Dy aksidente automobilistike janë shënuar këtë të martë në Korçë, fatmirësisht pa të plagosur.

Një aksident ndodhi në vendin pranë ‘ kryqëzimit të Sovjanit’. Burime bëjnë me dije se në këtë segment rrugor të aksit nacional Korçë-Pogradec, janë përplasur dy mjete.

Një makinë tip ‘Fuoristrada’ me të cilën udhëtonin një çift burrë e grua me banim në Resnjë të Maqedonisë, u përplas me një tjetër automjet që vinte në drejtimin e kundërt.

Sipas të dhënave që i referohen hetimit të policisë në vendin e ngjarjes, ka qenë një manovrim i gabuar i automjetit me targa maqedonase.

Policia ka konstatuar një manovrim të çuditshëm të drejtuesit të mjetit tip ‘Fuoristradë’. Nuk ka persona të lënduar nga ky aksident automibilistik.

Ndërkohë mëngjesin e së martës është regjistruar dhe një aksident në autostradën Korçë- Kapshticë, pranë fshatit Plasë.

Policia njoftoi se një mjet doli nga rruga dhe përfundoi në kanalin anësor vetëm me dëme materiale.