Durrës, falimentojnë 500 subjekte të biznesit të vogël

513
Sigal

KRIZA/ Kryebashkiaku Dako: “Falimentimet kanë ulur të ardhurat e bashkisë, kemi arritur nivelin e vitit 1992”

Kriza ekonomike e lidhur ngushtë me rënien e të ardhurave dhe rritjen e frikshme të shifrave të papunësisë në vend është duke u karakterizuar edhe nga rrënimi masiv i biznesit te vogël. Dyqanet e mbyllura masivisht dhe adresat e telefonave për të gjetur qiraxhinj të rinj me shprehjen “Jepet me qira” si dhe “Likuidim total” të shoqëron ngado në rrugën tregtare si dhe në rajonet e tjera tregtare të qytetit bregdetar. Sipas kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, viti 2013 që sapo ka nisur është një vit i zymtë për ekonominë e qytetit, ndërkohë që vihet re një valë e fortë falimentimi që e ka goditur biznesin e vogël të shitjeve me pakicë në Durrës. Klima e pafavorshme e krijuar prej dy vjetësh fuqia e vogël blerëse, efektet negative të krizës globale kanë bërë që bizneset private të tkurren në kufijtë historikë.

Kriza

Dako ka konfirmuar se gjatë 2 muajve të parë të këtij viti, kanë shpallur falimentimin 500 biznese ndërsa 500 të tjerë kanë pezulluar licencat në një afat të pacaktuar. Sipas specialistëve, shkak është mungesa e fuqisë blerëse dhe ulja e xhiros ditore në masën 50%. Sipas Dakos, në Durrës operojnë 4 mijë biznese të vegjël dhe falimentimi i tyre,ka impakt të drejtpërdrejtë në të ardhurat e bashkisë, të cilat llogariten me ato të vitit 1992. Dako thekson se, krahas falimentimeve që kanë ndodhur. Vetëm gjatë dy muajve të fundit ku janë mbyllur 500 biznese të vogla, ndërsa 500 të tjerë kanë pezulluar licencën, edhe mbyllja e vitit të kaluar ka pasur mjaft pasoja të rënda ekonomike mbi biznesin dhe jetën ekonomike te banoreve durrsake. Ai e thekson se, e  njëjta situatë  ka qenë edhe në vitin 2012. Në këtë vit  u mbyllën 1 mijë subjekte të biznesit të vogël, por 700 prej tyre,kërkuan sërish regjistrim, duke ndryshuar aktivitetin. Një prej problemeve më të mëdha me të cilën përballet biznesi i vogël është mungesa e xhiros ka rënie me 50% gjatë këtij viti. Biznesi ka dëshirë të punojë, por nuk ka kushte të favorshme. Ndërkohë, është problem është se Bashkia e Durrësit po hyn ne muajin e dytë pa miratuar ende paketën fiskale të vitit 2013. Para disa ditësh u bë dhe një njoftim mbi mbledhjen që do te organizohej nga Këshilli Bashkiak për miratimin e sajë. Por për shkaqe që s’u bënë publike kjo mbledhje u shty. Shtyrja, me sa u tha nga burime te Këshillit,  vinte nga konfliktet politike me dy forcave politike kryesore PD dhe PS. Kreu i Bashkisë Dako ka thënë se, diskutimet e ardhshme për paketën fiskale do të nisin së shpejti dhe në mbledhjen  e ardhshme Bashkia  do të bëjë  një propozim për rishikimin e taksave dhe tatimit të biznesit të vogël, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. Dako ka thënë se, do të kërkohet që të bëhet një ndarje e  biznesit sipas zonave për pagesën e taksave vendore. Kjo, sipas Kryebashkiakut, për të ndihmuar bizneset e vogla të periferisë, pasi një subjekt në periferi, nuk mund të paguajë taksa, njësoj si një subjekt që ushtron aktivitetin në qendër të qytetit.