Dy vëllezërit partizanë, Nako e Miti Bozo dhe çlirimi i Lushnjes

1442
Jovan Bizhyti
Dy vëllezërit Nako e Miti Bozo ishin bij nga një familje e dëgjuar patriote, nga Kolonja e Myzeqesë. Babai i tyre Loni Bozo ishte figurë e njohur patriotike në Myzeqe, i lidhur me lëvizjen patriotike kundër regjimit fashist, atij zogist, si dhe kundër shfrytëzimit mizorisht të fshatarësisë së varfër nga bejlerët dhe agallarët. Me këto ndjenja u ushqyen dhe dy djemtë e tij, Nako dhe Miti Bozo, të cilët pasi përfunduan shkollën fillore në Manastirin e Ardenicës dhe “Uniken” në Berat, në shtatorin e vitit 1939 ishin studentë në shkollën Normale të Elbasanit. Aty si shumë të rinj studentë, ranë në kontakt me idetë patriotike dhe ndjenjën e revoltave kundër pushtuesve fashistë, ku u bënë pjesë aktive e lëvizjes studentore. Po afronte 28 nëntori 1940, festa e independencës, pavarësisë së vendit, ku populli kërkonte ta festonte këtë ngjarje të rëndësishme. Të rinjtë studentë u angazhuan në shpërndarjen e trakteve, ku i bëhej thirrje popullit të Elbasanit, që këtë ditë ta kthenin në një demonstratë të madhe për kundër pushtuesve fashistë. Vëllezërit Nako dhe Miti Bozo u angazhuan me shpërndarjen e trakteve në lagjen “Kala”, aty ku dhe banonin me qira në një shtëpi private. Fjala për demonstratën e madhe që po përgatitej në Elbasan, shkoi larg, deri dhe në fshatin Kolonjë të Myzeqesë. Familjet e tyre u shqetësuan, pasi kishin merak për djemtë se në demonstratë mund të përdoreshin edhe armë, e mund të vriteshin njerëz. Shkoi babai, xha Loni në Elbasan për të takuar djemtë. U ulën në një klub aty pranë Kalasë. Xha Loni mori për vete një dopio raki, ndërsa për çunat porositi nga një llokume, nga ato suxhukët me arra që bënte Elbasani. -Kemi marr vesh se do organizohet një demonstratë e madhe, -u tha ai çunave. -Po,-i thanë ata,-do jenë të gjithë studentët dhe populli i Elbasanit. -Shumë mirë,- u tha xha Loni,- familjet atje në Kolonjë janë në merak, megjithatë ju jeni të rritur tani dhe dini vet si të veproni. Jeni nga Kolonja, fshat me tradita, prandaj të jeni në ballë të demonstratës, pasi fashizmi nuk luftohet vetëm me fjalë, por duhen dhe veprime konkrete. Do vijë koha që do ngrihemi dhe në luftë me armë, – u tha ai dhe pasi i përqafoi, u largua për në fshat. Çunat morën zemër nga porositë e babait dhe ditën e demonstratës qenë në krye nga më aktivët.

Në vitin e fundit të shkollës, për aktivitet revolucionar, u përjashtuan nga shkolla, fillimisht Nako Bozo dhe bashkëfshatari i tyre Xhorxhi Robo. Pak muaj më pas, u përjashtua dhe Miti Bozo. Pas përjashtimit nga shkolla, ata erdhën në fshat në Kolonjë, por aktiviteti i tyre u përqendrua në qytetin e Lushnjes. Në dhjetor 1941 u krijua Celula e Partisë Komuniste për Lushnjen me kryetar Xhorxhi Robo. Nako dhe Miti Bozo u përfshinë në radhët e lëvizjes komuniste si dhe në aksionet që organizoheshin në luftën kundër fashizmit. Në dhjetor 1942 u përfshinë në radhët e Çetës së Parë Partizane të Myzeqesë, që u krijua në fshatin Kolonjë dhe në vitin 1943 në Batalionin e Parë dhe më tej në Grupin Partizan të Myzeqesë, që përbëhej nga 800 partizanë. Në këto formacione, Miti Bozo ka kryer detyra të rëndësishme si, zv/komisar dhe më pas komisar batalioni, ku së bashku dhe me partizanët e tjerë myzeqarë, u përfshinë në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44 me luftime në Sulovë, Tomorricë e Opar. Në këto luftime të përgjakshme, nga forcat partizane të Myzeqesë mbetën të vrarë në fushën e betejës, 78 dëshmorë dhe shumë të plagosur e të gjymtuar nga lufta dhe nga temperaturat e ulëta të atij dimri të egër. Pas Kongresit të Përmetit në maj 1944, Miti Bozo me vendim të Qarkorit të Partisë të Beratit, u emërua sekretar politik i komandës së vendit për nënprefekturën e Lushnjes në situatën e Luftës, detyrë të cilën e kreu deri në çlirimin e plotë të vendit, e më pas në vendosjen e pushtetit popullor. Ndërsa i vëllai, Nako Bozo, u rreshtua në radhët e Brigadës XVI Sulmuese që u formua në Therepel të Skraparit në gusht 1944. Kjo brigadë zhvilloi luftime në qarkun e Beratit dhe në Myzeqe për çlirimin e qyteteve të Fierit e të Lushnjes. Pak ditë para çlirimit të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë, partizani Nako Bozo nuk e gëzoi këtë fitore, pasi u vra së bashku me 16 dëshmorë të tjerë në betejën luftarake të Çukasit pranë Fiersheganit në Myzeqe.

Beteja e Çukasit kundër autokolonës gjermane. Forcat gjermane po tërhiqeshin nga Berati dhe Koçova drejt veriut të Shqipërisë. Një kompani e Brigadës XVI S. kish zënë pritë në kodrën e Çukasit, pranë Fiersheganit. Kur autokolona e armikut u shfaq në rrugën nacionale, partizanët u hodhën në një sulm të befasishëm. U zhvillua një betejë e përgjakshme, gati trup me trup. Nga forcat partizane mbetën të vrarë 16 dëshmorë, një pjesë e mirë e tyre nga Myzeqeja e Lushnjes si: Nako Bozo, Shaban Turku, Vedut Dokollari, Andon Basha, Shaban Çela e të tjerë. Në atë betejë u vra dhe heroina myzeqare nga Fieri, Liri Gero e të tjerë. Nga radhët e armikut u vranë 35 ushtarë gjermanë, 9 oficerë dhe një oficer madhor me gradë kolonel. Po ashtu armiku pati shumë humbje dhe në teknikën luftarake, ku u dogjën 14 makina dhe motoçikleta, 1 tank dhe 2 autoblinda. Pavarësisht fitores kundër forcave naziste, rënia në fushën e betejës e 16 partizanëve dëshmorë, u konsiderua një humbje e madhe nga radhët tona, dhe kjo ndodhi fare pak ditë para çlirimit të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë, që erdhi në 18 tetor 1944.

Çlirimi i Lushnjes dhe vendosja e pushtetit popullor. Për çlirimin e qytetit të Lushnjes morën pjesë në luftime, Brigada VIII dhe XVI S. Në 16 tetor 1944, qyteti u rrethua mbi kodra nga forcat partizane. Beteja e luftimeve filloi në ora 21 të datës 17 nëntor 1944. Luftimet vazhduan për gjithë natën. Në mëngjes duke gdhirë 18 tetori, forcat e Brigadës VIII likuiduan një kompani gjermane në hyrjen jugore të qytetit, tek “Çezma e Kalifasë”, ndërsa forcat e Brigadës XVI sulmuan qendrën e qytetit dhe garnizonin gjerman që ndodhej tek “Shkolla Bujqësore”, sot “Instituti Shkencor i Kërkimeve Bujqësore” Lushnje. Në këto luftime mbetën të vrarë 20 ushtarë gjermanë dhe u zunë 30 robër lufte. Po ashtu u kapën dhe 3 autoblinda dhe disa kamionë me armatime.

Në ora 8 të mëngjesit të 18 tetorit 1944, partizanët hynë fitimtarë në qytetin e çliruar të Lushnjes. Çaktivizuan disa mina që gjermanët i kishin vendosur tek Ura në hyrje të qytetit, si dhe pranë godinës së nënprefekturës. Po ashtu fikën dhe një zjarr të madh që gjermanët i kishin vënë një depoje drithi me 900 kv grurë. Populli i Lushnjes i priti me gëzim dhe brohoritje çlirimtarët e lirisë. Në 20 tetor 1944, dy ditë pas çlirimit, në Lushnje u mblodh Celula e Partisë Komuniste që përbëhej nga 14 anëtarë me përgjegjës Miti Bozon. Anëtarë ishin: Myzafer Hoxha, Halil Ahmeti, Sedat Ruli, Fato Ahmeti, Adem Haxhiu, Idajet Ruca, Llaqi Jano, Musa Rustemi, Shyqyri Dervishi, Rakip Haxhiu, Llazar Zegali, Sabri Dardha dhe Halim Haxhiu. Celula partie u ngritën dhe në zona të tjera si në, Libofshë-Divjakë me 12 komunistë dhe Krutje-Fiershegan me 8 komunistë. Në 3 nëntor 1944 u krijua Komiteti i Partisë Komuniste i nënprefekturës së Lushnjes me 6 anëtarë dhe sekretar politik u zgjodh Miti Bozo. Drejtuesit e parë të këtij komiteti ishin: Myzafer Hoxha kuadrovik, Sedat Ruli përgjegjës për rininë, Argjiro Leka përgjegjëse e gruas, Adem Haxhiu për financat dhe Shemso Çelo përgjegjës për teknikën dhe agitpropin.

Në 6 nëntor 1944 u zgjodh Këshilli Antifashist Nac. Çl. i nënprefekturës me organet e pushtetit dhe të ekonomisë. Këshilli përbëhej prej 11 anëtarë, kryetar u zgjodh Rakip Jaçellari dhe sekretar Mehmet Gina. Aristir Gjini u emërua përgjegjës për ekonominë, Adem Haxhiu për rindërtimin, Riza Shehu për arsimin e shëndetësinë dhe Taq Spiro për financat. Po ashtu u ngrit dhe komanda e vendit për vendosjen e rregullit e të qetësisë pas lufte nën komandën e Llaqi Janos. Në këto ditë të 73 vjetorit të çlirimit të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë, të jetë ky shkrim një homazh për gjithë të rënët në Luftë dhe për ata që kontribuan me ndershmëri, përkushtim e idealizëm të lartë në Luftën Çlirimtare dhe mbrojtjen e fitoreve për këtë Shqipëri që po gëzojmë ne sot.
Sigal