Drejtorja e Ujësjellësit Vlorë, vulos e firmos 2 vendime të kundërta brenda ditës, me 1… numër protokolli

693
Skandali (jo i vetmi) ka ndodhur në ndërmarrjen e Ujësjellësit të Vlorës, madje me vulë e firmë të drejtores Varvara Gjika. Bëhet fjalë, për shërbimin e ruajtjes fizike me roje private, të objekteve të kësaj ndërmarrjeje, i cili nga shërbim ligjor, prej 1 viti nga lidhja e kontratës në datën 10 prill 2014 e deri sot, po trajtohet si pazar interesash private, që komandohet e menaxhohet nga drejtorja Gjika. Gazeta “Telegraf” disponon shkresa zyrtare që provojnë skandalin lidhur me shërbimin e sigurisë fizike me roje private në këtë ndërmarrje. Konkretisht, në datën 3 mars 2015, pa mbledhur asamblenë e ndërmarrjes së Ujësjellësit Vlorë (nuk ka procesverbal mbledhjeje për vendim-marrjen), me shkresën Nr. 267 prot., drejtorja Varvara Gjika njofton shoqërinë e sigurisë private “Oktapus”, që brenda datës 6 mars 2015, duhej të ndërpriste shërbimin e rojës dhe të largonte personelin e rojeve nga objektet e kësaj ndërmarrjeje, duke shkëputur marrdhëniet kontraktuale. Shoqëria e sigurisë “Oktapus”, ka reaguar ndaj këtij njoftimi, ose më saktë ndaj urdhrit të lëshuar nga drejtorja Varvara Gjika, duke kërkuar që njoftimi të ishte i shoqëruar me vendimin sipas ligjeve ë fuqi dhe me shkaqet e ndërprerjes së kontratës së shërbimit. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, drejtorja Varvara Gjika, pas reagimit të shoqërisë së rojeve private “Oktapus”, në drekën e datës 3 mars 2015, ka njoftuar shoqërinë në fjalë, se njoftimi i mëngjesit i datës 3 mars 2015, ishte anuluar dhe se, shoqëria mund të vazhdonte shërbimin e sigurisë në këtë ndërmarrje, duke i lënë rojet në objekte. Skandali qëndron në faktin, që anulimi i urdhrit të datës 3 mars 2015, brenda paradites së datës 3 mars 2015, ka të njëjtin numër protokolli: 267 dhe të dy urdhrat janë firmosur e vulosur brenda ditës nga drejtorja Varvara Gjika. Dhe skandali vazhdon me faktin që për të përligjur anulimin e njoftimit, urdhrit, vendimit apo pazarit shkresor (kështu mund të quhet ky fakt), drejtorja Gjika e quan shkresën anuluese me këtë përcaktim: “Shtesë Nr. 2 e kontratës”. Sa për konkretizim, kujtojmë që në nenin nr. 1 të kësaj shtesë kontrate, drejtorja Varvara Gjika miraton vazhdimin e kontratës së shërbimit të ruajtjes fizike të Ndërmarrjes së Ujësjellësit me firmën kontraktuese, mbështetur në zbatim të kontratës së parë shtesë Nr. protokolli 38, datë 19. 01. 2015. Ndërsa në nenin nr. 2 të shtesës të kontratës, drejtorja urdhëron e përcakton, se ky shërbim prej firmës private, do të vijojë por me çmim ditor 19 mijë e 538 mijë lekë. Nuk e dimë, nëse janë caktuar e janë ekzekutuar “çmime e pagesa të tjera” jashtë kësaj kontrate nën tavolinën e drejtores Varvara Gjika për këto dy vendime të vulosura e firmosura në të njëjtën datë, me të njëjtin nr. protokolli (267), me të njëjtën drejtore që ka firmosur por me përmbajtje të kundërta (JO dhe PO), por dimë faktin që jemi përballë një skandali ligjor e administrativ, që kërkon veprim urgjent prej drejtësisë, për të nisur një hetim ngritur mbi këto 10 pyetje: 
1. A lejon ligji që brenda një dite, një institucion të marrë dy vendime të kundërta për të njëjtën çështje? 
2. A janë marrë këto dy vendime, në përputhje me statutin e asamblesë së ndërmarrjes? 
3. A është mbledhur asambleja e ujësjellësit, 2 herë brenda ditës, për të njëjtin vendim dhe nëse po, përse dhe si i ka motivuar këto dy vendime të kundërta? 
4. A ka proces-verbal të 2 mbledhjeve të asamblesë së ujësjellësit? 
5. Mbi çfarë motivi është kërkuar ndërprerja e kontratës së shërbimit nga firma private, nga cilët dhe nga sa anëtarë të asamblesë është kërkuar?
6. Po mbledhja e dytë e datës 3 mars 2015, që ka anuluar vendimin e parë të datës 3 mars 2015, nga cilët anëtarë të asamblesë është kërkuar dhe për çfarë motivi? 
7. A e lejon ligji, të bëhen shtesa kontrate brenda kontratës 1 vjeçare që është nënshkruar nga palët me afate e çmime, sipas të drejtës së fituar me prokurim të miratuar nga komisioni ndërmarrjes dhe nga APP?
8. Përse në dy vendimet e kundërta të firmosura në të njëjtën ditë nga drejtorja Gjika, mungon citimi i vendimit të asamblesë së ndërmarrjes?
9. Përballë shumë skandaleve të publikuara të kësaj drejtoreje, kush është mburoja?
10. A ka ardhur momenti, që prej drejtësisë, të hapet dosja e krejt veprimtarisë administrative të drejtores së Ujësjellësit të Vlorës, nëse po kur? 
Sigal