Durrës – Tritol makinës së nëndrejtorit të ALUIZNI-t, Gerti Aleksi

109
Shpërthimi me tritol ndaj automjetit të nëndrejtorit të ALUIZNI-t në Durrës, Gerti Aleksi duket se ka qenë një paralajmërim. Kjo pistë konfirmohet nga burime për gazetën ‘Panorama’. Ngjarja ndodhi në sheshin “Taulantia” të qytetit bregdetar, rreth orës 18:15, ku pas shpërthimit, mjeti fuoristradë “Land Rover” me targa AA 780 OL është përfshirë nga flakët.


Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, pasi makina në pronësi të shtetasit A.S, por që përdorej nga nëndrejtori i ALUIZNI-t, Gerti Aleksi, ndodhej e parkuar në momentin e ngjarjes. Burime zyrtare nga policia e Durrësit bënë me dije se ngjarja mund të ketë ndodhur pas ndonjë konflikt i mundshëm që Aleksi mund të ketë pasur me persona të tjerë, ose për shkak të detyrës.

Ndërkaq, ‘Gazeta Shqiptare” thekson se nëndrejtori i ALUIZNI-t ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se nuk ka konflikte me askënd. Shpërthimi me eksploziv ka tronditur banorët e qytetit bregdetar si dhe ka alarmuar policinë, e cila pas ngjarjes ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 20 persona, shumica prej të cilëve janë me precedentë penalë. Ndërkaq, ‘BalkanWeb’ ka siguruar disa foto të nëndrejtorit të ALUIZNI-it, Gerti Aleksi.