Durrës, elektricistët e CEZ-it kanë abuzuar me detyrën

710
Sigal

Flet kreu i CEZ-it, Neritan Golja: Në kabinat elektrike të zonave informale u gjetën 210 lidhje të paligjshme. Vazhdon aksioni

Punonjësit e elektrikut kanë filluar një sërë operacionesh për të rivendosur energjinë në linjat e dëmtuara dhe kanë zbuluar shumë probleme të trashëguara, pasi CEZ nuk ka bërë ndërhyrjet e duhura, mes të cilave shumë lidhje të jashtëligjshme paralele. Ndërhyrjet dhe penalizimet në linja kanë shkuar deri në debate të ashpra mes punonjësve të elektrikut dhe përleshje. Ditën e enjte, rreth orës 11:00 të paradites, ka pasur një konflikt fizik në lagjen Nr. 3 të qytetit, në një zonë që ndodhet në mes të Bashkisë dhe Stacionit të vjetër të trenit. Punonjësi që po punonte në një kabinë elektrike, sipas banoreve të pranishëm është sulmuar me thikë nga një banor i lagjes, i cili pasi e ka sulmuar dhe goditur fizikisht është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Shkaqet nuk janë bërë publike, por dyshohet që të jetë frika e banoreve për zbulimin nga ndërhyrjet që janë bërë në kabina pas largimit të kompanisë CEZ për lidhje të jashtëligjshme.

Abuzimet

Siç jemi në dijeni, më 21 janar të këtij viti, me vendim të Entit Rregullator të Energjisë, u miratua me konsensus heqja e licencës për kompaninë CEZ-Shpërndarje, pasi, siç u deklarua, u konstatua se kjo kompani nuk kishte respektuar kontratën dhe ligjet. Në kuadër të këtyre ndryshimeve strukturore të mënyrës së punës në këtë ndërmarrje, janë ndërmarrë disa aksione nga të cilat janë realizuar rreth 210 prerje në zonën informale të ish-Kënetës dhe Spitallës në Durrës. Nga drejtoria e CEZ-it është konfirmuar se : “Denoncimi për këto prerje ka ardhur nga banorët që paguajnë rregullisht faturat e energjisë dhe për ndërhyrjet e paligjshme në rrjet ata gjenden pa drita. Por ata që abuzojnë me lidhje dyfishe nuk paguajnë as energjinë elektrike, ku vetëm në kabinën 142, sipas të dhënave nga elektriku, debia është 3,5 milionë lekë të reja”. Kështu ka deklaruar kreu i ri i CEZ-it në Durrës, Neritan Golja. Ndaj banorëve shkelës, si pasojë e menjëhershme është ndërmarrë ndërprerja e energjisë, prerja e lidhjeve dyfishe dhe u është bërë thirrje të nisin të paguajnë faturat për çdo muaj. “Toleranca do të jetë zero ndaj personave që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe abuzojnë me të. Në rast përsëritjeje do t’i drejtohemi prokurorisë për ndjekje penale, sepse nuk ka alternativë tjetër. Situata është shumë e rëndë, në këto zona prej muajsh nuk është parë ndërhyrja e CEZ-it dhe nuk është vënë dorë as në investime në rrjet”, pohoi Golja. Ai ka kërkuar njëkohësisht edhe mirëkuptimin e qytetarëve për të paguar energjinë elektrike dhe debitë me këste të vogla, për të mos aplikuar ndërprerje ndaj debitorëve”.

Aksioni

Largimi kompanisë çeke CEZ ka bërë që shumë vetë të kërkojnë që të shfrytëzojnë hapësirën e krijuar me këtë rast, për të realizuar furnizimin e energjisë elektrike nëpërmjet lidhjeve të paligjshme. Ata mendojnë se, deri kur të bëhet rikonstruktimi i administratës së re mund të ketë hapësira për të përfituar energji elektrike pa pagesë. Gjatë periudhës 10 ditore janë bërë ndërhyrje energjike dhe janë prerë deri tani rreth 210 lidhje abuzive. Realisht shkëputja e marrëdhënieve të saja ka krijuar një gjendje alarmante në të gjithë infrastrukturën e shërbimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Për këtë, drejtori i sapo emëruar i Rajonit të Durrësit, Neritan Golia, ka deklaruar se, ka shumë punë për të bërë, pasi është e domosdoshme që të merren të gjitha masat për përmirësimin e shpejtë të situatës alarmante të trashëguar dhe ndërkohë duhet punuar, sipas tij, për të bërë një sensibilizim të ndërgjegjshëm të popullatës për shlyerjen e detyrimeve ndaj këtij shërbimi. Kjo do të ndikonte,- thotë ai -edhe për të reflektuar në përmirësimin e shpejtë të situatës dhe gjendjes së trashëguar. Sipas Goles, në ndjekje të detyrave të reja që dalin tashmë në këtë sektor jetik për banorët e Durrësit, janë ngritur në terren rreth  24 grupe pune të specializuara për të investiguar gjendjen e rrjetit të furnizimit me energji elektrike, me qëllim që qytetarët të mos vuajnë furnizimin me energji në shtëpitë e tyre.

Problemet e trashëguara

Në këtë zonë ka probleme të shumta të trashëguara, të cilat duhen bërë përpjekje për t’i çrrënjosur, thonë në administratën e ndërmarrjes, pasi sipas tyre, në zonat informale, problemet janë shumë të mëdha, sepse banorët në një krah denoncojnë lidhjet e paligjshme, që bëhen shkak për ndërprerjet e energjisë elektrike, mungesën e investimeve në rrjet dhe në anën tjetër debitë varjojnë nga 3.5 në 7 milionë lekë të reja për kabinë elektrike. Çrregullimet janë të mëdha. Shumë elektriciste akuzohen si të korruptuar. Thuhet se elektricistët kundrejt ryshfeteve kanë mbyllur sytë para abuzuesve, kjo dhe nga fakti që përmendin banorët se kudo që të shkosh në çdo kabinë vëren lidhje dyfishe. Askush nga punonjësit e CEZ-it nuk ka ndërhyrë deri tani dhe situata është katastrofike për konsumatorin e rregullt. “Nga një kabinë elektrike furnizohen deri në tre kabina të tjera në lagje të ndryshme, është bërë rrjet merimange rrjeti i shpërndarjes së energjisë”, thotë drejtori i CEZ-it në Durrës. Gjatë kësaj jave është rritur dukshëm arkëtimi në shumë zona të ndryshme të qytetit pas paralajmërimeve për ndërprerje të energjisë elektrike. Aktualisht në Durrës arkëtimet kanë shkuar në masën 80% ndërsa problem shqetësues janë humbjet në rrjet nga lidhjet abuzive.