Durrësi. Porta e ballkanit drejt evropës/ Atleti bullgar përfundon maratonën për korridorin e 8-të në Durrës, pritet nga kryebashkiaku Vangjush Dako

566
Sigal

Dako: Korridori 8, vija që bashkon kulturat e popujve dhe promovon vlerat e vendeve tona. Durrësi, porta e Ballkanit drejt Evropës

 

Atleti bullgar përfundon maratonën për Korridorin 8 në Durrës, pritet nga kryebashkiaku Dako

Atleti bullgar, Krasse Georgiev, ka përshkuar në këmbë tokën shqiptare si pjesë të maratonës se tij nga Varna drejt Durrësit. Ai ka përfunduar maratonën e tij rreth 1200 kilometra pikërisht në qytetin e Durrësit ku është organizuar edhe një ceremoni e veçantë. Maratonisti bullgar është pritur në finish në zonën e sfinksit në shëtitoren e qytetit nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri Momtchil Stoyanov Raytchevski, ambasadori bullgar në Maqedoninë e Veriut Angel Angelov, sportistë dhe qytetarë të Durrësit. Kryebashkiaku Dako i uroi mirëseardhjen sportistit bullgar duke vlerësuar iniciativën e tij: “I uroj mirëseardhjen atletit bullgar i cili përshkoi qytetet tona dhe përfundoi sot në Durrës. Nëpërmjet këtij aktiviteti sportiv, ndjejmë kënaqësi që sot e kemi këtë sportist këtu, jo thjesht si një maratonomist, por si një njeri i cili promovon vlerat e vendeve tona. Ky nuk është vetëm një korridor, por një vijë që bashkon kulturat e të gjithë popujve që preken nga ky korridor. Janë të shumta iniciativat tona për të promovuar këtë korridor, por dita e sotme është e veçantë , është një event i mrekullueshëm për të rinjtë, të cilët e duan sportin dhe nëpërmjet sportit bëjnë të mundur që të kuptojnë se çfarë do të thotë një korridor, ç’do të thotë një lidhje shumë e hershme historike ndërmjet shteteve tona për të bashkuar kulturat tona të përbashkëta, për të shërbyer më mirë, për tu futur të gjithë në të njëjtën rrugë drejt Evropës, siç ka bërë Bullgaria, shpresojmë dhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut e sa më shpejt. Durrësi ka qenë dhe do të mbetet porta e Ballkanit drejt Evropës.” Maratonisti Georgiev në përshëndetjen e tij ka deklaruar se lidhja e tre shteteve nëpërmjet korridorit 8 ka qenë një dëshirë e tij e hershme dhe se është i lumtur që me maratonën e tij ka arritur të sensibilizojë opinionin për këtë gjë: “Korridori i tetë nuk është vetëm një rrugë transporti, është rrugë e miqësisë, e lidhjes midis njerëzve. Gjatë këtyre 15 ditëve, gjatë vrapimit tim përmes Bullgarisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, u njoha me shumë njerëz, ndjeva ngrohtësinë dhe mikpritjen e të gjithë njerëzve të zakonshëm. Finishi im në Durrës, nuk është fundi, por është një fillim që të gjithë ne të bashkohemi dhe tu tregojmë edhe popujve të vendeve tona, edhe Evropës që ne e duam këtë korridor, jemi të bashkuar e kur jemi të bashkuar jemi më të fortë.” Edhe ambasadori bullgar në Tiranë, Momtchil Stoyanov Raytchevski si dhe ambasadori bullgar në Shkup, Angel Angelov e kanë vlerësuar shumë maratonën sensibilizuese të atletit bullgar Georgiev e që i shërben shkëmbimit të traditave e kulturave mes tre popujve dhe forcimit të lidhjeve mes njerëzve të vendeve tona. Maratonisti bullgar kishte marrë një shishe me ujë nga Deti i Zi për ta hedhur në detin Adriatik në Durrës si simbol i bashkimit të dy deteve që janë në skajet e korridorit të tetë. Në çdo qytet që përfshihet në korridorin 8 ku ka kaluar, maratonisti bullgar Georgiev ka mbledhur firmat e kryebashkiakëve të këtyre qyteteve që shprehin në formë sensibilizimi dëshirën e përbashkët për realizimin e këtij korridori. Këtë dokument e ka firmosur edhe kryebashkiaku Dako. Dokumentet me firmat e kryebashkiakëve të qyteteve nga ku kalon Korridori i Tetë janë grumbulluar në fund për tju dërguar prezencës së Bashkimit Evropian në Tiranë nga ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë. Moto e kësaj maratone ishte “Konektivitet” dhe është përkrahur nga tre kryeministrat Edi Rama, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev. Georgiev e zhvilloi këtë maratonë për të sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për rëndësinë e Korridorit 8, i cili do të lidhte Shqipërinë Maqedoninë dhe Bullgarinë. Rruga që ka përshkruar ai është mbi 1200 km, ndërsa ka takuar të gjithë kryetarët e komunave dhe bashkive që janë në këtë korridor. “Korridori 8” në histori njihet si rruga që lidh dy dete, atë Adriatik me Detin e Zi, nga Durrësi në Varna të Bullgarisë, korridori që lidh tre shtete, Republikën e Bullgarisë me të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Atleti bullgar, Krasse Georgiev, ka përshkuar të gjithë rrugën në këmbë, si një formë sensibilizimi për “Korridorin 8”.