Dritëro Agolli – Shëmbëllimi i Shqipërisë

768
Naum Prifti

Krijimtaria dhe jeta e tij janë pjesë e pandarë e unit shqiptar; sepse tek ai përmblidhen kapitujt e historisë sonë: koha e besimit në idetë komuniste, shkëputja nga Bashkimi Sovjetik, vetëdijesimi për reformim, guximi për ta pranuar vetveten.

Dritëroi tek “Zëri i Popullit”
Si një nga gazetarët më të përgatitur të gazetës “Zëri i Popullit”, Dritëroi shkruante reportazhe me tema nga kultura, arti, bujqësia, industria, ku lexuesi informohej për një segment te caktuar të jetës socialiste. Reportazhi që tërhoqi më shumë vëmendje si nga titulli, ashtu dhe nga përmbajtja ishte “Cile Muken e kam pranë dhe kulturën përkarshi”. Padyshim se ishte shkrim jashtë standardeve të gazetave të kohës. Personazhi i reportazhit, Cile Muka, ishte i zoti i kafehanes në pjesën e sipërme të qytetit të Gjirokastrës, diku pranë Qafës së Pazarit, ku ndahet rruga për të shkuar lart te Kalaja e famshme e Gjirokastrës. Me gjuhë shpotitëse, Dritëroi vërente kontrastin e madh midis gjallërisë së kafehanes së Cile Mukës që gumëzhinte prej myshterinjve nga mëngjesi në mbrëmje dhe qetësisë së shtëpisë së kulturës thuajse për karshi kafenesë, porta e së cilës rrinte mbyllur. As të rinj, as të moshuar, as burra, as gra nuk hynin aty, sepse nuk kishte askurrgjë që t’i tërhiqte, as shfaqje artistike, as koncerte, as ekspozitë. Dritëroi guxoi të shkruante një artikull të pazakonshëm për “karshillëkun” midis kafenesë dhe Pallatit të ashtuquajtur të kulturës, në një qytet të lashtë që thuhej se kishte tradita kulture. Me penën e tij të mprehtë, Dritëroi zhvishte himnizimet e thashethemet e sokakëve dhe e paraqiste qendrën e kulturës të Gjirokastrës, të heshtur dhe të fjetur. Shpotia e Agollit synonte të zgjonte nga dremitja pushtetin lokal në duart e të cilit kultura nuk mund të rivalizonte me kafenë e Cile Mukës.

Dritëroi në Pogradec
Ndërsa ndodhej në Pogradec si gazetar, një miku i tij e ftoi Dritëroin të shkonin për vizitë në një fshat ku mysafirët e largët e të nderuar do t’i priste në shtëpi kryetari i këshillit të kooperativës. Në fshatrat përqark Pogradecit e Mokrës ruheshin traditat e mikpritjes tradicionale shqiptare.

Dritëroi dhe shoku i tij shkuan për darkë te kryetari dhe tryeza u mbush me meze, me djathë e salcë, me llukanikë të fërguar – specialiteti i vendit – dhe natyrisht me gota e shishe rakie. Mikpritësit ngrinin shëndete e kthenin gotat për miqtë e largët dhe të ftuarit ua shpërblenin nderin duke ngritur dolli për mikpritësit dhe duke i kthyer gotat me fund. Për një hop kohe kryetarit i ra koka mbi tryezë dhe tha me zë të lartë: Obobo, u turpëruam me shokun Dritëro që na ka ardhur nga gazeta. Dritëroi e mblodhi veten shpejt dhe e ftoi të pinin edhe një gotë për njohjen dhe miqësinë e tyre të re. Darka zgjati me pije e biseda deri në orët e vona të natës. Kur jashtë nisi të feksi drita e hershme e agimit, Dritëroi kërkoi leje të dilte pak përjashta dhe pastaj u kthye sërish drejt shtëpisë. Kur pa një derë të hapur, u fut brenda dhe dalloi një tog misrash të xhvokshura, të cilin nuk e kishte vërejtur gjatë darkës, por mendoi se të zotët e shtëpisë do ta kishin sjellë aty për të fjetur. Pas një farë kohe, ai dëgjoi zërin e kryetarit të këshillit që mërmëriste “Obobo ç’u turpëruam me shokun Dritëro”, ndërsa miku që e kishte sjellë aty nisi ta qortonte:– More Dritëro, po a e di që e bëre me turp të zotin e shtëpisë? Kur doje më shumë raki, pse nuk na the të ta sillnim në sofër, po vajte u fute në qilar?

Dritëroi e sqaroi se në qilar nuk u fut për bidonët e shishet e rakisë, por për të marrë një sy gjumë dhe ‘incidenti’ kaloi me të qeshura.
“Më mirë përballë”
Pas një takimi të rastësishëm me pesë a gjashtë shkrimtarë, shëtitëm pak në qendër të kryeqytetit dhe pimë kafe te “Vollga”, një nga lokalet më të frekuentuar që shërbente si kafe të mira të stilit allaturka ashtu edhe ekspres. Dikush propozoi ta vazhdonim gëzimin e takimit me ndonjë gotë pije në Klubin e Ministrisë së Brendshme, pranë Teatrit Popullor. Njëri kundërshtoi me ngulm për të mos shkuar aty. –Pse jo?, e pyeti dikush tjetër nga grupi. –Sepse atje janë ata, – arsyetoi ai. Përemri “ata” nënkuptonte agjentët e fshehtë të sigurimit apo spiunët vullnetarë, sikurse i quanim shpesh midis nesh. Për një moment ra heshtja, të cilin e theu zëri i Dritëroit: “Atje do të vemi! Se është më mirë t’i kemi përballë, sesa anash, apo prapa kurrizit”. Thënia e tij “më mirë përballë se pas kurrizit” gjeti miratim nga gjithë grupi ynë, ndaj edhe e përsërisnim shpesh mes nesh.
Dritëroi në Kongres
Në vitet sapo ishte rrëzuar diktatura dhe kishin nisur ndryshimet demokratike, në Kongresin që ktheu Partinë e Punës në Parti Socialiste, Dritëroi u ngrit në këmbë nga rreshti në mes të sallës dhe doli në podium. Sapo mori mikrofonin në dorë theksoi, se Partia Socialiste duhej të ndryshojë konceptet në pajtim me kohën dhe t’i prijë transformimit në një rend demokratik. Ndërsa ai po fliste, salla filloi të mërmëriste dhe pastaj të ushtonte nga parulla e kohës: Parti-Enver, jemi gati kurdoherë! Dritëroi e ndërpreu fjalën dhe duke iu drejtuar sallës i bërtiti: “Kështu siç e keni nisur ju nuk keni për t’u rinovuar as për 100 vjet”! Dritëroi pati guximin të artikulonte pa frikë një kritikë të sinqertë dhe të hapur për konservatorizmin që ngulfonte Partinë Socialiste.
Dritëroi ne Bashkimin Sovjetik
Gjatë studimeve universitare në Bashkimin Sovjetik, Dritëroi u martua me një vajzë ruse, e cila ishte specializuar për letërsinë angleze. Pas acarimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, qeveria komuniste e Shqipërisë nisi t’u bënte presion gjithatyre që ishin martuar me “gra të huaja” të ndaheshin prej tyre dhe kështu u shkatërruan me dhjetëra familje në emër të pastërtisë ideologjike. Një mikut tim mjek i njohur ia quajtën gabim të rëndë që kishte shoqëruar bashkëshorten e tij deri në aeroport. Gjykimet e marra nuk i njohin kufijtë e zakonshëm të mirësjelljes familjare a shoqërore.

Dritëroi e ndau gruan ruse jo sipas formulës së zakonshme të divorceve të asaj kohe “për mospajtim karakteresh” por me gjasa se ajo donte të kthehej në vendlindje pranë prindërve të saj. Më vonë Dritëroi u martua me Sadijen dhe kishin dy fëmijë. Pas disa viteve, ish-bashkëshortja i dërgoi një ftesë për të vizituar Bashkimin Sovjetik së bashku me familjen e tij, vendin ku kishte kryer universitetin dhe ishte pajisur me kulturë. Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës Sadija, e shoqja e Dritëroit, ishte shemra e ish-gruas ruse, por zemërgjerësia dhe mirëkuptimi i saj meritojnë nderim dhe respekt. Familja e Dritëroit e kujton me kënaqësi takimin dhe mikpritjen e saj të përzemërt.

Dritëroi në Amerikë. 
Dritëroi me të shoqen Sadijen erdhën në Nju York ku kishin shumë shokë, miq e të njohur si Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Justina Aliaj dhe një sërë artistësh të tjerë. Unë e shfaqa idenë për një darkë me Dritëron tek miku dhe dashamiri Bruno Selimaj, i cili si mikpritës dhe simpatizantë i Dritëro Agollit propozoi të shkonim për darkë në restorantin Bruno. Ftesa e tij më gëzoi, sepse në restorant do të ftonim edhe disa shokë e miq të tjerë. Pasi hëngrëm në një nga sallat poshtë mbushur me gjithë të mirat, Brunoja propozoi të ngjiteshim në tarracë për një gotë. Biseda me Dritëroin kurdoherë rridhte me lehtësi, sepse Dritëroi ishte një bashkëbisedues i këndshëm dhe e kripte bisedën me shaka dhe qyfyre nga jeta. Për të na nderuar atje lart në tarracë erdhi edhe bashkëshortja e Bruno Selimajt, Kumrija, e cila i gjeti shpejt temat interesante të bisedave me gratë. Në orët e vona të natës kur filluam të dilnim nga restoranti dhe të përshëndeteshim, Sadija si kurdoherë e vëmendshme që Dritëroi të nderonte veten dhe familjen, e porositi: Dritëro, mos harro të takosh Kumrijen! Dritëroi paksa i turbulluar nga pija, pyeti: “Ç’thotë kjo mo? Po ku hip unë dot në pemë kështu si jam tani që të takoj Kumrijen? Me këtë episod komik u mbyll mbrëmja në Nju Jork dhe mbeti në kujtesë humori i tij.

Dritëro Agolli ka folur me zemër dhe ka thumbuar me mendje! Ai është shëmbëllimi i Shqipërisë i përjetësuar në vargjet e poezive dhe poemave, në heronjtë e romaneve dhe në stilin e përkthimit, në tingujt e këngës dhe në fabulat e tij sepse është “Biri i saj” (nga Poema Nënë Shqipëri).

Marrë nga iliriapress.com
Sigal