Durrës, procesi i regjistrimit të pronave, drejt përfundimit

1109
Sigal

ZRPP/ Flet për “Telegraf”, kreu i Hipotekës, Bedi Luku: “Ka mbetur vetëm zona e Plazhit, e cila është në proces dixhitalizimi”

Në Durrës, procesi i regjistrimit fillestar të pronave është drejt përfundimit, duke shfrytëzuar edhe asistencën tekniko-financiare të Bankës Botërore. Kreu i Hipotekës së Durrësit, Bedri Luku, i pyetur nga “Telegraf”, tha se brenda pak javësh të gjithë qytetarët nuk do t’i drejtohen më Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por noterëve për të kryer shitblerjet e pronave të tyre dhe transaksioneve të tjera.

Situata

Një numër shumë i madh qytetarësh qëndrojnë në zyrat e ZRPP për regjistrimin fillestar të pronave të tyre, ndërsa, ZRPP ka shpallur të gjitha zonat kadastrale, ku ka përfunduar procesi. Të gjitha dokumentet për pronësinë dhe hipotekimin e pasurive kryhen në të njëjtën godinë, duke bërë që në orët e para të mëngjesit të krijohen edhe radhë në sportele. Kërkesat e qytetarëve janë nga më të ndryshmet, sepse studentët qoftë edhe për të përfituar bursë nga shteti, duhet të paraqiten në këto sportele për të marrë vërtetimin e pasurisë që zotërojnë, apo vërtetimin se nuk kanë pasuri të paluajtshme. Madje, çdo regjistrimi i ri pronësie, kalon nga këto zyra, gjë e cila është vënë re në radhët që krijohen për qytetarët.

ZRPP

Kreu i Hipotekës, Bedri Luku tha se gjatë muajit shtator, u mbyll përfundimisht regjistrimi i pronave dhe dixhitalizmi i tyre në të gjithë qytetin e Durrësit, ndërsa në proces përfundimi është e vetmja zonë që gjendet brenda vijës së verdhë, zona turistike e plazhit. Në të fundit zona kadastrale që përfundoi  procesi janë zonat  kadastrale 8514, e cila përfshin lagjet 3, 4 dhe 11 të Durrësit, konkretisht në qendër të qytetit bregdetar, ndërsa po kështu kanë përfunduar së regjistruari pronat në zonat e tjera periferike në Shkozet, Spitallë dhe Porto Romano. Z. Luku thotë se, “për këto zona ka nisur edhe dhënia  e certifikatave të pronësisë”.

Shërbimi

Ndonëse në Tiranë, shërbimi u ka kaluar noterëve, në Durrës, ky proces pritet të kalojë para mbylljes së këtij viti. Noterët do të jenë në gjendje të aksesojnë regjistrin elektronik të pasurive dhe qytetarët, krahas kontratës së shit-blerjes, do të kryejnë tek noteri të gjitha pagesat e tjera të nevojshme dhe aty do të pajisen me certifikatën e pronësisë, pa pasur nevojë të shkojnë pranë sporteleve të ZVRPP në Durrës. Kjo do të shkurtojë kohën, shpenzimet, por edhe eliminojë abuzimet. Pas Tiranës, ky sistem do të nisë të aplikohet në Durrës. Aplikimi i sistemit të ri të regjistrimit të pronave duke shkuar vetëm tek noteri në Durrës do të nisë të aplikohet pas afro dy muajsh. Z. Luku, thotë se, “aplikimi i këtij sistemi të ri do të nisë brenda këtij viti, pasi të përfundojë regjistrimi fillestar në të gjithë territorin e zonës sonë”. Në thelb të këtij sistemi të ri është shërbimi që ofrojnë noterët, të cilët do të kthehen në të vetmin vend, ku shkohet për të ndryshuar statusin juridik të një prone dhe regjistri elektronik i pasurive. Kjo do të thotë se, tani, çdo ndryshim i mëpasshëm i statusit ligjor të një prone do të mund të kryhet lehtë dhe shpejt vetëm duke u paraqitur tek noteri. Ky sistem i ri nisi të aplikohej para pak ditësh në Tiranë. Këtë  shërbim që qytetarët e marrin për 1 000 lekë të reja në ZRPP, në zyrën e noterit do ta marrin vetëm për 600 lekë të reja”.