“Durrësi”, emri i një anije gjermane në vitin 1921

828

KANTIERI MEYER WERFT/ Për kohën, ishte një anije gjigande, që shërbeu në vitet mes dy luftërave botërore

Ajo kurrë nuk lundroi deri në Durrës, as nuk u ndërtuan në Durrës… në fakt, nuk kishte asnjë lidhje me Durrësin. Megjithatë, anija e prodhuar në vitin 1921 nga kantieri gjerman Meyer Werft mbante emrin e qytetit tonë, ndonëse i gërmëzuar sipas rregullave drejtshkrimore të gjuhës italiane, “Durazzo”. Për kohën, ishte një anije gjigande, që shërbeu në vitet mes dy luftërave botërore. Fotografia e saj, e cila vjen për herë të parë në shtypin shqiptar, tregon se një anije transporti, e tipit avullore, ka lundruar nga portet gjermane drejt vendeve te ndryshme të botës, me emrin e qytetit tonë të Durrësit të stampuar në bordin dhe kiçin e saj, si edhe në dokumentacionin përcjellës të mallrave që transportonte. Anija ishte pagëzuar nga ndërtuesit e saj me emrin “Durazzo” dhe, për atë periudhë cilësohej si një anije gjigande, pasi ishte anija më e madhe që ishte ndërtuar dhe që kishte shërbyer në portin e Papenburgut. Sipas dokumentacionit të botuar, kjo avullore kishte përmasat 72,9 metra e gjatë dhe 10,45 metra e gjerë. Në fakt, anija e tipit avullore me emrin “Durazzo” ishte edhe anija më e madhe e ndërtuar në kantierin e Meyer Werft, në portin e Papenburgut, deri në 1951. Në fakt, në atë vit anija “Durazzo” pushoi së lundruari, për shkak të amortizimit dhe modernizimit të anijeve tregtare, që nisën të përdorin gjithnjë e më tepër motorët diezel.

Me emrin e Durrësit, detrave të botës deri në Venezuelë

Mbetet e paqartë se cila ka qenë arsyeja se pse anijes iu vu emri “Durazzo”, por me këtë emër ajo përshëndeti dhjetëra e dhjetëra porte të tjera të botës gjatë viteve të lundrimit të saj. Sipas historikut të kësaj anije, ajo u ndërtua gjatë viteve pas Luftës së Parë Botërore dhe përgjithësisht ka lundruar nëpër portet gjermane. Fillimisht, ajo shpërndante ndihma për popullatën, që kishte dalë e dëmtuar nga vitet e luftës. Pikërisht kjo ka qenë edhe një prej arsyeve që u ndërtua në atë madhësi, që të ishte në gjendje të transportonte sa më shumë materiale. Por, pas tejkalimit të viteve të emergjencës në Gjermani, avullorja “Durazzo” u përdor për transport mallrash edhe përtej Oqeanit Atlantik. Anija u porosit dhe u përdor nga kompania gjermane e lundrimit Hamburg Amerika Line, e themeluar që në vitin 1847. Kjo kompani ishte e specializuar në transportin e mallrave dhe udhëtarëve mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vitet e para pas Luftës së Parë Botërore ndikuan në aktivitetin e kësaj kompania, duke e kufizuar atë më së shumti në Gjermani. Por, pas rimëkëmbjes, së bashkë me zgjerimin e aktivitetit të Hamburg America Line, u zgjatën edhe distancat e lundrimit të anijes “Durazzo”. Hamburg America Line e shfrytëzoi atë deri në vitin 1941, vit anija “Durazzo” u shit në Venezuelë. Ndonëse që prej këtij  viti, zona e lundrimit të anijes avullore “Durazzo” mbeti disi e izoluar në detrat e pellgut të Karaibeve, ajo lundroi edhe për disa vjet me emrin e qytetit tonë të Durrësit. Gjurmët e saj humbasin në fillim të viteve ’50, kohë kur nisi të ndryshojë radikalisht teknologjia e ndërtimit të anijeve dhe kur u përhap në masë përdorimi i motorëve diesel. Patjetër që në Venezuelë askush nuk e ka ditur domethënien e emrit që mbante anija. Durrësi është një qytet-port i një vendi shumë larg Amerikës Latine. Por, pak enigmatike mbetet edhe fakti se pse porositësit e kësaj anije, kompania gjermane e lundrimit Hamburg America Line, të ketë zgjedhur Durrësin si emër të sajin. Pavarësisht arsyeve, apo edhe hamendjeve, emri i qytetit tonë lundroi me një anije, deteve të botës, në një kohë që as vetë ne nuk e dinim këtë gjë.

Si u mor porosia për ndërtimin e anijes që do të transportonte ndihma

Porti i Papenburgut është një port në lumin Ems, në Saksoninë e Poshtme, në Gjermani. Pikërisht në këtë port është ndërtuar edhe kantieri Meyer Werft, një prej kantiereve më të njohur në Gjermani. I themeluar që në vitin 1795, nga Willm Rolf Meyer, kantjeri edhe sot vazhdon të mbetet pronë e familjes Meyer. Në fillim në kantier ndërtohen anije prej druri, ndërkohë që në vitin 1874 u hodh në ujë anija e parë metalike. Sot, kantieri Meyer Ëerft punëson mbi 2 600 njerëz dhe është i specializuar në ndërtimin e anijeve për transport mallrash, të anijeve naftëmbajtëseve dhe gazmbajtëse, të trageteve dhe të kroçerave. Në vitin 1921, kantjeri mori një porosi për të ndërtuar një anije transporti mallrash. Në atë kohë, kantieri drejtohej nga Franz Joseph Meyer. Porositësi kërkonte një anije të madhe dhe për kantierin ajo do të ishte anija më e madhe e prodhuar deri në atë kohë. Një vit më vonë, anija iu dorëzua kompanisë së lundrimit Hamburg America Line. Ajo u quajt “Durazzo”. Vështirësitë e ndërtimit të saj ishin të shumta, por ajo lundroi. Jo vetëm kaq, por anija “Durazzo” bëri që emri i Durrësit të përshëndeste porte të tjera në mbarë botën. Deri në vitin 1951, kohë kur ndërroi jetë Franz Jozeph Meyer, anija “Durrazo”, me kapacitet 1 490 GRT, ishte më e madhja e nxjerrë nga kantieri i tij në Papenburg.