Durrës: Porti Detar po planifikon shkarkimin e 100 punonjësve

715
Sigal

Shkarkimet në Portin Detar rrezikojnë që shumica e punëtorëve të marrin 1 vit asistencë

Porti Detar i Durrësit ka në plan shkurtimin e rreth 100 punonjësve nga stafi administratës dhe sektorët e tjerë në terren. Burimet portuale thanë se, “procesi reformimit të stafit dhe sektorëve, do të sjellë edhe largimin e tyre, natyrisht  do të bëhet çdo gjë sipas një procesi të qartë ligjor bazuar mbi kriteret profesionale”.  Ndërkohë disa prej personave që rrezikohen të largohen nga vendi punës deklaruan për “Telegraf” se, “ne nuk  jemi kundër  reformimit, apo edhe privatizimeve, pasi ato janë pjesë e sistemit ku është futur APD,  por  kundërshtojmë  trajtimin financiar që do të na bëhet pasi të largohemi nga puna”. Deklarata të tilla kanë bërë edhe disa  prej punonjësve të mirëmbajtjes së elektrovincave. Procedurat e largimit do të nisin nga fundi gushtit, nga ku 100 punonjës do të mbesin pa punë, pasi APd dhe operatori privat ka nevojë vetëm për një pjesë të vogël të tyre. Mirëmbajtja e elektrovinçave të portit detar të Durrësit është realizuar nëpërmjet ofiçinës mekanike në të cilën kanë shërbyer 140 punonjës të kualifikuar si mekanikë, elektroauto, xhenerikë, saldatorë e të tjerë. Por, aktiviteti i pjesës më të madhe të tyre do të ndërpritet në mes të muajit gusht pasi ky shërbim do të privatizohet. Punëtorët e ofiçinës nuk, janë dakord me pagesën që do të përfitojnë nga operatori privat. Ishte folur se ata do të paguheshin 1 vit rresht me rrogën që kanë përfituar deri më tani por, në realitet ajo do të jetë rreth 40% më e ulët se rroga që ata kanë përfituar si punonjës shteti. Në këto kushte ata akuzojnë APD për mungesë transparence në procesin e privatizimit. Deri para 1 viti,  punonjësit e portit që prekeshin nga privatizimet e shërbimeve të ndryshme kanë përfituar një vit pagë të plotë dhe një vit asistencë. Një pjesë e punonjësve që do të lenë punën kanë mbi 30 vjet karrierë në specialitete të ndryshme ndaj ata kërkojnë një trajtim më dinjitoz financiar. Aktualisht, operatori  privat do të mbajë vetëm 40 prej tyre. Partnerët ndërkombëtarë të cilët asistojnë mekanizmin e portit të Durrësit kanë miratuar me kohë privatizimin e shërbimeve dhe ajo që i mbetet APD ose shtetit do të jetë prona e territorit dhe e basenit. Deri tani janë privatizuar shërbimi i ngarkim shkarkimit, ai i pilotimit të anijeve, transporti i mallrave nga anijet për në destinacione e ndonjë shërbim tjetër. Privatizimi i radhës ishte privatizimi i shërbimit të mirëmbajtjes së elektrovinçave. Atë e kryen kompania suedeze “Kalmar”, e cila do të përfitojë për çdo vit 96 milion lekë nga APD për mirëmbajtjen e vinçave. Në një kohë që pjesa kryesore e shërbimeve portuale po privatizohen, punëtorët janë transferuar në terminalin e trageteve, i cili është mbingarkuar me fuqi punëtore.

Artur AJAZI