Durrës, Tatimet të mbuluara nga abuzimet, Prokuroria  zbulon të tjera skandale

573
Sigal

Prokuroria e Durrësit e ka nisur shtatorin me një tjetër “sihariq” mbi shkeljet dhe abuzimet që janë kryer në vitet e shkuara nga firma dhe subjekte private me një prapavijë të fuqishme politike. Kështu sipas një burimi nga organi akuzës mësohet se nga informacionet dhe dosjet e sjella nga institucioni i Prefekturës, KLSh dhe të tjera organe kompetente, janë duke u zhvilluar hetime të tjera në fushën e zhvillimit fiskal, ku shtrihet veprimtaria e firmave e kompanive private. Të tjera skandale pritet të marrin rrugën e publikimit, duke shtrirë hetimet jo vetëm në ish-zyrtarë por edhe dy  deputetë të cilët kanë qenë mbështetje e fuqishme politike e subjekteve mashtruese. Në rrugën e hetimeve intensive nga organi i akuzës Durrës, hetuesit bllokuan në degën e Tatim-Taksave dosje të cilat përbëjnë objekt hetimi dhe që u përkasin viteve 2010- 2013 dhe periudhës janar-qershor 2014. Dosjet  kanë si objekt hetimi zbulimin  e veprimtarisë së paligjshme dhe abuzimin e zyrtarëve. Sipas burimit  të Prokurorisë “fusha e abuzimit mbetet ajo fiskale, ne po kemi nisur hetimet fill pas pushimeve të sezonit veror dhe shumë shpejt do të godasim dhe vëmë para përgjegjësive penale të tjerë zyrtarë tatimesh dhe persona të tjerë që kanë abuzuar dhe kanë shkelur ligjin”. Prokuroria e Durrësit prej muajsh ka nisur  hetimet dhe  ka grumbulluar vetëm për  muajt janar-gusht 2014, mbi 218 qindra dosje hetimore nga Hipoteka, Dogana, Tatimet, Bashkia,  Prefektura, dhe subjekte të tjera.  Hetimet për  trojet e grabitura po ecin paralelisht  me hetimet e korrupsionit. Prokuroria e Durrësit ka ndarë veçmas dosjet e Krimeve të Rënda, pasi bëhet fjalë për  skandale  që implikojnë persona që kanë punuar në degën e Tatim-Taksave dhe ligjvënës. Sipas hetuesve,  “ngarkesa e madhe na detyron të kërkojmë organikë shtesë, pasi çdo ditë zbulohen dhe sekuestrohen dosje nga institucionet, dhe  prokurorët  po mundohen ti shmangen trysnisë nga politika, por gjë e cila mbetet e pamundur. Skandalet e fundit, kanë detyruar Prokurorinë e Durrësit të transferojë disa çështje VIP tek kolegët e tyre tek Krimet e Rënda.

Artur AJAZI