Dukuri të Operacionit të Dimrit 1943-1944

1579
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Pjesëmarrja në luftime e brigadave sulmuese
Një dukuri e re gjatë përballimit të Mësymjes së Përgjithshme gjermane të Dimrit në Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër (Z. I Op) ishte pjesëmarrja në luftime e forcave të tri brigadave sulmuese. Forcat e Br. I S dhe gjithë forcat e Br. V, VI S, të cilat u krijuan në luftime e sipër dhe, sipas detyrës së vënë nga SHPUNÇSH, do të vepronin në rajonet ku u krijuan. Nga njëra ana, kjo krijoi një gjendje të re e më të lartë cilësore ushtarak në hapësirat e Z. I Op, por, nga ana tjetër, ajo ndikoi edhe në uljen e intensitetit luftarake të disa grupeve të zonës. Br. V, VI S u krijuan kryesisht me partizanë të grupeve partizane të kësaj zone, si dhe me luftëtarë të rinj. Disa batalione të tyre u rreshtuan në përbërje të brigadave. Por ato në tërësi ruajtën edhe strukturën luftarake të grupit dhe të batalionit, që e përbënin atë. Por, si forca luftarake ato kishin vetëm një bërthamë të vogël luftëtarësh, që nuk mund të kryenin detyra të rëndësishme luftarake. Gjithsesi, ato do të shërbenin si bazë për rikrijimin e rikompletimin e tyre në fazat e mëvonshme të luftimeve. Operacioni i Dimrit këto grupe i zuri në riorganizim e sipër dhe nuk u arrit që të plotësoheshin me efektiv. Prania e forcave të brigadave sulmuese në Z. I Op dhe kryerja e detyrave të përbashkëta luftarake shtroi nevojën e organizimit të një bashkëveprimi të hollësishëm në mes tyre. Për këtë edhe në çdo luftim të përbashkët u krijuan komanda apo shtabe operative, të cilat koordinonin veprimet luftarake. Krijimi i tyre ndikoi pozitivisht në ecurinë e veprimeve luftarake e veçanërisht për të mos lejuar rënien e forcave partizane në gjendje të vështira e në rrethim gjatë veprimeve krahë e shpinëmarrëse të armikut, kur ata arrinin të hynin si pykë në njërin a tjetrin drejtim, sikurse u veprua në luginën e Shushicës. Por bashkëveprimi u shtri edhe nëpërmjet forcave të brigadave dhe atyre territoriale në rajonin e veprimeve luftarake.
Veprime luftarake mbrojtëse dhe manovruese
Në kushtet e epërsisë së armikut në forca e mjete, si dhe për të shmangur dëmtimin e asgjësimin e forcave partizane, komanda e Z. I Op dhe ato të brigadave, duke u mbështetur në veprimet luftarake mbrojtëse, u dhanë atyre karakter të theksuar manovrues. Trupat kalonin në mbrojtje dhe kryenin veprime luftarake mbrojtëse vetëm për aq kohë sa e shikonin veten të aftë të përballonin armikun. Kur gjendja përkeqësohej, ato shkëpusnin kontaktin luftarak dhe dilnin në krahë e shpinë të armikut për të dhënë goditje të reja atje dhe atëherë kur ai nuk e priste. Mbështetur në detyrat e vëna, komandat partizane manovrimin e forcave e bënin kryesisht në krahinën e caktuar për veprime luftarake, në mënyrë që ajo të mos mbetej bosh dhe armiku të mos ta ndjente veten të qetë. Edhe kur Br. VI S u zhvendos në Frashër, në rezultat të presionit të forcave gjermane, ajo menjëherë në ditët e para të shkurtit u rikthye në zonën e Gjirokastrës, ku kaloi në veprime luftarake mësymëse për rimarrjen e zonave të pushtuara nga gjermanët e duke i spastruar ato nga forcat balliste. Për daljen e forcave në krahë e në shpinë të armikut, forcat në tërësi ruajtën kompaktësinë e tyre luftarake. Por kur gjendja ishte e vështirë dhe dalja në krahë e në shpinë të armikut me formacione kompakte ishte e pamundur, atëherë formacionet u copëtuan më tej gjatë luftimeve në Lunxhëri, apo forcat e Br. V S gjatë fazës së fundit të operacionit gjerman në luginën e Shushicës ku ato dolën edhe me grupe të vogla dhe arritën të bashkohen me formacionet e tyre, një pjesë edhe pas disa ditësh (10-15 ditë). Armiku në mësymjen e tij të përgjithshme nuk arriti të realizojë objektivat kryesore, atë të asgjësimit të forcave dhe të mjeteve të formacioneve partizane. Kjo u arrit në sajë të elasticitetit të forcave partizane, të njohjes së terrenit, të manovrimit të shpejtë, të mbështetjes nga populli dhe të zotërimit të situatës në tërësi, si nga forcat partizane dhe nga pushteti i prapavijave.
Bashkëpunim i hapur me gjermanët
Gjatë zhvillimit të Mësymjes së Përgjithshme gjermane të Dimrit 1943-1944, ndeshemi me një dukuri tepër të prekshme. Forcat e Ballit Kombëtar tashmë thuajse kishin kaluar plotësisht në bashkëpunim të hapur me forcat gjermane, jo vetëm për të administruar zonat e pushtuara nga gjermanët, por edhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në veprime luftarake krahas gjermanëve, apo duke kryer veprime luftarake në drejtime ndihmëse. Tashmë armiqësia në mes të dy grupimeve, atyre të LANÇ-it dhe të Ballit Kombëtar kaloi plotësisht nga lufta ideologjike në prag të ardhjes së gjermanëve në Shqipëri, në një luftë të hapur me armë. Nga njëra anë ishin forcat partizane dhe në anë të kundërt së bashku me gjermanët apo vetëm, ishin forcat e Balli Kombëtar. Kjo ishte një rrjedhojë logjike e qëndrimit të forcave të Ballit Kombëtar dhe veçanërisht e udhëheqjes së këtij formacioni politik. Lufta për pushtet, secilin grupim politik e kishte pozicionuar për të luftuar kundër njeri tjetrit. Por qëndrimi i Ballit Kombëtar, duke shkarë në kolaboracionizëm të plotë me gjermanët, përligji më së fundi veprimin e LANÇ-it, sepse ata tashmë nuk shtronin më problemin e luftës kundër Ballit Kombëtar, por, në tërësi, kundër forcave gjermane dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Balli Kombëtar, gjykonte se qëndrimi i tij pro gjerman do të nxiste gjermanët të pajisnin me armë forcat e Ballit Kombëtar për përplasjen e pashmangshme me forcat partizane. Udhëheqja e Ballit Kombëtar, thekson më tej studiuesi B. Fisher në qëndrimin e vet pro gjerman i përmbahej mendimit se ky bashkëpunim do t’i nxiste gjermanët të luftonin kundër kundërshtarëve të tyre. Por komanda gjermane kishte linjën e vet në qëndrimin politik e ushtarak. Kundërveprimi i fuqishëm i LANÇ-it me të hyrë forcat gjermane në Shqipëri dhe më pas ishte tregues i qartë se LANÇ-i do të luftonte kundër pushtuesit të ri me ashpërsi. Populli shqiptar kishte treguar dhe po tregonte se ishte i lidhur me LANÇ-in. Komanda e K-XXI, në një raport të vet do të pranonte se qëndrimi i popullit shqiptar është armiqësor ndaj Gjermanisë. Në këto rrethana, për të mashtruar popullsinë dhe për të larguar masat e gjëra nga LANÇ-i, si dhe për të tërhequr pranë vetes politikanë dhe përfaqësues të rrymave të ndryshme e me ndikim në shtresat e popullsisë, gjermanët përdorën taktika të holla dhe hodhën në përdorim kartën e “pavarësisë” së Shqipërisë, ndryshe nga Italia që, në fakt, bëri aneksimin e saj. Duke e vlerësuar LANÇ-in në Shqipëri si “komuniste” dhe në kuadrin e sigurimit të qetësisë në vend, synonte që në luftën kundër LANÇ-it të hidhte sa më shumë forca shqiptare. Për këtë komanda gjermane mori masa për organizimin e ushtrisë shqiptare, si dhe të xhandarmërisë, të cilat parashikonte t’i armatoste për t’i përdorur në luftë kundër partizanëve. Por në kuadrin e këtij organizimi komanda gjermane parashikonte edhe tërheqjen e çetave nacionaliste në luftë kundër komunistëve. Faktikisht gjermanët në Shqipërinë e Jugut kishin arritur të tërhiqnin në bashkëpunim për luftë kundër forcave partizane shumë çeta të BALLI KOMBËTAR. Me politikat që ndoqën gjermanët, patën rezultate të mira në hedhjen e elementëve të LANÇ-it kundër njeri tjetrit, arrin në përfundim studiuesi amerikan, duke arritur në fund të afronin ndaj vetes të gjithë, me përjashtim të partizanëve. I dërguari i posaçëm gjerman në Shqipëri, Herman Neubacher, thekson se Balli Kombëtar nuk u bëri asnjë qëndresë gjermanëve. Madje gjermanët morën garanci nga Mit’hat Frashëri se Balli Kombëtar, edhe pse ishte deklaruar kundër forcave të boshtit gjatë pushtimit italian, ai nuk do të ndërmerrte asnjë qëndrim armiqësor ndaj gjermanëve. Dhe një qëndrim të tillë pro gjerman, madje edhe në krahë të tij me armë që kishte filluar tashmë, ata e kishin legalizuar me vendim të KQ (i rivotuar në janar 1944 në Berat) me udhëzimin e tij më datë 7 tetor 1943, për të ndaluar çdo veprim armiqësor kundër gjermanëve. Dhe sikurse vë në dukje Fisher, këtij urdhri iu bindën thuajse të gjithë njësitë e Ballit Kombëtar. Dhe pikërisht, arrin në përfundim Fisher, periudha shtator 1943-janar 1944 është periudha kur Balli Kombëtar rrëshqiste në një kolaboracionizëm më të plotë se sa atë që kishin pasur me italianët.
Sigal