Durrës: Babëzia në portin e Selimit, nuk njeh kufij

68

Miliona lekë përfitime dhe qindra specialistë të hedhur në rrugë për tu zëvendësuar me militantët krahinorë

Autoriteti  Portual  i Durrësit, pas spastrimeve politike në administratë  dhe  shkurtimeve të paralajmëruara, ka  nisur  të ecë në “rrugën e vjetër”, të  abuzimit dhe shpërdorimit  të detyrës nga kupola drejtuese. Burime të sigurta portuale thanë për gazetën “Telegraf”, se, “në drejtimin dhe menaxhimin e portit asgjë nuk ka ndryshuar, ai mentalitet, ajo eufori, ajo babëzi dhe sërish drejtojnë njerëz me pushtet politik dhe ekonomik”. Porti më i madh i vendit, sot drejtohet nga një grupim deputetësh dhe ministrash, që kanë  krijuar  tashmë fizionominë më të keqe të gjigandit detar, duke shkarkuar dhe emëruar  sipas dëshirave dhe preferencave të tyre, duke gllabëruar  sektorët fitimprurës, duke monopolizuar çdo gjë që lidhet me fitimet monetare. Abuzimet në APD nisin me emërimet, me letrat, sms e punësimeve, largimeve dhe ecin me aferat  korruptive të proceseve të tjera prodhuese të parasë, duke vazhduar me reklamat. Porti Durrësit, akoma nuk ka mbyllur dosjen hetimore të abuzimit me mbi 400 mijë euro të zbuluara deri tani, që lidhen me sponsorizimet e bëra në 8 vitet e kaluara, ndërkohë që miliona lekë po jepen  nga janari 2014 për grupimet politike por që justifikohen si seminare, konferenca, botime, e spektakle, për udhëtime dhe pushime të shtrenjta si dhe për publicitete në media. Sipas një burimi portual mësohet se, “zyrës së Marketingut i ka ardhur urdhri me shkrim dhe gojë, reklama vetëm në mediat pranë pushtetit, asnjë qindarkë për  të tjerat”. E ndërsa  APD, ka nisur 6 muaj më parë pas raportit të KLSH në Prokurori, gjithë dosjet e abuzimeve të ish-drejtorit  Eduart Ndreu, duket se babëzia dhe mburoja politike e drejtuesve aktuale me në krye ish-ministrin e Partisë Demokratike në vitet 1992 Selim Belortaja, nuk njeh  kufij. Kur është fjala për  të mbushur  xhepat e shpuar të një kaste të re Selim Belortaja, i cili ka mbërritur tek LSI-ja pasi ka kaluar ylberin e demokratëve, ka edhe  mbështetjen e “klanit të zemunit” dhe kontrabandistëve të cigareve  në emërimet  në Portin e Durrësit. Ajo që përbënë habi dhe tallje ka të bëjë me faktin që shumica e të punësuarve janë nga Skrapari,Dibra, Korça, Berati dhe qytetet e tjera dhe këta të punësuar, që nuk dinë as not dhe përherë të parë e panë detin, kur u punësuan nga Selimi i LSI-së. Të lësh durrsakët rrugëve dhe specialistët e portit jashtë gardhit rrethues është një turp i madh dhe një alarm që qytetarët e Durrësit nuk duhet ta harrojnë dhe të gabojnë duke votuar  LSI-në e çiftit Belortaja-Koka. Por le t’i kthehemi situatës skandaloze dhe babëzisë që ka pushtuar Autoritetin Portual. Për të manipuluar dhe mbuluar shkeljet ligjore dhe për të siguruar heshtjen tek ata persona me të cilët kryhen transaksionet e pista, APD në 2-3 muajt e fundit ka spastruar nga radhët e veta mbi 130 persona, duke rimarrë në punë persona të larguar me motivacionin “shpërdorim detyre”, apo  edhe persona të penalizuar, duke shkelur  ligjin dhe rregulloret e miratuara nga Bordi Ekzekutiv. Gjithashtu,  për  të siguruar heshtjen  dhe konspiracionin , kupola  drejtuese, ka  urdhëruar  Drejtorin  Ekzekutiv, të mos ketë asnjë kontakt me mediat. Komunikimi me mediat e pushtetit, do të bëhet vetëm përmes  e-mail-ve dhe personave  të jashtëm, po  ashtu edhe dhënia e reklamave, pa kaluar më parë nëpërmjet  zyrës së specialistëve të marketingut, të  cilët njihen me  ofertat  dhe tarifat  e çdo organi mediatik dhe pastaj bëhet miratimi tyre. Monopolizimi  i krejt strukturave  portuale, po ndodh në një kohë kur Prokuroria e Durrësit dhe Krimet e Rënda kanë disa muaj që kanë nisur çështjen penale për  ish-kupolën drejtuese  të APD. Abuzimi me paratë e portit po ndodh në një kohë kur hetuesit pothuajse çdo javë trokasin në zyrat e APD për  të  verifikuar dhe zbuluar detaje në vite bazuar në raportin e KLSH, mbi shpërdorimet dhe abuzimet. Diskriminimi  që APD po u bën “kundërshtarëve” për kontratat  e pista , punësimet politike , vënien e portit  në shërbim të qarqeve të përfolura për trafiqe dhe kontrabanda , tregon  natyrën  agresive  të kupolës së re drejtuese, dhe yryshin e paparë  të një grushti  njerëzish të pushtetshëm për  të  fituar  sa më shumë para. Porti  akoma shihet si “lopa” që duhet  mjelë  pa mëshirë, që duhet  shfrytëzuar  e duhet drejtuar  sipas interesave klanore, klienteliste dhe krahinore , dhe kjo  shihet  në hapësirat dhe produktivitetin  e menaxhimit  të  drejtuesve të  rinj,  që po përdoren  si  “masha”  për  të  lehtësuar  operacionet  dhe transaksionet e pista.  Një ditë ashtu si Ndreu edhe Selim Belortaja dhe ata që hyjnë e dalin nga zyra e tij apo me të cilët ai pi kafe buzë detit do japin llogari. Shteti do të vendoset duan apo nuk duan Selimët e LSI-së dhe “klanet e zemunit”. Gjynahet e tyre dhe të popullit që vuan për bukën e gojës  nuk mund tua lajë as perëndia dhe jo më  deti me emrin ADRIATIK ,të cilin ata e konsiderojnë si të tyren.