Durrës, mjekët i kthejnë klinikat në depo ilaçesh

507
Korrupsioni tek bluzat e bardha nuk ndalet edhe sikur çdo ditë të arrestosh një mjek dhe dy infermierë, më thoshte një miku im që punon aktualisht në Spitalin Rajonal Durrës. Dhe kjo është e vërtetë, pasi edhe pse deklarohet, shigjetohet dhe propagandohet me të madhe nga Ministria e Shëndetësisë për “luftë ndaj korrupsionit”, duket se ky fenomen sa vjen e trashet. Ka nisur dhe nuk ka gjasa të ndalet korrupsioni edhe tek bluzat e bardha në Durrës, që kanë qenë dhe mbeten objekt i denoncimeve nga pacientët dhe familjarët e tyre për mitmarrje. Por më të prekurit nga kjo “epidemi”, mbeten materniteti dhe kirurgjia, pediatria, por pa përjashtuar edhe urgjencën. Nga ana tjetër një fakt i zbuluar kohët e fundit, është se mjekët prej kohësh i kanë kthyer klinikat e tyre në depo ilaçesh, me të cilat furnizojnë farmacitë, duke krijuar zinxhirin e korrupsionit përmes shitjeve dhe rekomandimeve që u bëjnë pacientëve pas vizitave. Pacienti sillet vërdallë për ti zhvatur para, edhe pse shpesh sjellja e mjekut mbetet jashtë logjikës dhe humanizmit njerëzor. Rastet nuk mungojnë, madje ato hasen shpesh në spitalin Kirurgjik, Pediatrik, Gjinekologjik, etj. Denoncimet e shumta kanë mbërritur prej kohësh jo vetëm tek Drejtoria e Spitalit, por edhe tek portali “stop-korrupsionit”, apo tek Agjentët e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Durrës. Vetëm në 2 muajt e fundit qytetarët kanë denoncuar në mbi 80 raste mjekë dhe infermierë, duke nisur nga marrja e 5 mijë lekëshit për një serum, shpesh edhe me dhunë psikologjike, apo për lekët paradhënie që japin për një operacion. Një shtetas duke folur për gazetën “Telegraf” deklaroi se, “në 2 javët e fundit më ka lidhur halli me mjekët tek kirurgjia por edhe me mbesën time tek Pediatria, me mjekë që marrin para madje me forma dhe marifete të ndryshme kur ne jemi nevojtarë, nuk të bëjnë serumin pa i dhënë para, në Urgjencë sillen si të ishim lecka e jo njerëz, kurse tek materniteti ka mjeke që pa dhënë lekët ta lënë gruan si lopa në dhomë, ose më saktë lekë ose euro dhe jo lindje natyrale por me operim”. Të gjitha këto dhe qindra raste të tjera, ndodhin në gjithë institucionet e sistemit shëndetësor në Durrës dhe jo vetëm. Korrupsioni në bluzat e bardha shpesh i ka bërë pacientët dhe të afërmit e tyre të humbin durimin, të ofendojnë mjekun, infermieren, e deri sanitaren të cilët nuk kryejnë asnjë shërbim human, pa futur dorën në xhepa, dhe nxjerrë prej andej para. Po përse u janë errur sytë mjekëve dhe infermiereve nga paraja? Në një fare mënyre, përgjigja është se drejtuesit kanë vite që vegjetojnë zyrave, nuk dalin në terren, nuk marrin në konsideratë denoncimet që vijnë nga qytetarë të shumtë, por ata shpesh janë bërë palë me kolegët e tyre të korruptuar duke i mbrojtur. Çdo ditë hallexhinjtë zbrazin xhepat në spitale, por edhe bëjnë denoncime, por asnjë drejtues i institucioneve të shëndetësisë në Durrës, nuk është marrë asnjë masë ligjore, për të verifikuar dhe kontrolluar, denoncimet e shumta ndaj mjekeve, asnjë nisëm për të verifikuar, pasuritë e paligjshme. Nisma e Ministrisë së Shëndetësisë “Për të denoncuar çdo rast korrupsioni”, fillimisht ka ngjallur shpresën tek durrsakët, duke i bërë ata të guximshëm për të mos mbajtur gojën kyçur por duke demaskuar me fakte atë ç’ ka ngjet çdo ditë në spitale e ambulanca. Por duke kaluar ditët dhe muajt, ata kanë kristalizuar bindjen, se asnjë mjeku apo infermieri të akuzuar dhe denoncuar nuk e ka prekur ligji, dhe se gjithçka ka mbetur siç ka qenë, duke e thelluar më shumë negativitetin e këtij fenomeni antiligjor, që ka prekur bluzat e bardha.
Sigal