Durrësi 48 orë pa drita. Errësira dhe plazhet e ndotura largojnë pushuesit

590
Sigal

Pazaret me agjencitë turistike bëhen nga sekserët e Gjiknurit, të cilët kanë disa javë që dynden në Durrës

 Ajo që po ngjet këtë sezon turistik me pushuesit vendas dhe turistët e huaj përgjatë gjithë vijës bregdetare, por veçanërisht në Durrës, është sa e turpshme aq edhe antiligjore. Prej 48 orësh gjithë vija bregdetare e Durrësit, por edhe Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës, gjendet pa energji elektrike, gjë, e cila ka detyruar mijëra pushues vendas dhe turistë të huaj, t’ia mbathin andej nga kanë ardhur. Propaganda e turpshme po shoqërohet me veprime antiligjore dhe pazare me kompanitë turistike, të cilat duke ndjerë rëniet financiare kanë nisur të bien në ujdi me “lojën e defekteve elektrike”. Padyshim që në këtë lojë veç drejtuesve të rangut të dytë mbetet edhe vetë kreu i Energjetikës Damian Gjiknuri. Heshtja, “defektet” e shpeshta, duke u justifikuar për “ngarkesë rrjeti dhe vjedhje transformatorësh”, janë shkaku që të shtyn të mendosh se kreu i Energjetikës është palë me agjencitë turistike. Prej afro 15 vitesh nuk ka ndodhur ajo që po ndodh këtë sezon me energjinë elektrike në zonat bregdetare. Asnjëherë, vijës bregdetare të Durrësit nuk i është ndërprerë energjia elektrike siç po i ndërpritet këtë verë. Burimet nga Drejtoria Rajonale e OSSH në Durrës i thanë “Telegraf” se, “na vjen turp që përballemi me bizneset e plazhit dhe zonave bregdetare, nuk kemi çfarë t’u themi, ky është turp, energjia elektrike nuk u ka munguar në dimër, kurse tani ne gënjejmë se, “ka vjedhje transformatori, apo ngarkesë rrjeti”. Situata në gjithë vijën bregdetare të Durrësit mbetet kaotike dhe alarmante. Gjithë vija bregdetare e Durrësit si asnjëherë tjetër sivjet po ofron mungesën e energjisë elektrike, pisllëkun, zhulin dhe male me mbeturina. Durrësi është në prag epidemie, dhe kjo për faktin kryesor të mungesës së energjisë elektrike në mbi 3100 biznese. Vetëm në 48 orët e fundit si pasojë e mungesës së energjisë elektrike janë prishur dhe groposur me metoda të paligjshme mbi 2.7 ton mish pule dhe produkte të tjera ushqimore nga vetë bizneset. Plazhi gjendet jo vetëm pa energji, por edhe pa ujë të pijshëm. Male me mbeturina dhe ujërat e zeza kanë pushtuar lagjen e plazhit dhe pallatet e vilat, ku gjenden pushuesit dhe ku janë akomoduar turistët e huaj. Ndërkohë, mungesa e energjisë elektrike ka stakuar sistemin e pompimit tek porti dhe në Spitallë, duke krijuar ndotje alarmante tek lagjet e plazhit, dhe periferi. Hidrovoret shpesh nuk punojnë, duke dale jashtë funksionit. E gjithë kjo situatë shkatërruese për sezonin dhe biznesin, por edhe stresuese për pushuesit dhe banorët e Durrësit e ka zanafillën tek mungesa e energjisë elektrike. Asnjë justifikim dhe asnjë fakt bindës nuk jep Drejtoria Rajonale e OSSH lidhur me situatën në zonat bregdetare. Por nga ana tjetër mësohet se shumica e agjencive turistike që operojnë me simotrat e tyre në Mal të Zi, Turqi, Greqi, Itali, Spanjë, Maqedoni, e Egjipt, kanë nisur maksimalisht të punojnë me oferta të dyshimta. Kjo pasi ata duke ndjekur lojën e “defekteve energjetike” po thithin turistët vendas për t’i nisur drejt plazheve të rajonit. Pazaret me agjencitë turistike bëhen nga sekserët e Gjiknurit, të cilët kanë disa javë që dynden në Durrës, duke synuar degradimin e sezonit veror dhe groposjen e mijëra bizneseve vendase. Shoqata e Biznesmenëve të Durrësit e indinjuar nga veprime të tilla, që synojnë falimentimin e tyre, apelon pranë Ministrisë së Energjetikës , “t’i japë fund lojës me “vjedhje transformatorësh dhe ngarkesë rrjeti”, dhe t’i kthejnë gjithë vijës bregdetare energjinë elektrike, për të ndalur ikjen masive të pushuesve dhe turistëve të huaj”. Mjaft pushues vendas janë shprehur të indinjuar për mungesën e shpeshtë të energjisë dhe janë shprehur se, “Durrësi përfundimisht ka mbaruar si zonë turistike e detare për ne”. Të befasuar janë gjendur edhe dhjetëra turistë italianë e gjermanë të ardhur ditët e fundit në Durrës. Ata ishin të akomoduar në dy prej hoteleve në plazhin e Durrësit dhe Shkëmbin e Kavajës, por dje ata janë nisur drejt Malit të Zi me 2 autobusët e tyre, pas mungesës së energjisë elektrike. Por sikur të mos mjaftonte kjo, situata në vijën bregdetare të Durrësit mbetet katastrofike për sa i përket pastërtisë. Male me plehra, vatra epidemike do të shikosh përgjatë rrugës nga sektori Teuta deri në Golem. Plehra që digjen në mesin e ditës dhe natën, ujëra të zeza, spitalet të mbushura me pushues të moshave nga 1 deri 71 vjeç të ankuar nga diarreja e të vjellat, nga infeksionet e lëkurës dhe pasoja të tjera patologjike. E përballë kësaj situate qëndron heshtja dhe buzëqeshja e krerëve vendorë që pushimet e tyre i bëjnë në jug të vendit, apo në vendet e rajonit. Qëndron refreni ministrit Gjiknuri që sa herë del në ekranet e TV-ve, premton se, “do të arrijmë standardet e BE për 300 ditët e tjera”, por nuk shpjegon fjalët që qarkullojnë për pazaret me agjencitë turistike dhe mungesën e gjatë të energjisë në zonat bregdetare të Durrësit.

Nga Artur AJAZI