Durrës, të pastrehët kërkojnë ringritje komisionesh me juristë

541
Sigal

Sekretari i Shoqatës së Qiramarrësve, Gjikë Pastërma: “Shteti t’u japë shtëpi atyre që jetojnë në shtëpitë shtetërore”

Shoqata e të Pastrehëve deklaron se, nuk janë kundër kthimit të banesave tek pronarët e ligjshëm, por kërkon që shteti të jetë i drejtë me banorët e kateve shtesë dhe të mos i nxjerrë ata nga banesat që kanë ndërtuar vetë me duart e tyre, jashtë orarit, pasi mbaronin punën 8 -orëshe. Ata thonë se, vërtetë shteti komunist i ka sekuestruar të pasurit, por dhe i ka strehuar ata diku, nuk i ka lënë në mëshirë të fatit. E madje vitet e fundit, thonë ata, rreth 95 % e tyre janë strehuar në banesat shtetërore. Enver Hoxha ua sekuestroi banesat të pasurve thonë shumë prej tyre, ndërsa ne shteti demokratik, tek i cili shpresuam, po na hedh në rruge duke na hequr dhe të vetmen pasuri që kishim dhe s’dimë se ku të fusim kokën.
Banesat e kateve shtesë
Sekretari i Shoqatës, Gjikë Pastërma, thotë se shteti duhet të bëjë ndaj pronarëve pretendues, shitjen e banesave të ndërtuara në katet shtesë me çmimet e tregut, dhe në këtë mënyrë të pajisë edhe të pastrehët me shtëpia. Ai thotë se në banesën e vet ata kanë punuar me dhjetëra orë, madje i është dashur që për të siguruar çimento të kalojë me net të tëra edhe në Fabrikën e Çimentos Fushë- Krujë. Punonjës të tjetër ishin të detyruar që të punonin në disa banesa deri sa tu vinte radha për t’u pajisur me hyrje. Ata linin punën dhe direkt nga torno apo makineritë e ndryshme shkonin dhe pasi hanin bukë thuajse në këmbë, futnin duart në llaç e tulla, pa pasur mundësi që të pushonin qoftë edhe një orë pas pune, qoftë dhe për t’u marrë me ndonjë fëmijë të sëmurë. Pasi kërkohej të mbushej kartela me orët e caktuara. Dhe ka që kanë punuar me 4 apo 6 vite radhazi deri kur janë sistemuar me shtëpi. Ka qenë një torturë e vërtetë kjo punë vullnetare për ndërtimin e banesave dhe tashti tu jepen të tjerëve do të thotë që të përsëriten gabimet historike, për të cilat kritikohet ashpër shteti komunist i asaj periudhe. Dhe në Durrës flitet për rreth 100 banesa të tilla, të cilat pretendohet se do të shkojnë në favor të ish-pronarëve që kanë pasur katet e poshtme. Gjikë Pastërma thotë se, në këto banesa ka raste që jetojnë pleq, të sëmure, të varfër dhe pa asnjë të ardhur. Madje, ai sjell një shembull se si një ish-Hero i Punës Socialiste, që ka punuar me ekskavator dikur e që tashti banon në një kat shtesë, përveç që ka një këmbë druri të periudhës së vjetër, pasi nuk ka mundësi financiare për të blerë të re se ajo kushton rreth 5 milionë, ka edhe një vajzë të verbër. Ku mendon se duhet të shkojë me këtë hall të madh që mbart mbi kurriz ky njeri gjithë jetën? Kjo është një tragjedi e vërtetë, thotë Gjika.

Akuzat për komisionerët 
Shoqata e Qiramarrëseve në shtëpitë shtetërore i ka drejtuar një letër Avenir Pekës, Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe Ylli Pepos, Drejtorit të Përgjithshëm të Entit të Banesave, në të cilat ata akuzojnë komisionerët si persona në konflikt interesi me detyrën e ngarkuar dhe se komisionet nuk kanë qenë të kompletuara. Ata kanë bërë me dije se ky komision që kishte për detyrë të bënte vlerësimin e kontributit pronar- shtet në ndërtesa, në kundërshtim me ligjin kanë qenë pa arsim të lartë, jashtë profilit dhe pa jurist në komisione. Përveç këtyre, kanë theksuar ata në letrat e tyre, komisionet nuk kanë qenë asnjë herë të kompletuara me pesë vetë dhe këto komisione pa juristë nuk kanë llogaritur amortizimin 50-vjeçar të pjesës së ndërtuar nga pronari dhe po kështu nuk është prezantuar me komision dokumentacioni për këtë kontribut pronar – shtet në ndërtesa që gjendeshin në Bashki, Hipotekë, Ndërmarrjen Komunale Durrës, por llogarite janë bërë nga jo profesioniste dhe nga rruga. Ata theksojnë se duke qenë se shtesat e kateve ishin shtetërore dhe qytetarët që banojnë në to kanë bërë investime që shkojnë deri në 5 e 10 milionë lekë, të mos u falen pronareve, por të behet një shpërndarje më e drejte duke ua shitur me çmimet e tregut dhe me to të sistemojnë të pastrehët e rinj. Për këtë në letrën drejtuar titullarëve të Agjencisë së Kthimit të Pronave dhe Entit të Banesave ata kërkojnë që: “Ndërtesat e pronareve që kanë shtesat e katit të mos shkojnë në gjykatë për ekzekutim nga Enti i Banesave Durrës, pa u zgjidhur problem i shtesave të kateve”.