‘Dritëro Agolli’ dhe gjimnazistët e Tiranës

501
Në nder të kujtimit dhe krijimtarisë së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, Bashkia Tiranë ka vendosur të dhurojë për maturantët sete me veprat e tij
Maturantët e 16 gjimnazeve të Tiranës festuan të premten kurorëzimin me sukses të përpjekjeve të tyre disa vjeçare në rrugën e dijes. Festës së tyre, e cila u organizua në sheshin “Nënë Tereza”, iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në mënyrë simbolike në përfundim të ciklit të studimit dhe fillimin e një cikli të ri, u dhuroi atyre nga një set me librat e shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, si mënyra më e mirë për të përkujtuar gjeniun e letrave shqipe.
Krijimtarinë dhe kontributin e vyer të shkrimtarit, Dritëro Agollit, në letërsinë shqipe, Bashkia Tiranë ka zgjedhur ta përkujtojë duke shpërndarë veprën e tij te të rinjtë. Kryetari Veliaj, në takimin me maturantët e kryeqytetit theksoi vlerën dhe rëndësinë që vepra e Agollit mbart, ndërsa shpërndau për këta të fundit sete me libra të përzgjedhura nga krijimtaria e shkrimtarit.
“Menduam se mënyra më e mirë për të përkujtuar shkrimtarin tonë të madh, që u nda nga jeta pak kohë më parë, ishte që secilit maturant të Tiranës, përveç dëftesës, t’i dhuronim edhe një paketë të librave të tij, që shpresoj do t’i lexoni gjatë verës, do të frymëzoheni siç jemi frymëzuar ne, do të njihni disa mentalitete të Shqipërisë që, ndoshta nuk do t’u bjerë rasti t’i njihni personalisht, por do të bëni një udhëtim nëpër rreshta edhe nëpër vargje, që jam i bindur do t’u bëjnë qytetarë më të mirë, tiranas më të dobishëm dhe do t’ju bëjë profesionistë shumë më të aftë nesër, falë dijes që Dritëroi me kaq bujari e me kaq talent e shkriu në vargje”, tha Veliaj. Më tej, ai siguroi nxënësit që janë në prag të diplomimit se ky është vetëm njëri stacion drejt rrugës së arsimimit, përpara se ata të dalin në jetë dhe të kontribuojnë për familjen dhe vendin. “Dua t’ju uroj sukses edhe për vendimet që do të merrni. Disa prej jush do të vazhdojnë studimet në universitet. Shpresoj të shkëlqeni siç keni shkëlqyer në gjimnazet e Tiranës me pasionin, talentin tuaj. Realizimin e këtij projekti kryebashkiaku Erion Veliaj e ka marrë që në ditën e ceremonisë së lamtumirës së Dritëroit, pasi siç u shpreh ai, “një maturant nuk mund të quhet i pjekur, nëse nuk njeh vlerat kombëtare si Dritëroi” 

Ndërsa Elona Agolli në një opinion të saj ne rrjetin social facebook shkruan :
“E mbi të gjitha, faleminderit! E di që më shpesh priret çdonjëri nga ne, për të kritikuar e vënë në pah të meta, e më rrallë të lëvdojë veprat e mira, fisnikërinë dhe mendimin e mirë të njerëzve pasionantë e bukur të gatuar siç është kryetari ynë, i pari qytetar i Tiranës, Erjoni. Nuk është e thënë të bësh shumë zhurmë, t’i biesh fort tam-tameve e të ndërtosh fjalime të gjata. Nuk është e lehtë të mbash edhe premtime , kur qyteti frymë merr, gdhihet e ngryset, shumohet e pakësohet, e ai që ndjen më fort këto lëvizje është ai, i pari qytetar i Tiranës.
Ky premtim u mbajt dhe Erioni dëshmoi se përveçse të qenit i respektuar nga qytetarët pasi është njeriu i punës, është edhe i mençuri kryetar që lë gjurmë në respektin ndaj të mëdhenjve njerëz të kulturës, të punës së mendjes të cilët kanë bërë që Shqipëria të ketë më shumë dritë.
Jam e bindur që do të pasohet vitet në vijim kjo nismë me të tjerë autorë të dhuruar, autorë që bashkërisht me Dritëroin kanë ditur të lëvrojnë artin e madh, kanë ditur të ndriçojnë në kohëra të errëta, kanë ditur të ngrenë peshë në fluturim shpirtin e mjaft gjeneratave.
Sigal