 521 mijë metër katrorë, ajo e dekoruar me gurë 2 mijë e 588 metër katrorë.