Dunja Mijatovic: Të papranueshme sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në Shqipëri

557
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, tha sot se sulmet dhe kërcënimet e ditëve të fundit kundër gazetarëve në Shqipëri janë të papranueshme.
Më 2 qershor, Aurora Koromani, gazetare në gazetën “Gazeta Shqiptare” mori një kërcënim nga një militant islamik i dyshuar. Ajo e denoncoi kërcënimin në polici, e cila e vlerësoi si serioz dhe tani e ka marrë nën mbrojtje Koromanin.
Në një incident tjetër, më 4 qershor, një makine që i përkiste Enver Doçit, gazetar i televizionit “News 24”, iu vu flaka dhe u shkatërrua në qytetin e Burrelit, në veri të Shqipërisë.
“Këto sulme janë tërësisht të papranueshme dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për median e lirë”, tha Mijatović.
“Unë e vlerësoj faktin që autoritetet kanë nisur me të shpejtë hetimet për këto incidente dhe që policia po i jep mbrojtje Koromanit. Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhen lënë kurrë pa u ndëshkuar”.
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet në fushën e medias, në të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo bën paralajmërim të hershëm për shkeljet e të drejtës së shprehjes dhe lirisë së medias dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias.
Sigal