Dule Malindi në shoqatën “Vatra” këndon, “Mbeçë more shokë Mbeçë”

235
Këngëtari i njohur skraparlli Dule Malindi ishte mysafir në Vatër të Martën me 13 Mars 2018. Ai e filloi vizitën në mënyrën më origjinale; pa u ulur mirë ia nsi këngës “Demir Zyko, Demir Kënga”, me refrenin e dhimbshëm: “Mbeçë more shokë mbeçë…”:

Mbeçë, more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë
Falëm me shëndet nënesë,
Kàun e zi le ta shesë….

Zëri melodioz kumboi në Vatër dhe u shoqërua me duuartrokitje. Natyrisht ai nuk kishte ardhur për koncert në Vatër, thjesh imrpovizoi…. Ky ishte prezantimi i tij para mikpritësve vatranë.

E kisha ëndërr që të vizitoja “Vatrën”, tha ai për gazetën “Dielli” dhe tregoi motivin e kësaj vizite: – “Unë mbaj emrin e gjyshit. Ai quhej si unë, Dule Malindi. Ka emigruar herët në SHBA, dhe kur shqiptarët e Amerikës u bënë bashkë duke themeluar Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra” nën drejtimin e kolosëve Noli e Konica, ai pa hezitim,u bë pjesë e saj. Në shtëpi ruajmë relike të Vatrës, dëftesa të tij me vulën e Vatrës, që tregojnë kontributet e tij për çështjen shqiptare në emër të “Vatrës” dhe ndjehem krenar, që sot vij në këtë Tempull të Historisë së Shqiptarëve të Amerikës, si nipi i vatranit Dule Malindi….

Biseda rrjedh lirshëm me nga një gotë raki, sipas traditës shqiptare. Editori i “Diellit” shpalos për Malindin dhe shoqëruesit e tij Historinë e “Vatrës” dhe të “Diellit”, ndërsa Zef Balaj dhe Asllan Bushati plotësojnë bisedën, ndërkohë që Këshilltarit për çështjet e kulturës në “Vatër”, z . Gëzim Nika, i prezantoi mysafirit vizionin për veprimtaritë kulturore dhe ruajtjen e identitetit Kombëtar këtu në SHBA.

Kush është Dule Malindi?
Dule Malindi është këngëtar i njohur. Një klarinetist shqiptar që luan muzikën popullore, tipike të qyteteve jugore të vendit. Ai ka regjistruar një album për etiketën ‘Shqipja Master Studio’. Malindi është mjeshtër i interpretimit të këngëve të vjetra të trevave jugore, këngëve të dashurisë, kolazhe dasme, të mërgimit, të bukurive natyrore, këngëve me tematikë sociale etj.
*Në Nëntor 2013, Dule Malindi merr pjesë në Musikal-Fest 2013 me këngën “Labëri dhe Toskëri”, në bashkëpunim me Paro.
*Më datë 3 Shkurt 2015, Dule Malindi publikon videoklipin “Dashuri moj hallemadhe”, në bashkëpunim me Paro Ziflaj.
*Më datë 14 Korrik 2016, Dule Malindi publikon videoklipin “Kolazh dasme 2016”.
*Më datë 13 Maj 2017, Dule Malindi publikon videoklipin “Mall për vendlindjen”.
*Më datë 8 Korrik 2017, Elton Qeraj publikon videoklipin “Berat-Përmet-Skrapar”, në bashkëpunim me Dule Malindi.
* Më datë 12 Janar 2018, Dule Malindi publikon videoklipin “Rroftë vera dhe rakia!”.