Durrës, bashkia lejon stacionet ‘pirate’ të furgonave para shkollave

519
Sigal

Edhe Drejtoria Arsimore është e nevojshme të shqetësohet dhe të ndërhyjë për të stabilizuar këtë fenomen

Qyteti i Durrësit thuajse ka mbetur pa sheshe. Po edhe ato pak zona që kanë mbetur të lira nga pushtimi i betonit, nuk mirë menaxhohen. Banorët janë të shqetësuar dhe shpesh herë ngrenë zërin për problemet që u janë shkaktuar nga mos administrimi i mirëbesimit të tyre. Në lagjen Nr. 11 të këtij qyteti, në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Shaqe Mazrreku”, ka mbi një muaj që ka ndodhur një “invazion”  i furgonave të pasagjereve që bëjnë linjat Durrës- Tiranë. Furgonat ndalojnë dhe mbushen me pasagjerë para dyerve të shkollës, ndërsa për të zënë radhën ata janë të detyruar që të futen edhe në rrugicën që në linjë të drejtë të çon pas pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe që njihet si “Rruga e Kuminit” një nga rrugët më të vjetra të lagjes “Varosh” të këtij qyteti. Furgonat kuptohet që shkaktojnë probleme për arsye të këmbësoreve që kalojnë në rrugicë dhe përball gjithë këtij rreziku Bashkia e qytetit të Durrësit bën sehir dhe nuk ndërhynë. Fluksi i makinave të zakonshme përzihet me furgonët që duke marrë kthesat e vështira për shkak të terrenit jo të favorshëm, shkaktojnë bllokimin e qarkullimit, si të mjeteve të vogla ashtu edhe të këmbësoreve. Rruga është e shtruar me të ashtuquajturin asfalt elektoral dhe tashmë është gropa-gropa. Kalimi i tyre në këtë rrugë, bën që këmbësorët të njollosen nga ujërat që ndodhen në gropat e asfaltit të prishur. Po dhe për qetësinë e banoreve të lagjes nuk dihet kush mendon, kur makinat shtyhen në rrugicë dhe u zënë deri hyrjet e banesave dhe të garazheve private të tyre. Kjo shpesh ka shkaktuar sherre mes tyre. Thirrjet e shoferëve në kërkim të pasagjerëve, na e nxinë jetën, thotë një banor. Janë të padurueshëm. Mesa duket për të mënjanuar këtë dukuri, Policia Bashkiake disa ditë me radhë ka instaluar një furgon me policë. Po furgoni, zakonisht ka ndenjur deri rreth orës 12:00 dhe pas largimit të tij, zona në thellësi të rrugicës, mbushej përsëri me furgona. Dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Po për këtë fenomen të anarkisë së administrimit të hapësirave të qytetit të Durrësit, nuk janë të shqetësuar vetëm banorët e rrugicave të brendshme të lagjes.

Prindërit

Një shqetësim të madh kanë edhe prindërit që çojnë dhe marrin fëmijët në shkollën 9-vjeçare “Shaqe Mazrreku”. Furgonët parkojnë para portës së shkollës dhe në orët e hyrje daljeve të nxënësve ata u rrezikojnë jetën fëmijëve pasi jo të gjithë prindërit e kanë luksin që të presin dhe të përcjellin vetë fëmijët në oraret e mësimit. Për këtë edhe Drejtoria Arsimore e Durrësit është e nevojshme të shqetësohet dhe të ndërhyjë për ta stabilizuar këtë fenomen. Një prind thotë se mes shoferëve, për shkak të konkurrencës së marrjes së pasagjerëve, kanë ndodhur edhe përleshje me grushte dhe leva në sy të fëmijëve të shkollës. Gjë kjo, mjaft e rëndë për këtë moshë, për të mos thënë e shëmtuar. Duke shtuar edhe sharjet e shumta me një fjalor anti-pedagogjik që përdoren rëndom në këto raste. Kjo është një prej tablove më spikatëse, pasi stacione të tilla fantazmë mund të ketë shumë në Durrës, gjë që i ka çorientuar në shumë raste edhe pasagjerët. Pasi kur hipin në këto stacione në thellësi të rrugicave, larg rrugës kryesore janë të detyruar të presin gjatë deri sa të mbushen furgonat.