Drejtorja e re flak në rrugë specialistët e ndërmarrjes “Sëpatë” politike në Postën e Elbasanit

527
Sigal

Ajo që po ndodh në të gjitha qytetet e vendit me institucionet dhe ndërmarrjet e shtetit,  po ndodh edhe në qytetin e Elbasanit, largimi politik jo vetëm i të paaftëve, por drejtuesit  e rinj për hatër të politikës, nuk po kursejnë edhe profesionistët. Konkretisht në filialin e Postës së Elbasanit, drejtoresha e re e këtij  institucioni, vetëm pas pak ditësh që ka marrë emërimin, ka flakur në rrugë (apo duke i transferuar 2 orë larg qytetit si ndarës zarfesh) të gjitha gratë e sporteleve që shërbenin prej vitesh dhe që ishin specializuar nëpër seminare për profilin e tyre. Por sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm 24 orë më pas, drejtoresha e re, ka flakur në rrugë edhe postierët, duke mos u thënë as atyre motivacionin e duhur. Të larguarit janë mbledhur, dhe kanë trokitur në derën e drejtoreshës së re, e cila brenda 20 sekondave u ka dhënë përgjigje ankesave duke u thënë se, “ju jeni punësuar në kohën e PD, tani do të rrini ca vite pushim”. Të larguarit janë të gjithë kryefamiljarë, por edhe profesionistë të filialit të Postës së  Elbasanit, të marrë në punë sipas kritereve dhe konkurseve që janë zhvilluara nga DPPSH në Tiranë. Sipas burimeve nga ky filial, mësohet se pjesë e kontingjentit të personave të larguar, janë edhe disa prej atyre që njihen si “militantë socialistë”, por që drejtoresha e re nuk e ka marrë parasysh këtë fakt  që ata mund t’i mbante në vendin e punës. Përderisa ata janë punësuar në 8 vitet e qeverisjes së PD-së, duhet të largohen- është shprehur drejtuesja. Ajo që po ndodh, si kudo, edhe në filialin e Postës në Elbasan është skandaloze. Duke gjetur si shkak “transferimin në një qytet  tjetër, apo komunë të largët”, po largohen politikisht (duke mos kursyer edhe pastrueset) të gjithë njerëzit e duke i zëvendësuar ata  me listat emërore të ardhura nga selitë e partive të majta të koalicionit fitues të 23 Qershorit. Nga ana e tyre punonjësit e larguar janë shprehur të indinjuar për këto veprime arbitrare dhe antiligjore, dhe kanë deklaruar se, “do t’i drejtohemi rrugës ligjore për të vendosur në vend padrejtësinë arbitrare të bërë nga  drejtoresha e re e Postës, duke kërkuar rikthimin në vendin e punës”. Në Gjykatën e Elbasanit dhe atë Administrative, janë regjistruar deri tani mbi 540 padi ndaj drejtuesve të rinj dhe vendimeve të tyre për largimin nga puna me motivacione politike. Gjithsesi pritet që gjyqet të fitohen nga pala e dëmtuar, dhe shteti të dëmshpërblejë financiarisht, madje edhe të rikthejë në detyrë personat e larguar. Kjo pasi ligjërisht kush ka një vendim gjykate dhe ka fituar duelin në organet e drejtësisë me institucionin e shtetit, ky i fundit detyrohet ta rimarrë atë person në punë.