Duhet të ndihemi të turpëruar që kishim një figurë diktatoriale si Enver Hoxha

739
Besim NDREGJONI

Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk nderojmë viktimën por nderojmë xhelatin. Rrëzimi i monumentit të diktatorit Enver Hoxha, ishte vendimtar sepse shqiptarët me këtë akt thyen frikën ndaj pushtetit 45 vjeçar. Por rrëzimi i këtij monumenti duhej që të shënonte edhe heqjen e simboleve të tjera komuniste të diktaturës ,por që fatkeqësisht janë harruar . Rrëzimi i monumentit duhej të ishte edhe një apel dhe ndjesë për qindra mijëra të burgosur, internuar dhe zhdukur nga diktatura e Enver Hoxhës. Fatkeqësisht Shqipëria kaloi nga diktatura fashiste, tek ajo naziste dhe e mbylli me diktaturën komuniste, e cila vriste këdo që dilte kundër ideologjisë së saj marksiste-leniniste. Diktatura me ideologjinë e saj solli varfëri, izolim dhe në fund gremina që hapi e gllabëroi atë brenda saj. Dua të theksoj se, ne shqiptarët nuk duhet të ndihemi nostalgjikë, por duhet të ndihemi të turpëruar për figurën e kriminelit Enver Hoxha, ashtu sikurse ndihen të turpëruar edhe popujt gjermanë dhe italianë me Hitlerin dhe Musolinin. Politika duhet të mblidhet dhe në radhë të parë të kërkojë ndjesë për krimet e komunizmit dhe diktatorit Enver Hoxha, pavarësisht kaheve ku militojnë, por ato nuk e bëjnë një gjë të tillë, se u intereson për vota, nëpërmjet të cilave mbajnë kolltukët e pushtetit dhe grabisin shtetin duke varfëruar qytetarët, ëndrra e të cilëve po pëson zhgënjim. Dhe ne ende nuk po bëhemi si gjithë Evropa apo si Amerika! .
Sigal