Durrësi i përmbytur, trafik dhe bllokim në rrugët kryesore

58

Durrësi u paralizua mëngjesin e sotëm nga rrugët e përmbytura. Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, të cilat kanë nisur që në mbrëmje e deri rreth orës 07:30 të mëngjesit, shumë nga rrugët kryesore të qytetit u bënë të pakalueshme.

Si gjithnjë kur ka përmbytje në qytet, rrugët më problematike ishin rruga “Aleksandër Goga”, zona te Stacioni i Trenit, lagja nr. 15 në Kënetë, lagja nr. 16 te Zjarrfikësja, shëtitorja “Taulantia”, rruga “Mujo Ulqinaku” pranë stadiumit etj, në të cilat niveli i ujit kalonte mbi 50 cm.

Në një orar kur të gjithë nxitojnë për të shkuar në shkollë e punë, nëpër rrugë u krijua një kaos i vërtetë dhe ku trafiku ishte tejet i rënduar. E vështirë paraqitej situata si për këmbësorët, ashtu edhe për drejtuesit e automjeteve.