Dy firma pranë qeverisë, gati lejen për 4 kulla në Elbasan

1155
Nga Maksim TUFA

“Dy firma qeverie, të fuqishme, me akses të madh në fushën e ndërtimit në shkallë vendi, kanë gati lejet për ngritjen e 4 kullave në qendër të qytetit. Pritet vetëm firma zyrtare e kryeministrit Rama, pasi “OK” me gojë ai e ka dhënë para disa muajsh”. Kjo ishte deklarata e një zyrtari të lartë nga Elbasani bërë për gazetën “Telegraf”, i cili duke vazhduar ligjërimin e tij tha se “është fjala për interesa të mëdha të një ministri dhe dy politikanëve të pushtetit, kurse firmat janë ato që kanë patur akses nga qeveria edhe për ndërtimet e tjera në Tiranë dhe rrethe, kurse për Elbasanin, ato sapo ndërtuan një goxha kompleks pallatesh pikërisht në qendër, duke futur në sherr dhe luftë zyrtare dhe juridike 5 institucione prej 4 vitesh, duke përfshirë edhe dy religjione fetare”. Sipas të njëjtit burim nga Elbasani që i referohet zyrtarit, mësohet se “4 kullat do të kenë bekimin e Ramës, mbikëqyrjen e ministrit të tij dhe do të ngrihen në mes të qytetit, duke prishur 2 objekte të ndërtuara qysh në vitin 1935, ish-Komitetin Ekzekutiv dhe objektin e ish-Komitetit të Partisë, duke i hapur rrugën fitimit të milionave nga klanet e qeverisë, njëherësh duke prishur në qytetin e kulturës dhe artit mesjetar, objektin e radhës, gjurmët e fundit të një epoke tjetër”. Lajmin e përhapur për ngritjen e 4 kullave, ndërtimi i të cilave mund të nisë ndoshta brenda 2-3 muajve të ardhshëm, e kanë marrë edhe Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, edhe Shoqata Elbasani, të cilat u munduan të protestonin për veprimet e radhës të kësaj qeverie, e cila e ka parë dhe po e shikon Elbasanin, si qytetin me të cilin mund të bësh çfarë të duash. Qytetin, të cilin mund ta varfërosh çdo ditë, qytetin të cilit mund t’i shtosh numrin e të papunëve çdo vit, qytetin ku mund të ndërtosh edhe kulla gjigande, të cilat prishin imazhin e qendrës tij, për të mbushur me miliona xhepat e ministrave dhe oligarkëve të qeverisë.
Proteston vetëm shoqata “Elbasani”
E ndërsa Drejtoria e Monumenteve të Kulturës e mbylli gojës, pasi mori një ultimatum nga zonja Kumbaro, duket se shoqata “Elbasani”, ka nisur luftën me qeverinë, duke nisur drejt kryeministrit plot 10 letra dhe peticione, për të kërkuar “bllokimin e lejeve nga KRRTRSH, dhe mbajtjen pastër të qendrës së qytetit, duke qëndruar larg planeve të tilla që cenojnë planin e tij rregullues”. Peticioneve dhe letrave nga shoqata “Elbasani”, u janë bashkuar edhe disa prej zyrtarëve të lartë vendorë, duke mbështetur kërkesat e tyre në dobi të qytetit dhe qytetarëve. Sipas tyre “ngritja e kullave ishte diskutuar qysh në kohën kur ishte kryeministër zoti Berisha, por u ndalua pasi afruan zgjedhjet, kurse tani duket se firmat e qeverisë, ato firma që marrin tenderat dhe investimet , u janë sulur tashmë atyre pak vendeve bosh që ka edhe Elbasani, duke pretenduar se do ti miratojnë në Planin Rregullues të qytetit me ndërhyrjen dhe firmën e Ramës”. Të pakënaqur shpreheshin edhe qytetarët e thjeshtë, të cilët kundërshtojnë prishjen e dy objekteve të vjetra dhe ngritjen e 4 kullave, që do të bllokonin fare qendrën dhe pamjen e bukur që të ofron Kalaja dhe objektet e tjera aty rrotull”. Qytetarët shprehen se “Elbasanit i janë prishur prej vitesh objekte të rralla, si ish-Markata e ndërtuar qysh në 1927 dhe e prishur në 1982, apo edhe objektet e tjera si ish-xhamia, kisha dhe objekte të tjera, kulture dhe kulti, ndaj tashmë ato që kanë mbetur duhen ruajtur, në rast se dora e ndonjë ministri apo ndoshta edhe vetë dora e kryeministrit tenton të shemb edhe dy objektet që përfliten, atëherë qëndresa jonë duhet të jetë edhe më e fortë, për të mos lejuar milionerët dhe firmat e tyre të zaptojnë trojet tona”. Ndoshta radhën pas tyre do ta ketë Kalaja 540 vjeçare, sepse edhe ajo sipas logjikës së qeveritarëve “është vjetruar ca, duhet bërë nga e para” apo i vetmi Muze Etnografik që ka sot ai qytet. 
Sigal