Sigal

Ka dalë para trupit gjykues paraditen e sotme, Redmond Gruda, i riu që vrau me thikë gjyshen e tij. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në lagjen numër 16 të qytetit të Durrësit, për motive që ende nuk dihen.

Nipi 21 vjeçar Redmon Gruda, është arrestuar si autori i vrasjes me thikë në kokë të gjyshes së tij 81 vjeçare Floresha Shkurti. Gjyshja 81-vjeçare u gjet e pajetë në dhomën e gjumit, ndërsa kishte plagë në kokë, qafë, krahë dhe duar, të shkaktuara me mjet prerës. Ndërsa në tualet u gjeten rrobat, një çantë, si dhe një thikë e këputur.

Organi i akuzës u shpreh gjatë seancës se ekziston dyshimi për vrasje në kushte të marrëdhënieve familjare, dhe për këtë, autor i dyshuar, është Redmond Gruda. Refuzimi për ti dhënë para që dyshohet se do ti përdorte për të blerë lëndë narkotike është motivi pas krimit makabër.

Prokuri Pali Decolli tha se “Kemi të bëjmë me një vepër që dënohet me burg përjetshëm. Autori ka rrezikshmëri. Kërkoj vlerësim të ligjshëm të arrestit me burg”.

Gjykata e Durrësit vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin, i cili ndonëse pranoi autorësinë e krimit, nuk tregoi motivin e vrasjes.

Para gjyqtares Aida Kaja, i riu Redmond Gruda shpehu pendesë për veprimin e kryer. I riu e pranoi autorësinë gjatë marrjes në pyetje, pasi u vu përballë provave që eksperet e kriminalistikës kishin siguruar në banesën e familjes ku ndodhi vrasja.

“E godita në gjaknxehtësi e sipër. Me gjyshen kishim debate të vazhdueshme pas vdekjes së babait”, mësohet se tha ai para hetuesve.

Mësohet se Redmond Gruda është dënuar edhe dy herë të tjera për plagosje, herën e parë kur ishte vetëm 11 vjeç.

“Nuk me dha para”

Me tej ai ka treguar edhe dinamikën. 21 vjeçari dhe gjyshja e moshuar ndodheshin të vetëm në shtëpi.

Ai i ka kërkuar asaj para. Debati është përshkallëzuar pas refuzimit nga ana e të moshuarës.

“Kemi shkuar gjithmonë keq me gjyshen”, citohet të ketë deklaruar ai.

Në debat e sipër, Redmon Gruda ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar në kokë gjyshen e moshuar.

Zhduku provat dhe lajmëroi ambulancën

Më pas ka copëtuar thikën dhe e ka hedhur.

Pas krimit 21 vjeçari ka tentuar të prishë provat në vendngjarje. Ai ka ndërruar rrobat të cilat ka tentuar t’i fshehë dhe më pas ka njoftuar policinë dhe ambulancën se gjyshja kishte vdekur.

Gjatë kësaj kohe ai ka vënë në dijeni edhe nënën e tij për ngjarjen.

Por kur mjekët e urgjencës mbërritën në vendngjarje, ata dalluan plagën në kokën e të moshuarës ndaj edhe njoftuan policinë se ndodheshin para një vrasje.

Arrestimi

Policia arriti të zbardhë dhe dokumentojë ngjarjen brenda pak orësh dhe sot (28 shtator) u firmos arrestimi i tij.

Policia njoftoi sot arrestimin e 21 vjeçarit për veprën penale” Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c të Kodit Penal. “Gruda, dyshohet se mesditën e datës 27.09.2018, por motive të dobëta ka goditur disa herë me thikë në kokë gjyshen e tij, e cila si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, informoi mëngjesin e sotëm policia.

Redmon Gruda- qe është djali i djalit të viktimë – së bashku me të ëmën jetonte në një apartament me gjyshen e tij, Floresha Shkurti (mbiemri i vajzërisë). Ndërkohë babai i Redmondit ishte ndarë nga jeta kohë më parë.

Vrasja

Ngjarja ka ndodhur më 27 shtator 2018, në apartamentin e të moshuarës në katin e katërt të një pallati në lagjen 16 të qytetit, pranë stadiumit “Niko Dovana”.

Menjëherë pas krimit policia shoqëroi në komisariat nipin dhe nusen e të moshuarës.

Pas disa orëve marrje në pyetje, djali 21 vjeçar është dorëzuar duke pranuar krimin dhe treguar çfarë ka ndodhur dhe përse e kishte kryer.