Durrës, 8 janari data e fundit që banesat e ish-pronarëve të lirohen

579
Sigal

USHTROHET FORCË/ Dështon aksioni i policisë për nxjerrjen e familjarëve jashtë. Shpresa Veternikut i bie të fikët

Kanë shkuar për të nxjerrë forcërisht banorët në banesën nr.97 të lagjes nr.3 në Durrës, por janë detyruar për të ndërprerë aksionin pasi mësuesen Shpresa Veterniku, e cila nuk kishte se ku të shkonte veçse në mes të 4 rrugëve. Asaj i ka rënë të fiket. Gjuha i ka hyrë në fyt dhe policia është detyruar që ta dërgojë në spital. Atëherë, banorëve të terrorizuar nga varfëria dhe perspektiva e zymtë e jetës së tyre, u kanë lënë afat deri më 8 janar për t’u shkuar përsëri.

Ngjarja

Ditën e enjte një skuadron policie, sipas banorëve rreth 10 vetë, të shoqëruar nga punonjës të Përmbarimit dhe blerësit e banesës nga pronarët e vjetër, (një shtetas turk dhe një vendas) kanë shkuar në lagjen nr.3 të qytetit të Durrësit në banesën nr.97 në rrugën “Ali Rexha”, për të nxjerrë forcërisht banorët e strehuar prej vitesh më këtë banesë. Personat që duhej të linin banesën kanë qenë sipas Shoqatës së të Pastrehëve të qytetit të Durrësit, Shpresa Veterniku, Thoma Cimboku, Rexhep Alushi,Fatmira Vrapi, gjithsej 7 familje durrsake me rreth 25 frymë që banojnë në të. Megjithëse, banesa është një karakatinë, ajo është gjithçka për ta, pasi nuk kanë, ku të fusin kokën. Gjithashtu, nuk plotësojnë as kushtet që të marrin kredi. Thoma Cimboku tha se, kanë qenë orët e paradites kur kanë shkuar për t’i nxjerrë nga banesa. Para 10 ditëve, -saktëson Cimboku,- na kishte ardhur një zarf me postë për të dalë vullnetarisht nga shtëpitë. Në zarf, sipas rregullit zyrtar, duhej të ishte lajmërimi i parë për dalje vullnetare, por ne na i kishin futur të tre lajmërimet, duke na vëne para faktit të kryer. Ditën e enjte ata erdhën dhe na vunë para faktit të kryer. Cimboku tha se, “ne u thamë policëve se do të dalim pasi të na strehonte Bashkia. Po ata na u përgjigjen se nuk e njihnin fare Bashkinë! Me pas filloi rrëmuja në oborr dhe banesa. Papritur Shpresa që kishte dalë në oborr të merrej vesh me to, duke qenë në gjendje pa rrugëdalje nga halli, ku ishte, i ra të fikët. Njerëzit u shqetësuan shumë. Gjuha i kishte shkuar në fyt. Policia e mori me makinën e tyre dhe e dërguan në spital, ku i dhanë ndihmën e parë mjekësore. E shoqëroi gruaja ime deri tek urgjenca, ku e vunë në serum”. Ata u larguan, -thotë Cimboku, -duke na lënë si afat datën 8 janar për të na nxjerrë jashtë banese të gjithëve ne që jetojmë në banesa ish-pronarësh. Kjo ishte tentativa e dytë për t’i nxjerrë. Edhe më parë u kishin trokitur në derë dhe u kishin thënë që të dilnin më 30 nëntor. Pas kësaj dite të kontaktuara nga korrespondetët e shtypit, brenda një banese, ku bëhej një jetesë në kushte mizerabile, ku çfarë binte jashtë u pikonte edhe brenda, tre gra në vështirësi, folën plot mllef për gjendjen, ku i kishte lënë shteti i tyre.

Shpresa Veterniku: “Gjallë jo, nuk dal”

Mësuesja Shpresa Veterniku për “Telegraf”, tha: “Unë jam mësuese prej 36 vjetësh, jap mësim dhe jam 57 vjeçe sot që flasim. Jam kryefamiljare, lindur e rritur në këtë banesë, që është 1.75 e lartë, si një kotec, ndërsa im bir që është 18 vjeç është 185 i gjatë. Prej këtej më futen minjtë, ja krevatin e mbaj të mbyllur ditën dhe e hap natën se s’ka vend. Ka katër vjet që banesa është kthyer e pabanueshme, por bashkia nuk mori asnjë masë, ndërsa qeveria na ka vënë shkelmin. Kam nxjerrë breza të gjithë me nxënës, problemi më i madh ka qenë gjithmonë shtëpia, nuk kam mundur dot asnjëherë të thërras shoqet koleget e mia dhe nxënësit për vizitë në shtëpi. Unë ju shkoj në shtëpi atyre dhe më mbushet shpirti me lot, kur unë nuk di të pres njeri këtu. Ku të shkoj. Kam vetëm një rrogë mësueseje. Çfarë të bëjë shteti, se edhe ish-pronarët kanë marrë fuqinë e duan të na nxjerrin me dhunë, si njëherë moti do bëhet luftë me ta. Unë nuk dal do ta mbyll derën e hekurt dhe do mbyllem këtu. Gjallë jo, nuk dal”, tha mësuese Shpresa me lot në sy.

Rudina Elezi: “Nuk më japin as kredi”

Rudina Elezi, ka tre vajza, të treja në shkollë, është kryefamiljare, e divorcuar, punon banakiere, në të zezë, pa siguracione. “Po, ku të shkoj? Nuk dal jo, se kam tre vajza dhe nuk kam ku të rri, ku? Kam 25 vjet këtu dhe të na nxjerrin në rrugë neve katër femrave. Ja si thua ti? Bëhet kjo? Është e mundur? Më thuaj, se unë nuk kam kujt t’i drejtohem tjetër! Edhe këtu në këtë të vetme dhomë, ku rrimë, ku flemë e jetojmë, duan të na përzënë! Unë nuk iki jo, po nuk kam ku të shkoj! Kam shkuar tek Enti i Banesave e më thanë që nuk mund të marr as kredi, sepse jam në punë të zezë, me 200 mijë lekë të vjetra në muaj,  nuk kam asnjë mundësi tjetër”.

Merita Cimboku: “Të na nxjerrin me dhunë, ta provojnë!”

Merita Cimboku gruaja që shoqëroi në spital Shpresën tha: “Prej 45 vjetësh jemi strehuar në këto banesa, këtu u martova e këtu do të vdes! Ku të shkojmë? Thanë që do na nxjerrin me dhunë. Le ta provojnë! Po s’ka asnjë rrugë të mesme, sepse shteti para se të na nxjerrë në rrugë të na strehojë! Ne nuk kemi asnjë shtëpi, ndërsa ish-pronarëve shteti ju ka privatizuar shtëpitë e tyre në 1993. Tani edhe këto jua fali! Hajde t’i ndërrojmë!