Durrës, reforma arsimore nxeh gjakrat, fyerje dhe kërcënime në takimin me mësuesit

708
Sigal

Zv/ministri Arsimit dhe Taulant Balla, incidente me mësuesit dhe drejtuesit e DAR

Drejtorja e DAR-it, i kujton Ballës se: “Jam e LSI”-së

Brenda pak ditësh, zv/ministri Arsimit dhe Sporteve, Rauf Dimraj dhe deputeti socialist Taulant Balla, kanë pasur përplasje, debate dhe incidente me mësuesit dhe drejtuesit e DAR në Durrës. Burime tepër të sigurta nga DAR Durrës i thanë gazetës “Telegraf” se, “takimi i bërë larg syrit të medias dhe opinionit publik mes zv/ministrit Arsimit dhe Sporteve Rauf Dimrajt dhe mësuesve dhe personelit të shkollave, ka degjeneruar në debate të forta dhe incidente”. Informacioni ka ardhur për gazetën nga mësues dhe drejtues shkollash të pranishëm në takim, dhe si shkak është bërë humbja e kontrollit nga zv/ministri i cili e kishte të pamundur përballjen me pakënaqësitë dhe kërkesat e mësuesve, edukatoreve dhe drejtuesit e shkollave. Zoti zv/ministër është përballur me shqetësimet, dhe kërkesat e  mësuesve, të cilët e kanë të pamundur të realizojnë detyrimin e mësimdhënësit pasi akoma nuk kanë ardhur nga MAS programet e lëndës. Mësohet se në më shumë se 90 për qind të shkollave mungon baza mësimore. Zoti Dimraj, duket se ka reaguar keq përballë auditorit të mbushur plot mësues të Edukimit Fizik, ku fillimisht është përpjekur të demonstrojë pa mjete mësimore, lidhur me orët e mësimit të fizkulturës, pastaj gjithçka ka nisur keq. Lënda nga dy orë në javë do të zhvillohet tre orë të tilla në javë dhe kjo veç vështirësive në bazë materiale, ka ndeshur edhe në mungesën e plotë të udhëzimeve, programeve e planeve nga MAS. Kjo ministri dërgoi pak kohë më parë një plan i cili u tërhoq menjëherë pasi hartuesit nuk kishin bërë tjetër veçse kishin marrë programin e para viteve 1990, ku parashikohej që procesi mësimor të zhvillohej i ndarë në semestër, ndërkohë që ky është vitit i dytë që në arsimin bazë nuk ka semestër. Takimi u vlerësua shumë nga mësuesit ndërsa jo pak prej tyre kishin përgatitur pyetje të cilat do të ndihmonin secilin në procesin mësimor. Por takimi degjeneroi në replika, debate dhe britma. MAS kishte njoftuar takimin në 09:00 dhe mësuesve u është dashur të presin edhe plot tri orë të tjera deri sa ka mbërritur zv/ministri. Ai u ka thënë mësuesve se, “në Kodrat e Liqenit në Tiranë janë 1000 vetë, duke u stërvitur dhe që presin të hynë në arsim”, batutë, e cila është marrë si kërcënim nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollave. Fakti është se shkollat e Durrësit kanë nevojë për mësues shtesë për lëndën e Edukimit Fizik. Albert Bezhani, një nga trajnerët me shumë përvojë në përgatitjen e ekipeve të futbollit në Durrës, Rolanda Meçe, ishin disa prej mësuesve që kanë debatuar ashpër me zv/ministrin, duke i kujtuar atij se në pjesën më të madhe të shkollave nuk ka fare bazë material. Incidenti ndër më të rëndët e këtij lloji pritet të pasojë me reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Sipas disa pohimeve, janë të shumta mesazhet që i janë dërguar ministres Nikolla, deputetëve dhe Kryeministrit.

 Drejtorja e DAR- Tauland Ballës: “Jam e LSI-së, jo e PS-së”

Por, sikur të mos mjaftonte takimi i tensionuar i zv/ministrit Dimraj me mësuesit, një tjetër takim befasues ka pasur me drejtuesit e DAR edhe deputeti socialist Taulant Balla te hotel “Adriatiku”. Ky i fundit dhe drejtoresha e DAR Lindita Muka, janë bërë objekt i një debate mes tyre për shkak të qëndrimeve të kundërta që kanë të bëjnë me reformën në arsim. Drejtoresha e DAR ka deklaruar se, “nuk ka pse të jap llogari para partive politike, aq më tepër tek PS”. Kjo ka shkaktuar habi tek të pranishmit, pasi zonja Muka për herë të parë e ka deklaruar publikisht se ajo është e LSI. Përplasja mes tyre ka sjellë edhe reagime të tjera në takimin e organizuar tek “Adriatiku”. Balla ka qenë i deleguari  kryesisë PS për të ndjekur nga afër debatet dhe qëndrimet e për të raportuar lidhur me reformën në sistemin arsimor në qarkun e Durrësit. Të pranishëm ishin edhe prefekti Roland Xhelili, kryetari i Qarkut Alfred Mullaraj, kryetari i bashkisë Dako. Debatet janë ndalur tek kriteret që kanë përdorur drejtorët në rekrutimin e punonjësve dhe administratës, gjë, e cila ka tensionuar takimin. Arsimi është kritikuar se nuk po bën reformë dhe se deri më tani të gjitha lëvizjen e kryera në drejtimin e shkollave dhe në emërimin e mësuesve apo në lëvizjen e tyre nuk kanë të bëjnë me ndonjë strategji. Pyetjes së Taulant Ballës se “Cila jeni ju?”  Zonja Muka i është përgjigjur se: “Jam drejtorja e DAR-it, jam e LSI dhe nuk kam pse t’i japë llogari Kryetarit të PS-së në Durrës”. Është e para herë që në mënyrë të hapur bëhet një diversion i tillë. Për Mukën është folur që në fillim se ajo nuk është zgjedhje e PS-së, por nuk është thënë as që e ka zgjedhur LSI-ja. Deklarimi i saj ka bërë që Dako, Mullaraj dhe disa të tjerë të lënë takimin për të dalë jashtë.

Artur AJAZI