Dy vite nga humbja e inxhinier Egon Gjadrit, ja cilat janë veprat e tij

1657
Në një album të realizuar nga vet Gjadri, janë hedhur me detaje të gjitha veprat e tij si dhe emrat e bashkëpunëtorëve më të ngushtë 
Në nëntor të vitit 2015, Shqipëria humbi një nga specialistët e ndërtimit më të mirë në historinë e saj. Egon Gjadri, Profesor dhe Inxhinier ndërtimi i nivelit më të lartë ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare. Në një periudhë gati 40-vjeçare, inxhinier Gjadri mori pjesë në ndërtimin e hidrocentraleve kryesorë të vendit tonë, si dhe të veprave hekurudhore. Ai ishte projektuesi kryesor i tuneleve të devijimit, shkarkimit dhe të sjelljes së ujit në hidrocentralet e Shkopetit, Bistricës, Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit dhe Banjës, duke nisur nga viti 1963 deri në 1985. I lindur në Tiranë, më 23 maj 1935, i biri i profesorit dhe inxhinierit të famshëm zbatues, Gjovalin Gjadri, Egon Gjadri kreu studimet në Shqipëri duke nisur nga vitit 1953, në Institutin e lartë të saj kohe (Universiteti u themelua në 1957). Njeri me pasione të shumanshme në jetë, Egon Gjadri u mor me sportin e volejbollit, madje duke qenë një nga lojtarët më të mirë të brezit të tij në vitet ’50-të. Ai luajti për Studentin dhe për ekipin kombëtar në eliminatore të Evropianeve, në krah të emrave të shquar si Petrit Murzaku, Andon e Xhorxh Kona, Napolon Llalla apo Vangjel Koja. Ai u diplomua në 1958-n, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke nisur punën si pjesëtar i grupit të projektimit të hidrocentralit të Shkopetit dhe të atyre mbi lumin Bistrica (Bistrica 1 e Bistrica 2). Gjadri është bashkautor i skemës së shfrytëzimit hidroenergjitik të kaskadës së lumit Drin si dhe bashkautor i bashkëvendosjes së hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Fierzës e Komanit. Inxhinieri i shquar ishte projektuesi kryesor edhe i tuneleve të hekurudhës shumë të vështirë, Elbasan-Përrenjas, përfshi edhe tunelin më të madh, atë me gjatësi prej 3 000 metrash në Qafë Thanë. Profesor dhe inxhinier Gjadri është autor dhe bashkautor i librave të ndryshëm si “Ura dhe Tunele”, “Llogaritja statike e veshjeve monolite të tuneleve”, “Digat prej betoni me gravitet në bazamente shkëmbore”, “Veprat e derivacionit me presion në hidrocentrale”, “Llogaritja e digave hark me metodën e ngarkesës provë”, “Veprat e devijimit dhe të shkarkimit të plotave në disa hidrocentrale të vendit tonë”. Për kontributin e çmuar për vendin e tij, inxhinier Gjadri u dekorua me Urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” i Klasit të Parë, si dhe ka marrë “Çmimin e Republikës së shkallës së parë”. Në nëntor të 1990-ës, Egon Gjadri ishte pjesëtar i grupit të përzgjedhur për shqyrtimin e plotësimeve në Kushtetutën e Shqipërisë, së bashku me emra të tjerë si Dritëro Agolli, Hysen Laçej, Shaban Demiraj, Tish Daija apo Ela Tase. Për shumë vite Gjadri ishte drejtor i Institutit të Projektimit dhe Ndërtimit të Hidrocentraleve, detyrë që e kreu edhe në fillim të viteve 90-të.

Në projektimin e hidrocentraleve dhe të tuneleve, Gjadri ka bashkëpunuar më shumë specialistë ndërtues. Një kontribut të madh ka dhënë në fushën e projektimit të linjave të tensionit të lartë dhe të nënstacioneve. Në vitet 1972-1982 ka kryer punën e zv/drejtorit të zyrës së projektimit numër 3. Gjatë kësaj periudhe me fillimin e projektimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin si anëtar i grupit të projektimit ka marrë pjesë aktive në projektimin e këtyre hidrocentraleve. Është bashkautor në kompozimin e veprave të hidrocentraleve të Vaut te Dejës dhe Fierzës si dhe projektues i disa veprave te këtyre hidrocentraleve. Karrierën e vazhdoi më tej. Në vitet ’83-’93, punoi si drejtor i Institutit numër 3 , ku kreu një punë të madhe shkencore dhe teknike në fushën e projektimeve dhe duke marrë pjesë aktive në projektimin e hidrocentralit te Komanit, Banjës dhe Nyjës Hidroteknike të Bovillës, të projektimit të hidrocentralit të Bushatit dhe të skicë-idesë së hidrocentralit të Skavicës. Gjatë viteve ’70-’90 në linjat hekurudhore të ndërtuara në atë kohë, ishte projektues dhe bashkë projektues i tuneleve hekurudhore dhe automobilistike. Po kështu në fushën e studimeve është autor dhe bashkautor i disa teksteve. 

Inxhinier Egon Gjadri ka përmbledhur në një album gjithë veprimtarinë e punës së tij si projektues dhe studiues zhvilluar nga viti 1958 deri në vitin 1993, në Institutin numër 3 të projektimit. Ky institut i ka fillimet e tij të formimit në grupin e projektimit të hidrocentraleve, krijuar në vitin 1957 pranë Ministrisë së Ndërtimit. Ndërkohë në vitin 1972 mbi bazën e këtij grupi, duke iu bërë plotësimet e nevojshme u krijua Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të hidrocentraleve, të linjave të tensionit të lartë e nënstacioneve, e porteve në varësi të Ministrisë së Ndërtimit, i quajtur shkurt Instituti i Projektimit numër 3. Në këtë institut janë projektuar shumë vepra të rëndësishme të ekonomisë. 

Në fushën e hidrocentraleve është hartuar skema e shfrytëzimit hidroenergjetik e Lumit Drin, janë projektuar hidrocentralet e fuqishme mbi këtë lumë. Janë projektuar me mijëra kilometra linja të tensionit të lartë 35-400 KV, nënstacione të fuqishme elektrike, porte të rëndësishme detare, si ai i Vlorës, Durrësit etj. Gjadri e ka cilësuar këtë një punë voluminoze dhe të vështirë. Por ashtu si në çdo punë, ai e ka përshkruar këtë një punë që është përballuar me profesionalizëm të lartë. Gjadri ka thënë disa fjalë në albumin e tij edhe për ndërtuesit e veprave të mëdha. Ai ka shkruar, se projektet u kthyen në vepra, në sajë të punës plot sakrifica dhe me nivel të lartë teknik të ndërtuesve të vendit. Këto vepra u ndërtuan nga shumë ndërmarrje të specializuara të Ministrisë së Ndërtimit ku përmendet, Ndërmarrja për Ndërtimin e Hidrocentraleve, për ndërtimin e linjave të tensionit të lartë, të hekurudhave, të porteve, montimeve e shumë të tjera. Ndërsa përmend në album punën e bërë, nuk lë pa prekur mallin që ka pasur për shumë specialistë e inxhinier të ndërtimit. Në albumin e tij mbi projektet e mëdha të vendit ku ka dhënë kontributin më të madh, nuk ka lënë pa hedhur disa rreshta falënderimi për disa nga kolegët e tij më të mirë në detyrë. Ka shkruar për kontributin e çmuar që kanë dhënë: Inxhinier R. Hanku, I. Ahmeti dhe E. Musliu. Por nuk janë vetëm këta inxhinierë që Gjadri kujton dhe për të cilët ka shkruar me shumë mall në albumin e tij. Ka shumë e shumë të tjerë. Ai ka lënë një kujtim për punën e gjithsecilit dhe është shprehur, se për këdo sa herë që i shihte apo i takonte kishte një mall të veçantë. Në hyrjen e albumit të shkruar në vitin 2006, ndërsa vë në dukje aktivitetin e tij gjatë viteve në projektimin e hidrocentraleve, të tuneleve e hekurudhave, thotë se ka bashkëpunuar dhe me shumë specialistë të dalluar. Albumi i shkruar nga Egon Gjadri ruan brenda tij, punën, seriozitetin, projektet dhe zbatimin e tyre në terren. Ka përshkruar me detaje çdo projekt ky ka vendosur në shërbim çdo gjë nga vetja. Albumi shpreh një pjesë të veprimtarisë së Institutit, ku hyjnë veprat e projektuara në grupin e tuneleve, ku janë në përgjithësi tunele hidroteknike dhe tunele hekurudhore dhe disa vepra te tjera të ndërtuara gjatë viteve në hidrocentralet e vendit tonë. Albumi është i ndarë në tre pjesë. 

Pjesa e parë evidenton aktivitetin shkencor të Egon Gjadrit si projektues dhe bashkë projektues i 40 veprave hidroteknike të ndërtuara në hidrocentralet e Shkopetit, të Bistricës së Parë, Bistricës së dytë të Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit, Banjës dhe nyjës hidroteknike të Bovillës gjatë viteve 1958-1990. 

Në pjesën e dytë të albumit pasqyrohet projekti i 20 tuneleve hekurudhore dhe automobilistike të ndërtuara gjatë viteve 1970-1990. 

Në pjesën e tretë të albumit vihet në dukje puna si bashkautor i shumë studimeve si ai i shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin, i hartimit të shumë skicë- ideve e projekteve teknike të hidrocentraleve. 

Përgatiti Alma Çuku
Sigal