Durrësi, pa drita për Vitin e Ri 2013

616
Sigal

PËRPLASJA/ Përfaqësuesi i kompanisë çeke, Edmond Polani: “Kufizimet nisin sot”. Prefekti Alizoti: “CEZ të riparojë defektet!”

Disa zona të Durrësit do të jenë pa drita për Vitin e Ri 2013. Këtë e ka bërë me dije në një takim në Prefekturën e Qarkut të Durrësit përfaqësuesi i kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ, Edmond Polani. Ai ka deklaruar në një takim të bërë në zyrat e prefektit Genc Alizoti se, duke filluar nga dita e hënë dhe deri pas festive në Durrës do të ketë zona, ku banorët do të përballen me mungesën e energjisë elektrike. Prefekti i Qarkut Alizoti ka mbledhur drejtues të institucioneve kryesore të Durrësit për të bërë një koordinim të masave paraprake për vitin e ri me qëllim që festa e fund vitit të kalohet pa probleme dhe banoret kudo që të jenë të festojnë normalisht. Takimi ka vijuar normalisht, përveç faktit të “një përplasje” mes Alizotit dhe përfaqësuesit të CEZ-it. Drejtorët e sektorëve të ndryshëm kanë marrë porositë e rastit dhe kanë raportuar mbi gatishmërinë, për të cilën kanë marrë edhe masat përkatëse që festat e fund vitit të kalojnë nga banorët pa ngjarje të jashtëzakonshme. Aq më shumë se në këtë periudhë vijnë nga vendet e BE mijëra banore të Durrësit që punojnë në emigracion. Po këtë radhë ata rrezikohet që të gjejnë në qytetin e tyre një “surprizë” të fortë “alla CEZ”.

Ta festojnë festën e ndërrimit të viteve në errësirë

Në fjalën që ka marrë para Prefektit Alizoti, Edmond Polani i CEZ-it, ka deklaruar se, kompania që ai përfaqësonte ka hartuar një grafik me anë të të cilit do të bëhet edhe ndërprerja e energjisë, për zonat e ndryshme të qytetit dhe fshatrave për rreth. Polani ka theksuar se, ndërprerje do të ketë veçanërisht në zonën e Kodër Vilës që ndodhet në rrethinat e Durrësit. Për këtë ai ka sjellë si pretekst faktin që në Kodër Vilë ka ndodhur një rrëshqitje dherash dhe kjo rrëshqitje ka shkaktuar gjatë periudhës së shiut një dëmtim të rëndë të rrjetit elektrik. Nga dëmtimet që kanë ardhur si rrjedhojë kërkohet mjaft punë për ta riaftësuar linjën e prishur. Kjo gjendje që ka paraqitur CEZ ka ngjallur një reagim të fortë në sallë dhe Alizoti e ka cilësuar krejtësisht të papranueshme këtë defekt të parashtruar para festave të fundit të vitit. Ai i është drejtuar Polanit se nuk do të tolerohet shkëputja e energjisë elektrike gjatë festive dhe ka kërkuar që medoemos të merren nga ana e tyre masa urgjente për përballimin e situatës së fund vitit duke filluar që nga data 23 e muajit dhjetor. Ky ka qenë dhe kufiri i caktuar prej tij që qyteti të ketë energji elektrike dhe dritat pa ndërprerje. Alizoti ka qenë kategorik në kërkesat e tija duke theksuar: “Kërkoj që të merrni masa dhe ta riparoni defektin sa më parë, sepse energjia është e domosdoshme , sidomos për festat e fund vitit. Qytetareve nuk u intereson se ku është defekti, prandaj duhet që gjithçka të zgjidhet brenda datës 22, pasi pas datës 23 dhjetor deri më datën 1 të vitit të ri, nuk dua për asnjë arsye ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë prej zonave të Qarkut të Durrësit, qoftë edhe prej defekteve”.

Problemet me energjinë elektrike, shkak linjat e vjetra

Problemet e Durrësit me energjinë elektrike janë të hershme. Sipas ankesave të banorëve mungesa e energjisë ka përfshirë qytetin bregdetar ashtu edhe zona në Shijak si dhe më në thellësi në Komunën  Ishmit etj., ku ndërprerjet kanë qenë mjaft të gjata, disa orëshe. Lidhur me këto ndërprerje CEZ-i ka njoftuar zyrtarisht se ndërprerjet kanë ardhur si pasojë e defekteve të ndryshme që janë shkaktuar në rrjetin e shpërndarjes. Specialistë thonë se problemet e mungesave ndodhen në vetë linjat që administron kjo kompani. Në zonën e Shkozetit si dhe në një pjesë të ish-Kënetës ende janë në përdorim linjat 6 kvv, ndërkohë që pjesa më e madhe e linjave i përket tashëm rrjetit shpërndarës 12 kv v.  Defektet vinë kryesisht në këto linja të vjetra (6 kvv) që janë tashëm të amortizuara. Ato kanë disa dekada punë në nënstacionin e Shkozetit. Kështu që edhe defektet janë të shpeshta, sidomos në kushtet e mbingarkesës së rrjetit. Gjatë javës së kaluar një pjesë e lagjes 14 Shkozet dhe në Kënetë kanë mbetur rreth 40 orë pa energji elektrike. Ndërkohë, mendimi i specialisteve është se ndërprerjet janë të tejzgjatuara edhe nga mungesa e specialisteve që ka CEZ-i.