Drogë nga Greqia në Shqipëri, burg shtatë të arrestuarve, mes tyre dhe vëllai i shefit të qarkullimit Dibër

228

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg shtatë të arrestuarit e operacionit ‘Tranzit’, mes tyre edhe vëllai i ish-shefit të Qarkullimit Dibër.

Pasi prokuroria kërkoi ‘arrest me burg’ për të arrestuarit, të njëjtën masë caktuan dhe togat e zeza. Kështu pas hekurave janë Edmond Rajt, Pajtim Aga, Shkëlzen Mazari, Devis Mija, Fatjon (Paulin) Dodaj, Marsida Piperi, Arjet Halilaj.

Policia ra ne gjurmet e grupit kriminal pasi prokuroria e Dibrës kishte nën përgjim Agen, i cili dyshohej për një vepër tjetër penale.

News 24 raporton se i vetmi që pranoi se droga i përkiste atij ishte Shkelzen Mazari. Dyshimet janë se Aga dhe Rajta çuan drogën në shtëpinë e Mazarit. Nipi i këtij të fundit Devis Mija mori makinën dhe doli nga oborri i banesës policia e arrestoi 200 metra me tej. Ndërkohë, sasia tjetër e drogës u kap në Gjirokastër.

OPERACIONI

Më 18 janar Policia e Shtetit arrestoi 7 persona dhe sekuestroi 32.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa në formë çokollate gjatë operacionit të koduar “TRANZIT”.

Shtetasit e lartpërmendur kishin siguruar lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në shtetit grek, lëndë të cilën e kishin kaluar nëpërmjet kufirit nga Konispoli, nëpërmjet dy shtetasve me banim në Gjirokastër.

Me pas lënda narkotike do transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë.

Gjatë operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete.

Pas operacionit, u pezullua nga detyra shefi i qarkullimit Dibër Robert Aga, emri i të cilit doli edhe në përgjimet e publikuara nga Bild për zgjedhjet në Dibër.