Sigal

Plazhi i Durrësit, është një ndër më të vizituar në sezonin veror dhe dyndja ka bërë që rrugët drejt këtij qyteti të bllokohen. Përballë kësaj situate të një trafiku të rënduar, Policia Rrugore e cila që prej fillimit të sezonit ka kaluar në shërbim të përforcuar, këshillon përdoruesit e rrugës.

Shefi i qarkullit Durrës, Valentin Floriri, thotë se drejtuesit gjatë fundjavës duhet të bëjnë kujdes më orarin kur nisin udhëtimin. Ata duhet të përdorin autostradat më shumë se sa rrugët dytësore për të shmangur radhët e gjata. ”Të shtunën dhe të dielën mund të zgjedhin rrugë alternative, sidomos në kulmin e trafikut siç është pasdite në kthim”,-thotë Floriri.

Rrugët më problematike me dyndjen më të madhe të automjeteve mbeten Maminas-Gjiri i Lalësit dhe anasjellat, rruga dytësore Plepa-Golem, si dhe rruga e plazhit. Këto segmente policia apelon të shmangen, duke këshilluar përdorimin e rrugëve alternative siç është autostrada Durrës-Kavajë, Unaza e Shkozetit apo edhe rruga e vjetër Manëz-Sukth.