Durrës, Nikolla: Dekani dy muaj i izoluar në zyrë nga Rektori

535
DURRES – Gjatë një vizite të pa paralajmëruar Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka evidentuar shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të lirisë akademike. Dekani Elmaz Leci mbahej i izoluar në zyrën e tij dhe nuk lejohej që të dilte me urdhër të Rektorit. Sipas Ministrisë Rektori i universitetit të Durrësit kishte kërkuar pezullimin e Dekanit prej kohësh.
Rektori i universitetit kishte kërkuar nga Ministria e Arsimit që të shkarkohej Dekani, por ministria e ka refuzuar këtë kërkesë të Rektorit duke e lënë atë ende në detyrë. Pas kësaj Rektori ka urdhëruar përgjegjësen e burimeve njerëzore që të mbajë një procesverbal për dekanin. Ai ishte i detyruar që të qëndronte nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16:00 në zyrë pa lëvizur prej saj.
Më pas me urdhër të Rektorit, Dekani është mbajtur i mbyllur në një zyrë që është konsideruar si jashtë çdo standardi të mundshëm. Kjo periudhë ka zgjatur që prej 15 janarit deri më sot ku rasti është evidentuar nga Ministrja Nikolla. 
Ora 14:25 Nikolla: Përgjegjësit do të vihen para drejtësisë
 Ministrja e Arsimit ka thënë se ky është një rast i paprecedent dhe se do të merren të gjitha masat që përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të marrin ndëshkimin e merituar. Sipas Nikollës askush nuk mund të cënojë të drejtat dhe liritë e njeriut e aq më pak ato të lirisë akademike. “Sot unë konstatova vetë në prani të Rektorit dhe mediave, të ashtuquajturën zyrë ku Leci mbahej i izoluar e i veçuar në një zyrë vetëm me 1 tavolinë dhe i vëzhguar herë pas here nga burimet njerëzore që e konfirmonin këtë edhe ne anë të një procesverbali,”- tha Nikolla.
Deklarata e plotë e Nikollës për rastin e Durrësit
Ishte e padëgjuar dhe refuzoj që të jetë e mundur të ndodhin të tilla gjëra. Kishte një denoncim disaditor nga dekani për keqtrajtim pas refuzimit të Ministres për shkarkimin e dekanit Leci. Sot unë konstatova vetë në prani të rektorit dhe mediave, të ashtuquajturën zyrë ku Leci mbahej i izoluar e i veçuar në një zyrë vetëm me 1 tavolinë dhe i vëzhguar herë pas here nga burimet njerëzore që e konfirmonin këtë edhe ne anë të një procesverbali. Lezi vinte në punë në orën 8 dhe largohej në 16:00. Për këtë ngjarje do të ketë masa pasi do të mbrohen të drejtat e njeriut dhe të akademikëve, do të çojmë rektorin para përgjegjësisë. Kjo sjellje do të sqarohet në ditët në vijim. Thelbi i çështjes është që nuk mund të denigrohet e të shkelen liritë akademike. 
Ora 14:05 Dekani firmoste çdo ditë procesverbal prezence
Dekani i Universitetit të Durrësit Elmaz Leci mbahej i izoluar në zyrën e tij dhe nuk lejohej që të dilte me urdhër të Rektorit Mit’hat Mema. Ky është skandali i zbuluar ditën e sotme gjatë një kontrolli të papritur nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ku ka zbuluar Dekanin të “peng” në zyrën e tij.
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se kjo situatë ishte krijuar për shkak se Rektori ka kërkuar që ta shkarkojë Dekanin, por kjo bëhet vetëm me urdhër të Ministres. Madje Rektori Mema i ka dorëzuar një kërkesë MAS për shkarkimin e tij. Në përgjigjen e saj, MAS refuzon kërkesën e bërë.
Sigal