Drejtuar Kryeministrit, Ministrit të transportit, Deputetit të zonës dy vjet më parë

609
Për këtë letër kanë ardhur dhe dy shkresa :

1- Kryeministria -Nr.2689/1 datë 24/04/2015 -Drejtuar-N/prefektit të Pogradecit, Autoritetit Rrugor Shqiptar.
2- Ministria e Trasportit -Nr.2381 datë 29.04.2015 -Drejtuar Fondit Shqiptar të zhvillimit, dhe për dijeni -z.Ana Rafti drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun, kryeministri.

Vetëm këto dy shkresa, më shumë njëri tjetrit dhe kaq, më tutje heshtje, heshtje dhe ja ku jemi sot e njëjta gjendje. Unë dhe k/pleqtë e këtyre fshatrave duam t’ua kujtojmë dhe një herë tjetër këtë letër. Ja letra:

Ne që po ju shkruajmë jemi banorët e tre fshatrave në zonën e Mokrës, Rrodokal Sipër, Rrodokal Poshtë dhe Homezh. I njëjti shqetësim është dhe për fshatin Katjel, por që nuk është në zonën tonë. Zgjedhjet po afrojnë dhe ju të nderuar zotërinj po përgatiti të vini dhe të na kërkoni votat si gjithnjë.

Por meqë keni më se dy vjet që nuk keni shkelur në këto anë duam t’u bëjmë të ditur disa shqetësimet tona që këtë herë duhet të mendoji mirë kur të vini dhe nga ana tjetër t’u njoftojmë se vetëm me xhipa shumë të lartë mund të arrini tek ne.
Zotërinj!
Kjo treve prej katër fshatrash me një popullsi sot me rreth 5000 banorë është aty që në shekujt e parë p.e.s. Është aty dhe ka luftuar për mbrojtjen e këtyre trojeve me Romakët, Sllavët, Grekët, Serbët, Bullgarët, Turqit, Fashistët, Nazistët e deri më sot me armikun më të fuqishëm që është varfëria. Këtë popull nuk kanë mundur ta asimilojnë as shpata, as pushka, as torturat e as sistemet e ndryshme politike e ekonomike. Ai ka luftuar dhëmb për dhëmb me të keqen. Edhe pa bukë, dhe i vrarë e i prerë, i syrgjynosur në maxhirllëket bullgare e sllave ai nuk e ka lënë vendin e tij, tokën e Fismbretit e të Mokrës. Ai është betuar që në kohën e Kapedan Argjevinit për “Dheun e Mokrës”, për “Dheun e Fismbretit” dhe i qëndron dhe sot e kësaj dite këtij betimi. Mbi këtë pjesë të vogël të tokës Arbërore jeta është e hershme,vendbanimet prehistorike të Rrodokalit, Selcës, Homezhit, Katjelit e tregojnë këtë. Kjo trevë është e bekuar nga zoti ndaj dhe njerëzit janë aty dhe nuk largohen pavarësisht nga politikat e kundërta që bëhen. Ajo është e bekuar se është e pasur nën tokë e mbi tokë. Rezervat e shumta të hekurit në Katjel e Rrodokal, ato të kromit në Katjelicë, Rrodokal e Homezh, të qymyrgurit në Homezh e të tjera kanë tërhequr banorët që në antikitet e deri sot të banojnë aty. Ato kanë qenë baza e zhvillimit prehistorik të këtyre fshatrave. Por nga ana tjetër këto rezerva kanë shtuar dhe oreksin e parive e qeverive për t’i shfrytëzuar ato, madje për t’i grabitur ato dhe me e keqja pa lënë as një gjurmë investimi aty. Toka pjellore e punueshme sot rreth 1000 ha, pyjet, ujërat natyrale, prodhimet bujqësore e blegtorale, klima e ngrohtë e të tjera janë resurse të pa zëvendësueshme për jetën e këtyre njerëzve që me pak ndihmë mund të kthehen në rezerva të mëdha të ardhurash për ta. Hekurin, kromin me nuanca të dukshme floriri, qymyrin e këtyre fshatrave njerëzit këmbëzbathur, me kafshë dhe shpesh në kurriz e kanë nxjerrë për të shitur që në ekzistencën e rrugës “Egnatia”, në kohën e Turkut, të Zogut e më mbrapa. Ne jemi dëshmitarë që shteti komunist i shfrytëzoi barbarisht këto burime. I kemi akoma në vesh shqetësimin që na krijonin boritë e skodave të pa fund që ngarkonin hekur, krom dhe qymyr. I gjithë Pogradeci e zona për rreth dyndeshin në vjeshtë në dy Rrodokalet për speca, rrush e ç’do gjë tjetër aq sa as për vete nuk u mbetej gjë. Gjithë prodhimet bujqësore, blegtorale të ish kooperativës shkonin në shtet. E çfarë ka ngelur për këto fshatra? Asgjë, përveç një rruge të ngushtë me gurë që sot është copë-copë. Edhe pas viteve nëntëdhjetë e deri më sot vazhdon e njëjta histori dhe me keq akoma. Të gjitha këto pasuri i rrëmbeu privati duke lënë prapa shkatërrim e mjerim. Pra populli i kësaj zone kaq të pasur dhe sot mbas dymijë vjetësh ecën këmbëzbathur mbi hekurin, floririn e kromit, qymyrin e të tjera në kërkim të mbijetesës. E sikur nuk na mjafton kjo por së fundmi, këta njëzet e shtatë vjet demokraci partitë e qeveritë e tyre, jo vetëm u bëjnë karshillëk, por në mënyrën më ekstreme tallen me ta. Për çdo fushatë vijnë premtojnë (gënjejnë) marrin votat e ikin. Kur u duhen prapë kujtohen se ka ca njerëz dhe në këto fshatra dhe që duhen gënjyer prapë. Paradoksi është se ky popull kërkon vetëm një mundësi, një rrugë për të punuar dhe vënë në eficiencë maksimale tokën e tij. Sa pak për një qeveri të popullit. Ka shtatë a tetë vjet që ka filluar puna për të shtruar rrugën qafa e Zhgllapit (Zhellarit) deri në Rrodokal Sipër.

Gjatësia e saj është 8133.5 ml, sipas projektit të miratuar:
Koha e fillimit të punimeve në këtë rrugë është data 09.09.2009.
Periudha e zbatimit të punimeve është 365 dit.
Afati i përfundimit të këtij projekti është data 08.09.2010.
Vlera e investimit është rreth një miliard lekë.
Gjendja faktike deri më datën 15.04.2015 është kjo:
Është thuajse e përfunduar rreth 3000 ml dhe kjo e filluar nga e kundërta dhe, nëse agonia e saj vazhdon, kjo rrugë duhet filluar nga fillimi.
Janë harxhuar 29.588.233 lekë.
Eh, si thoni zotërinj qeveritarë, a kemi të drejtë të mendojmë se pavarësisht votave jo të pakta që kemi e krahut nga votojmë, ju talleni me ne?!
Sigurisht që dhe durimi e ka një kufi. E në këto kushte ne menduam që me anën e kësaj letre t’u a sjellim në vëmendje por dhe t’ju kërkojmë se kjo rrugë duhet të përfundojë sa më shpejt, 5000 ml janë. Kur të vini për vota të na garantoni vazhdimin e këtij projekti.
Duam vëmendjen e kryeministrit.
Në të kundërt edhe ne do ta shohim qëndrimin tonë ndaj jush dhe ç’do parti e qeveri që do vijë në pushtet.
Shpresa vdes e fundit.
Përshëndetje nga populli i kësaj treve përfaqësuar nga krye pleqtë tanë. 
(Emra mbiemra)
Redaktuar dhe përgatitur për botim në gazetë, Guri Bego.
Rrodokal me 15.04.2015
Sigal