Durrës, mbi 300 banesa nën ujë

578
Sigal

Vetëm 2 orë me shi dhe përmbytet  Këneta,  Spitalla, Plazhi dhe Durrësi

Reshjet e shiut që kanë rënë orët e para të mëngjesit të djeshëm  kanë shkaktuar përmbytje në zonën e ish-Kënetës në Durrës.  Mbi 300 banesa ndodhen akoma nën pushtetin e ujit. Lajmi për përmbytjet e shkaktuara në këtë zonë është bërë i ditur nga banorët, të cilët kanë kërkuar ndihmë duke apeluar në Bashki, Prefekturë e Qark. Sipas banorëve përmbytje ka pasur në të gjithë zonën nga fillimi deri në përfundim të unazës së ish-Kënetës. Ata janë shprehur të shqetësuar duke thënë se nga përmbytjet, uji ka hyrë në shtëpi gati 1 metër. Më tej banorët shprehën shqetësimin e tyre duke thënë se nuk u ndezën hidrovoret, pas reshjeve intensive që ranë. Po ashtu pas reshjeve mësohet se e gjithë zona ka mbetur pa energji, edhe Këneta kërkon investime urgjente.

Qindra shtëpi janë bllokuar nga balta dhe ujërat e zeza

Shirat e dy ditëve të fundit, kanë krijuar një situate të rënduar  në zonën e ish-Kënetës, e njohur nga durrsakët si “zona e pabanueshme”, për shkak se 67 vjet më parë ata zinin pesghk dhe ngjala pasi atje ishte deti. Aktualisht atje sipas statistikave bashkiake banojnë mbi 22 mijë familje, ndërkohë që vetëm në vitet e fundit janë ndërtuar mbi 14 mijë banesa, duke nisur nga ato me dërrasa, blloqe tullash dhe deri tek vilat moderne. Por në ish-Kënetë prej 15 vitesh infrastruktura mbetet problematike dhe kërkon investime urgjente nga shteti. Në 23 vite, asnjë kandidat apo deputet, asnjë kryetar  komune apo bashkie, nuk tregoi  interesimin formal të paktën për atë zonë e cila gjithmonë përmbytet sa herë në Durrës bie  shi veror apo dimëror. Ish-Këneta sot vuan etjen e madhe për ujë, mungesën e rrjetit të kanalizimeve dhe objekteve si shkolla, qendra shëndetësore, rrugëve dhe ndriçimit rrugor. Prej vitesh ajo  zonë u ka shërbyer   politikës  për t’i mashtruar duke u premtuar “parajsën” dhe pasi kanë marrë (apo rrëmbyer) votat nuk janë dukur përgjatë mandatit. Zona e kripëzuar e ish-Kënetës, edhe në shirat e rënë këto ditë  u gjend e rrethuar nga pellgje uji dhe balta që zbrisnin nga kodrat e Durrësit apo që vinin nga akset e tjera rrugore. Atje infrastruktura rrugore mbetet  larg standardeve. Shpesh banorët e ardhur nga të gjitha viset e vendit, kanë qenë të detyruar të bien dakord dhe të investojnë duke blerë rërë dhe çakull për të mbushur gropat dhe kanalet me ujërat e zeza. Ish-Këneta  ka vite  nuk ka marrë asnjë “kacidhe” nga buxhetit i shtetit dhe ai i pushtetit vendor, duke e lënë atë në degradim total. Zona e diskriminuar ka nevojë urgjente për qendër shëndetësore, për shkollën e premtuar, për rrugë, rrjet të ujit të pijshëm e shumë projekte të tjera zhvillimi. Ngritja e Parkut Industrial në Shkozet, padyshim do të prekë  me investime edhe zonën kufitare të ish-Kënetës, e cila vuan sot edhe problemin e punësimit.

Edhe Durrësi  i përmbytur

Ka mjaftuar vetëm  2 orë me shi, që pothuajse gjysma e qytetit të gjendet nën pushtetin e  ujit. Zonat më problematike si gjithmonë vitet e fundit kanë qenë Këneta, pjesa dërmuese e plazhit, Spitalla, Lagja 18, por edhe akset e tjera rrugore si stacioni trenit, porti detar, qendra dhe zonat e tjera, madje fortunali 30 minutësh nuk ka kursyer dhe rrezikuar edhe dy  kalata. Situata gjithmonë pas reshjeve në Durrës mbetet kaotike dhe katastrofike, me ujëra që rrjedhin nga kodra e Vilës së Zogut, me puseta të bllokuara, me kanalizime të rehabilituara 16 vjet më parë, dhe bllokime të akseve kryesore rrugore. Por e tillë situata ka qenë sipas bilancit të Shtabit të Emergjencës pranë Prefekturës edhe në  qindra  familje kryesisht në zonën e ish-Kënetës, dhe plazh, por mjaft kritike ka qenë ajo edhe në Spitallë, tek familjet që banojnë në Currila dhe tek disa prej shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qytetit. Sipas Drejtorisë Arsimore të Qarkut, “vështirësi janë ndjerë në disa shkolla ku akoma nuk është ndërhyrë në rehabilitimin e infrastrukturës së tyre si  në Kënetë, në Spitallë, ku priten investime nga buxheti shtetit”. Por duket se kronike mbetet përmbytja e familjeve në plazh tek  sektori  Iliria dhe atyre në një pjesë të Kënetës, pasi atje mungon pothuajse krejtësisht infrastruktura rrugore dhe rrjeti i kanalizimeve.

Pak histori

Në Durrës, sipas urbanistëve, rrjeti i kanalizimeve për qendrën, portin dhe Kodrën e Vilës së Zogut, janë bërë qysh në vitin 1924 nga inxhinieri italian Giuzepini dhe arkitekti shqiptar Sotiri, dhe është ndërhyrë për ndërtimin e rrjetit të ri në 1956, 1964 dhe 1982, duke ecur sipas shtrirjes së qytetit nga lindja e verilindja e tij. Nga stacioni trenit deri tek BKT, me fondet e qeverisë është ndërhyrë në qershorin e vitit 1996, dhe sërish rrjeti kanalizimeve u bë jo sipas parametrave  që kërkon rritja dhe progresi qytetit. Rritja e numrit të objekteve të banimit si pallateve vilave dhe lokaleve, ka sjellë edhe rritjen e popullsisë, dhe bashkë me to edhe aktet vandale ndaj veprave të shërbimit publik. Sot Durrësi vuan ndëshkimin nga përmbytjet, nga disa familje që kanë  zaptuar dhe dëmtuar prej 16 vitesh kolektorët kryesorë të tij, si dhe duke prishur me dashje rrjetin e kanalizimeve dhe pritave poshtë Vilës së Zogut.  Aktualisht Durrësi bregdetar e turistik, me këtë infrastrukturë ineficente dhe institucione apatike që ka të cilat as kanë ndërmend të rehabilitojnë dëmtimet e bëra në vite, rrezikon të mërzisë shpejt dhe të largojë drejt Vlorës e Sarandës  turistët pas 1 qershorit. E njëjta situate  mbetet edhe në zonën e plazhit, ku rrjetin e kanalizimeve e kanë zënë gropat septike dhe kjo ndodh edhe tek pallatet buzë detit dhe rrugës nacionale. Por deri sot asnjë institucion dhe asnjë titullar i tyre nuk ka folur dhe ndërhyrë, asnjë anëtar KRRT-je në Bashki dhe Qark, por edhe asnjë prefekt nuk ka guxuar të veprojë me forcën e ligjit për të ndalur katastrofën dhe përmbytjet. Ata ende vazhdojnë të mjaftohen me mbledhje dhe këshillimi zyrave dhe kafeneve duke qenë ineficentë në detyrën e marrë me zell për t’i shijuar asaj të mirat dhe për t’i harruar detyrimet ligjore. Përderisa kjo situatë nuk do të ndryshojë Durrësi, duke mos përjashtuar plazhin dhe rrethinat e tij, gjithmonë do të përmbyten, qoftë edhe nga 30 minuta shi.