Drejtuesit me diploma fallco, pastruesja me gjuhë të huaj

1225
Pyesim: Çfarë detyre do të kryej ky “punëtor mirëmbajtës”, që po i kërkohen diploma e listë notash, gjuhë e huaj, notë e lartë mesatare diplome, aftësi marrëdhëniesh me publikun e lloj-lloj broçkullash?!! Përse vallë, duhen gjithë këto kritere qesharake për një vend pune “punëtor mirëmbajtës”, kur nuk kanë lidhje as me përdorimin e kovës dhe fshesës së pastrimit, as me vaditje-prashitjen e luleve, as me zbrazjen e koshit të letrave, bishtave të cigareve të zyrtarëve, as me heqjen nga tavolinat të shisheve të Uiskit, as me lyerjen dhe riparimin e mureve, as me larjen e makinave të zyrtarëve, as me pastrimin e cergave të dyerve, dritareve e tavolinave të zyrave që hapen 1 herë në muaj?!
Ndërsa në krye të administratës dhe shumë shërbimeve të shëndetësisë në Shqipëri, që nga ministri, stafi i ministrisë e deri tek 60% të drejtorëve dhe përgjegjësve të qendrave shëndetësore janë emëruar individë jo vetëm jashtë profesionit të mjekut, por edhe me diploma për agronomi, mësuesi, marangoz, baxhoxhinj e violinistë dhe persona me diploma false, në sektorin e shërbimit shëndetësor në Tepelenë ka ndodhur “çudia” me plotësimin e vendeve të punës që krijohen, ose janë “vakant”. Çfarë ndodh? Në një njoftim publik zyrtar, të shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike Nr. 51, datë 28 dhjetor 2015, Drejtoria e Shëndetit Publik të Rrethit të Tepelenës, njofton se kërkon të plotësoj 1 vend të lirë pune në pozicionin “punëtor mirëmbajtës” në shërbimin e Shëndetit Publik! Nuk e kemi fjalën, se përse kjo drejtori nuk shpall llojin e pozicionit të punës që do të kryej punëtori mirëmbajtës që do merret me konkurrim. Por e kemi fjalën për diçka tjetër, që tingëllon sa absurde, aq edhe komike, mbasi është sa për të qeshur edhe për të qarë. Ndërsa atyre që drejtojnë shëndetësinë, nuk u kërkohen kritere emërimi e punësimi por vetëm një “copë karton” me logon “diplomë (h)universiteti” që nuk verifikohet nëse është e saktë apo jo, Drejtoria e Shëndetit Publik në Tepelenë, shpall njoftim punësimi të asaj derexheje, që 2 ditë përpara Vitit të Ri e deri sot, ka gajasur e po gajas me të qeshura gjithë miletin që e ka lexuar, duke kërkuar punëtor mirëmbajtës me diplomë, me “CV” e madje edhe me gjuhë të huaj, me kusht që të jetë zotërues i një 1 gjuhë të huaj të vendeve të BE. Nuk e dimë, se çfarë gjuhe preferohet të ketë “punëtori mirëmbajtës” që do të punësohet në Shëndetësinë e Tepelenës, por dimë faktin që nëse hapen “letrat”, thuhet se brenda këtij shërbimi ka punonjës që u duhet vënë si kriter jo universiteti e shkolla e mesme, por shkolla 8 vjeçare, paçka se figurojnë me diploma të lëshuara nga universitete “SUDE”, që jepnin karton-diploma me klering çimento, dru zjarri, keca, mullar bari, voza djathi e fasule! Mos u çuditni, por absurdi dhe komikllëku, shkon deri atje, sa atij që do konkurroj për vendin e punës “Punëtor-mirëmbajtës” në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Tepelenës, i kërkohet të ketë edhe “CV”, ku të shënoj gjithë karrierën e tij. I kërkohet të njohë mirë marrëdhëniet me publikun, pra të jetë i aftë për të punuar dhe të tregoj zotësi si orator për të komunikuar në grup. Madje i duhet të zotëroj mirë 1 nga gjuhët e huaja të vendeve kryesore të BE. Madje i kërkohet të njoh dhe zotëroj mirë gjithë programet e kompjuterit. Madje, punëtorit mirëmbajtës, i kujtohet se i kërkohet si avantazh edhe mesatarja e lartë e notës, vërtetuar me listë notash që do shoqërojnë diplomën e noterizuar. Kujtojmë, që i vetmi kriter që është “harruar” është harruar të vihet në këtë njoftim punësimi për “punëtor mirëmbajtës” është pamja fizike, por ndoshta e dinë se cili do ta fitoj këtë vend pune! Këto janë kriteret që ka vendosur drejtoria e Shëndetit Publik në Tepelenë, për të punësuar një punëtor mirëmbajtës, që në njoftimin e shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike, nuk dihet se çfarë do të… mirëmbajë! Pyetja që bëhet, pas këtij qyfyri është kjo: – O ju “profesorë” drejtues të Shëndetit Publik të Tepelenës, o ju “filozofë” të Ministrisë së Shëndetësisë, o ju “specialistë” të Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) që publikoni njoftime të tilla, duam të dimë, se çfarë detyre do të kryej ky “punëtor mirëmbajtës”, që po i kërkohen diploma e listë notash, gjuhë e huaj, notë e lartë mesatare diplome, aftësi marrëdhëniesh me publikun e lloj-lloj broçkullash?!! Përse vallë, duhen gjithë këto kritere qesharake për një vend pune “punëtor mirëmbajtës”, kur nuk kanë lidhje as me përdorimin e kovës dhe fshesës së pastrimit, as me vaditje-prashitjen e luleve, as me zbrazjen e koshit të letrave, bishtave të cigareve të zyrtarëve, as me heqjen nga tavolinat të shisheve të Uiskit, as me lyerjen dhe riparimin e mureve, as me larjen e makinave të zyrtarëve, as me pastrimin e cergave të dyerve, dritareve e tavolinave të zyrave që hapen 1 herë në muaj?!! Ajo që duhet bërë urgjent, mendojmë se është ky veprim: Të verifikohen diplomimi, aftësitë profesionale, aftësi drejtuese dhe komunikimi, zotërimi i gjuhëve të huaja, aftësitë në zotërimin e programeve kompjuterike (Jo FB, lojëra shahu, letrash bixhozi etj, etj) për ata që janë në krye të shëndetësisë dhe jo për ata që do pastrojnë koshat dhe zyrat e këtyre drejtuesve!
Sigal