Drita Cankja: “Kemi 2 vjet pa tituj të rinj, problem, kthimi i librave që marrin qytetarët”

664
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Drita Cankja, drejtoresha e bibliotekës publike “Qemal Baholli” në Elbasan

Aktive si gjithmonë dhe dashamirëse për librin, drejtoresha e bibliotekës publike “Qemal Baholli”, Drita  Cankja në Elbasan, në një intervistë dhënë ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” sqaron, se kush është roli i bibliotekës publike dhe cilat janë problemet e saj. Drejtoresha flet dhe për planet e saj për ta përmirësuar ‘vendin e librit’ dhe gjithashtu thotë se, elbasanasit janë dashamirës ndaj librit pasi në këtë bibliotekë shkojnë të gjitha grupmoshat.

Zonja Cankja, cili është sot roli i bibliotekës publike në qytetin e Elbasanit?

Bibliotekat publike janë ashtu si bibliotekat kombëtare që mbledhin informacion, ruajnë informacion dhe transmeton informacione ndër breza. Neve furnizohemi me libra, por dhe me material të tjera që nuk janë pjesë e librit. Qarku ka ndihmuar për vite me radhë, duke na dhënë një fond me të cilin kemi blerë libra për vite me radhë. Gjithashtu, kemi marrëdhënie shumë të mira me fondacionet dhe me shoqatat e ndryshme. Madje shtetas të huajë dhe emigrantët në Gjermani apo Itali na kanë ndihmuar tej mase. Përmend këtu Marjeta Pozin, një italiane që ne kemi marrëdhënie shumë të mira me të, na ka sjellë libra mjekësorë që neve i kemi bërë kërkesë. Libra të tillë u nevojiten mjekëve të qytetit. Kemi marrë librin “Anatomia e njeriut”, një libër i kohëve të fundit, libra për sëmundjet e lëkurës etj..

Cilat janë problemet kryesore që ka biblioteka?

Pavarësisht arritjeve që kemi realizuar ende kemi nevojë dhe për shtesë fondesh, sepse fondi është i pamjaftueshëm. Këto dy vite kemi patur fonde minimale. Kjo nuk varet nga qeveria vendore, por nga qendrorja, e cila kohë e fundit nuk na ka dhënë fonde. Këtu tek ne çalon edhe diku tjetër puna. Kemi problem në kthimin e librave. Qytetarët i sjellin me vonesë, prandaj nëpërmjet gazetës tuaj ju bëj thirrje lexuesve elbasanas që ta kthejnë librin dhe të mos e harrojnë në bibliotekat e tyre personale, sepse libri do t’i shërbej brezave me radhë. Nëse të gjithë do ta mbanin librin në shtëpi, çdo të bëhej me bibliotekën tonë? Libri është një pasuri e përbashkët, që i shërben gjithë komunitetit. Bibliotekat janë “tempujt e dijes” dhe njëkohësisht janë ruajtëse, mbledhëset dhe transmetueset e informacionit në breza dhe për këtë arsye duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të respektojmë afatet e vendosura.

Sa e pasur në tituj është biblioteka e Elbasanit?

Nëse do ta vlerësoja bibliotekën tonë që është krijuar në vitin 1934, kanë hyrë mbi 200 mijë libra dhe materiale jo libra. Nga përdorimi i shumtë i librit kanë dalë dhe libra jashtë përdorimit. Sot në përdorim të komunitetit kemi mbi 135 mijë libra. Kjo tregon që biblioteka e Elbasanit është e pasur, sepse ajo ka vlera në themelet e veta. Kjo bibliotekë përmban në vetvete dhe bibliotekën personale të Lef Nosit dhe shumë akademikëve që kanë kontribuar në bibliotekën “Qemal Baholli” të Elbasanit. Periodiku më i vjetër në këtë bibliotekë është ai i vitit 1883, ndërsa libri më i vjetër është dhe ai i vitit 1526 që është  Apiani, ku në këtë libër flitet për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sa kohë ka që nuk është furnizuar me libra kjo bibliotekë?

Prej dy vjetësh nuk është furnizuar me libra, vetëm me dashamirësinë e kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini që hapi një fond furnizimi me libra, ku u morën pak libra të rëndësishme. Komuniteti i Elbasanit është shumë dashamirës i librit, çdo ditë biblioteka është plot. Elbasani ka nevojë për një bibliotekë më të madhe nga kërkesat që ka. Hapja e rrugës Elbasan- Tiranë ka bërë që kërkesat të shtohen. Ne kemi persona nga qytetet të ndryshme sidomos nga Tirana që punojnë me librat e bibliotekës tonë. Vijnë, sepse këtu kemi periodikun e vjetër më shumë vlerë që daton në vitin 1883 dhe libra të vjetër, libra me vlera të personaliteteve kombëtare, që kanë bërë jetë patriotike, intelektuale, që e kanë pasuruar bibliotekën. Se biblioteka bërthamën e ka nga albanologjia dhe nga intelektualë të ndryshëm të Elbasanit, por bërthamën kryesore e ka nga Lef Nosi.

Çfarë keni sjellë ju ndryshe për këtë bibliotekë?

Jam munduar që në bibliotekë të kem sektorë të ndryshëm si ai i klasifikimit, bibliografisë, informacioni, interneti. Por unë pres që të bëj dhe më mirë, për shembull të vendos kamera pasi biblioteka ka materiale me vlerë dhe ka një pasuri të çmueshme. Biblioteka e Elbasanit është e treta nga përmasat pas bibliotekës kombëtare dhe asaj të Shkodrës për nga vlerat që bart në fondin e saj.

 Duke qenë e fushës sipas mendimit tuaj, cilat janë problemet e letërsisë së sotme shqiptare?

Elbasani ka një gjuhë të mirë dhe të bukur që duhet të ruhet e patër se ka shumë vlera. Doja të thoja që dhe gegërishtja ka bukurinë e vet dhe transmeton atë emocionin, ato ndjenja nëpërmjet fjalëve dhe pasurimit të saj. Nuk jam kundra gjuhës letrare kombëtare, por them që gegërishtja duhet të eci paralelisht me gjuhën letrare kombëtare. Elbasani ka patur fatin që ka patur një kryetarë të lidhjes së shkrimtarëve shumë aktiv, Milianov Kallupin, familja dhe gjithë Elbasani ka patur një humbje të madhe për këtë poet, sepse ka qenë një organizator i shkëlqyer, një bashkëpunëtor i shkëlqyer me bibliotekën publike, me të cilën organizonin aktivitete dhe ju jepej shumë rëndësi talenteve të reja.