Dukë Habazaj, modeli social i kohës

1142
nga Albert HABAZAJ

Çdo vdekje është e hidhur. Edhe njerëzit e mirë ikin, sipas radhës, por ndonjëherë dhe padrejtësisht. Kështu na ndodhi me një njeri që na donte dhe e donim shumë. Dukë Habazaj u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare, goditur papritur prej një sëmundjeje të rëndë. U përcoll me nderime nga njerëz nga gjithë Shqipëria, në ditët e nxehta të qershorit, që ishte me mot krejt ndryshe e me lot e hidhërimi njerëzor. Ai iku por, mbahet mend emri i tij dhe ajo që la pas. Dukë Habazaj u përcoll me nderimet e merituara që i bëhen një intelektuali të spikatur, njohur e respektuar jo vetëm nga njerëzit e tij, jo vetëm nga qytetarët vlonjatë, por intelektualë e njerëz nga e gjithë Shqipëria, njerëz me të cilët kishte pasur lidhje pune në qytete të ndryshme të Shqipërisë, sepse ai ishte figurë e njohur në përmasa kombëtare, në fushën e tij, sikurse babai i vet në gjysmën e parë të shekullit XX. Dukë Gani Habazaj (1 maj 1942- 8 qershor 2017) ka lindur në fshatin Dukat të qarkut të Vlorës, më 1 maj 1942 në kohën kur i ati i tij ishte kryetar komune i zonës, por u arsimua dhe jetoi në qytetin e Vlorës. I përkiste një familjeje atdhetare, arsimdashëse dhe demokratike. Është i njohur fisi Habazaj në Labëri, Vlorë e në shkallë kombëtare, që nga stërgjyshërit e Dukës, si nga fisi i babait, ashtu edhe ai i nënës, njerëz që kanë udhëhequr luftërat në periudha të ndryshme, njerëz që u këndohen këngë. I ati i Dukës, Gani Iliaz Habazaj, ishte intelektual bashkëkohor, dha kontributin e vet si mësues i gjuhës shqipe brenda dhe jashtë vendit, patriot e përparimtar, qysh herët ishte i formuar si atdhetar i flaktë për çështjen kombëtare. Në këtë rrjedhë të pastër familjare, fisnike e atdhetare, prindërit e Dukës rritën e edukuan fëmijët e tyre (tre djem e tri vajza). Njihej si një familje qytetare, e cila dallonte nga të tjerat për pastërtinë, bujarinë e fjalës dhe të bukës, mikpritjen dhe dashurinë për dijen. Por fëmijët trashëgonin nga babai patriot pasurinë më të madhe: Bibliotekën e famshme të Gani Habazit, kulturën, zgjuarsinë dhe patriotizmin që ai kishte në gjak nga të parët dhe ua la si kapital intelektual fëmijëve. Duka eci në gjurmët e të atit. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm Universitetin për drejtësi, me një formim juridik për t’u admiruar në profesion, punoi si drejtues me përkushtim, në ndërmarrjen “Sodë – PVC” deri në 1991. Në 1972 u martua me Magë Meçi, bijë nga një familje e urtë intelektuale qytetare vlonjate. Lindën tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, të denjë për kohën që jetojnë, të dobishëm për shoqërinë, të plotësuar intelektualisht, që, me familjet e tyre gëzojnë fisnikërisht bukur jetën. Nga 1991-1997 mbajti postin e kryeprokurorit të rrethit gjyqësor Vlorë ku u spikat si një nga ekuilibristët e forcave politike, i cili edhe sot mbahet mend nga ish kolegët e tij për durimin, intelektin, mençurinë dhe autoritetin e tij. Më tej deri në ditët e fundit të jetës ushtroi profesionin e avokatit ku përsëri la gjurmët e tij si një profesionist dhe këshilltar i zoti. Dhoma e avokatisë e kishte nderuar dhe zgjedhur në kryesi pikërisht për cilësinë, zotësinë dhe virtytet e tij si një personalitet i shquar. Dukë Habazaj ishte një shtyllë mbështetjeje e duhur për të drejtën ligjore në shoqërinë tonë shqiptare ende në kërkim të standardit qytetar. Dukë Habazaj, i cilësueshëm për sjellje, kulturë, edukatë e profesionalizëm, kudo e kurdoherë mbajti rreth vetes miq e shokë të mirë e të virtytshëm. Përveç vlerave edhe virtyteve të tjera familjare, zakonore, qytetare e profesionale, edhe pse iku Dukë Habazaj, la modelin social të kohës. Shembullor, i shndritshëm, i paharrueshëm. Dukë Habazaj la kujtimet e mira që janë shprehje frymëzimi për familjen, bijtë dhe shoqërinë.
Sigal