Durrës, Unaza e Plazhit, vendi ku çdo javë ndodhin aksidente

636
Sigal

Unaza e Plazhit, segmenti rrugor, në të cilin punimet për rikonstruksion kanë nisur tre vjet e gjysmë më parë ka marrë një emër tjetër nga durrsakët. Ajo është “unaza e vdekjes”, sepse për çdo javë ndodhin aksidente të rënda. Është quajtur kështu sepse punimet që nisën aso kohe nuk janë mbyllur e me këto ritme nuk mund të mbyllen as për tre vjet të tjera, ndërsa në 7 km gjatësi, gjen tre panorama të ndryshme, njëra më e shëmtuar se tjetra.

Situata

Nga fillimi i unazës në zonën e Shkozetit, punimet për 1.5 km nuk kanë nisur fare, mandej punohet në një pjesë segmenti dhe pa mbërritur tek shinat e trenit, situata është apokaliptike, rruga e ngushtë, me gropa, e mbushur me dhera në një krah, e në sensin tjetër me makina të vjetra, bën që 1 km rrugë të përshkohet për 30 apo 40 minuta, e mandej, loti i tretë është zgjeruar dhe është hedhur asfalt, por nuk është ndërtuar asnjë mbikalim duke bërë që rruga të ketë disa kryqëzime, ku futen banorët e zonës së Arapjat e të zonës së Frigoriferit në plazh. Për pasojë në këtë kryqëzim, ndodhin edhe aksidentet më të rënda në Durrës. Ky kryqëzim ka marrë emrin “kryqëzimi i vdekjes”. Minimalisht këtu duhej të ndërtohej një rreth rrotullim, por ai mungon, ashtu siç mungojnë edhe tabelat orientuese të qarkullimit rrugor. Automjetet ecin me shpejtësinë ë të madhe të lejuar, ndërsa në çdo kohë kryqëzimi kalohet nga këmbësorët e zonës së plazhit dhe të Kodrës së Arapajt. Këtë fund shtatori, ky segment rrugor, të jep përshtypjen e një “sheshi beteje”, ku nga njëra anë rruga është zgjeruar, pas shembjes së banesave, e nga ana tjetër, gropat e mëdha, pluhuri, mungesa e mbikalimeve apo nënkalimeve, për të lëvizur një komunitet prej rreth 100 mijë banorësh, presin mbylljen e punimeve. Faza e parë e punimeve që përfshin trasenë e trupit të rrugës të bypass-it të Shkozetit, me gjatësi 5 kilometër dhe gjerësi 35.5 metër, me brez të gjelbër ndarës, trotuare si dhe rrugë paralele shërbimi në të dy anët kalojnë në një zonë me densitet shumë të lartë informal nuk ka përfunduar në asnjë prej zonave, ku janë zhvilluar punime.