‘Dritani donte të më merrte fëmijën dy vjeç, unë nuk doja të vazhdoja me të’

723
Sigal

Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Kavajës ishte e paralajmëruar.

Prej disa ditësh Marsida Qatjas kërcënohej nga i dashuri i saj Dritan Haxholli. Viktima 41 vjeç njihej në qytetin bregdetar si një njeri problematik dhe përdoruesi i lëndëve narkotike.

Haxholli kërkone me insistim që të vijonte lidhjen me Marsidën. Historisë së dashurisë do t’i shtohet edhe shefi i sigurisë së burgut të  Durrësit, Bledar Toçi. 31-vjeçari kishte marrë përsipër të zgjidhte konfliktin me Dritan Haxhollin, por që përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme për 41-vjeçarin.

“Situata doli jashtë kontrollit”– deklaroi Marsida Qatja në polici, ndërsa shtoi se, nuk kishte bërë denoncim pasi i trembej temperamentit të viktimës Haxholli.

“Ai ishte impulsiv. Nuk mund të vazhdoja të qëndroja më me të. Me Bledar Toçin njihesha prej vitesh dhe i kërkova ndihmë. Ai më ka ndihmuar bashkë me Xhuljo Biturku dhe Ermir Çela, të cilët janë komshinjtë e mi. Ata i ftova unë në banesë, pasi tërë ditën Dritani më kishte telefonuar duke më kërcënuar për jetën. Unë isha mësuar me një situatë të tillë por u tremba kur më tha se do të më merrte fëmijën 2-vjeç dhe për këtë kërkova ndihmën e Bledar Toçit. Kam tre fëmijë. 4 vite më parë u divorcova dhe nga ajo martesë kam dy fëmijë. Jam martuar dy vite më parë dhe burrin e kam në burg në Gjermani. Ai del pas pak muajsh, dhe kjo ishte arsyeja që nuk doja të vazhdoja më me Dritanin” – ka shtuar Qatja.

Ajo ka vazhduar me deklarimin se viktimën e kishte ftuar në banesë, duke i hapur edhe derën e jashtme.

“Fëmijët po flinin në një kat më sipër pasi, shtëpinë e kam duplex. I pari që qëlloi ishte ish-i dashuri im. Ai kishte në dorë një automatik duke lënë të plagosur Bledarin. Ky i fundit e la të vdekur në vend. E gjithë ngjarja ka zgjatur shumë pak dhe askush nga ne që ishim në banesë nuk e kishim imagjinuar një veprim të tillë të Dritanit. Ai ishte i divorcuar nga gruaja e tij dhe kishte një vajzë 13 vjeçe. Jam e sigurt se kur ka ardhur te banesa ime, Dritani ishte i droguar, pasi kohët e fundit ishte në gjendje të rëndë psikologjike”.

Gjatë kontrollit në banesë policia ka sekuestruar edhe një armë automatike me 28 fishekë 16 gëzhoja të kalibrit 9 mm dhe një armë zjarri e tipit Glock.

Gjithashtu dyshohet se në apartamentin e Marsidës të rinjtë të kenë konsumuar më herët lëndë narkotike duke i rënduar më tej pozitat e tyre para drejtësisë.