Durrës, antivlerat mjedisore kanë zaptuar oborret shkollore

711
Sigal

Drejtoria Arsimore, e patrazuar nga ky fakt tronditës për shëndetin e nxënësve

Shkollat e qytetit të Durrësit me zona të nxehta mjedisore para dyerve të tyre. Ky fenomen vihet re në shumë shkolla, por zonat që bien më shumë në sy janë shkolla 9-vjeçare jo publike “ Vincens Prendushi”, e njohur dhe si shkolla italiane, si dhe shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Të dyja këto shkolla ndodhen në një nga lagjet më të bukura të qytetit, në lagjen bregdetare të tij. Madje Shkolla e Mesme Artistike “Jan Kukuzeli” ndodhet vetëm pak metra larg bashkisë së qytetit, ndërsa tjetra në një shëtitore të së njëjtës lagje, në shëtitoren me emrin “Taulantia”. Deri këtu çdo gjë është normale, por jashtë normalitetit i nxjerr fakti që para këtyre shkollave janë krijuar nën hundën e autoriteteve 2 vatra tej ndotjeje masive me pasoja për shëndetin e fëmijëve. Dhe nëse janë krijuar prej vitesh, deri tani asnjë shqetësim nuk është bërë prezent në opinion as nga Drejtoria Arsimore Rajonale dhe as nga autoritet bashkiake.

NË SHKOLLËN “JAN KUKUZELI”

Para shkollës së muzikës në drejtim të portës hyrëse ka qenë bërë një rrethim i vjetër me llamarina për të nisur themelet e një pallati të ri. Ndërtim që u kundërshtua me situatë të tensionuar nga banorët e pallatit fqinjë deri në ndjekje gjyqësore. Mirëpo rrethimi me llamarina ka mbetur i pa hequr prej vitesh dhe tashmë që kanë filluar që të vidhen për skarp, kanë dalë në pah depozitime të shumta hedhurinash, të cilat janë me impakt në shëndetin e nxënësve. Dhe kontrasti është mjaft i ashpër për një shkollë që kultivon kulturë në breza që nxënësit e saj të kalojnë përmes plehrave dhe të mësojnë art “për të ngritur lart vlerat kulturore të qytetit”. Në foton që po paraqesim, tregohet qartë se, ku kalojnë çdo ditë këta nxënës për të shkuar drejt bankave që i pajisin me dije kulturore, duke zënë hundët me dorë nga dekompozimi i hedhurinave dhe mbeturinave gjithfarëshe.

NË SHKOLLËN “VINCENS PRENDUSHI”

E njëjta situatë është prezente edhe në shkollën “Vincens Prendushi”. Para saj ndodhet një gropë e hapur para shumë vitesh dhe e mbushur tërësisht me ujë. Gropa ka qenë e hapur shumë thellë, pasi do të hidheshin edhe atje themelet e një pallati shumëkatësh dhe ujërat në ‘të janë shumëvjeçare. Që nga viti 1997. Në brendësi të tyre janë dekompozuar shumë kafshë të shtypura nga makinat në rrugë dhe mbeturina të tjera. Nxënësit, siç shikohet edhe nga foto, kalojnë ngjitur me këtë batak, ndërsa dritaret e shkollës janë të mbyllura me grila, për ta izoluar sadopak këtë makth ekologjik në mes të një zone nga më piktoresket. Edhe në këtë zonë, ku ndodhet ky mikroliqen i ndotur kanë filluar që të vidhen llamarinat anësore që së paku e kufizonin rrezikun e rënies së fëmijëve.