Drejtoria e Postës zbraz Buxhetin e Shtetit

635
Sigal

Reprezalja e drejtorëve të Postës Shqiptare, brenda vitit me qindra punonjës të pushuar nga puna

Qindra punonjës të Postës Shqiptare vazhdojnë të flaken në rrugë pa asnjë lloj ngurrimi dhe pa patur të drejtën e një shpjegimi, që nga ardhja në pushtet e aleancës PS-LSI. Drejtorët e qeverisjes së majtë të Postës Shqiptare e trajtojnë administratën publike si monopol të tyre. Këtë e konfirmojnë rastet e shumta të punonjësve të pushuar nga puna, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, për pushim të padrejtë nga puna. Por, largimi në mënyrë të padrejtë i punonjësve të administratës publike, veç faktit që ul të ardhurat dhe rrezikon mirëqenien e familjeve të personave që e humbasin punën, krijon dhe një “gropë” të zezë në buxhetin e shtetit.

Kostoja e largimeve nga puna

Por, të gjitha largimet nga puna prej drejtuesve të Postës, përveçse një kostoje shpirtërore e sociale, kanë një kosto financiare për vetë të larguarit, por dhe për shtetin shqiptar, pasojat e të cilëve i vuajmë ne taksapaguesit shqiptarë. Duke pasur parasysh numrin e lartë të padive për marrëdhënie pune, me shumë gjasë edhe fatura e dëmshpërblimeve do të jetë tejet e lartë, edhe pse për momentin nuk mund të bëhet një përllogaritje, për shkak të faktit se pjesa më e madhe e padive janë në shqyrtim, apo një pjesë tjetër ende nuk janë paraqitur në dyert e gjykatave. Duke mos llogaritur pastaj edhe faturën e rrogave që marrin të punësuarit e rinj dhe shtetit shqiptar do i duhet në këtë mënyrë të paguajë dyfish për një vend pune. Ndërsa praktika ka treguar se shumica prej të larguarve nga puna, kanë përfituar në shumë raste të drejtën për t’u rikthyer në punë, e në raste të tjera të drejtën e dëmshpërblimit me pagën e një viti apo më shumë sipas rastit.

 Ish punonjësit e Postëts i drejtohen gjykatës

-Tevida Alliu ka ngritur padi për marrëdhënie pune ndaj Postës Shqiptare. Ish punonjësi i Postës kërkon “dëmshpërblim me pagën e 1 viti pune për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës. Dëmshpërblim me 3 muaj pagë për mosrespektim të afatit të njoftimit të zgjidhjes së kontratës së punës. Dëmshpërblim me 2 muaj pagë për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së -kontratës së punës. Shpërblimin për vjetërsi në punë në masën e 8 pagave mujore”.

– Sonila Xhaferllari, ish punonjësja e Postës, në padinë e saj, përpos të tjerave kërkon “Anulimin e urdhrit nr. 3090 prot, datë 02.09.2014 të Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare Tiranë si një akt nul dhe rikthimin ne vendin e mëparshëm të punës”. Ish drejtori i Postës Ardit Çela, mesa duket para se të linte detyrën, ka dashur të lejë shenjë në administratë, duke bërë largimet e fundit nga puna.

Doriz Mjalti në padinë e tij ndaj Postës kërkon “Detyrimin e palës së paditur që të dëmshpërbleje paditësin me 12 muaj pagë mujore për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, në zbatim të nenit 155/3 të Kodit të Punës. Detyrimin e palës së paditur që të dëmshpërblejë paditësin me 2 paga mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës në zbatim të nenit 144/5 të Kodit të Punës. Detyrimin e palës së paditur që të dëmshpërblejë paditësin me 1 muaj pagë mujore për mosrespektimin e afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës në zbatim të nenit 143 dhe 155/1 të Kodit të Punës”.

– Enver Zyberaj gjithashtu në padinë e tij ndaj Postës kërkon “Detyrimin e palës së paditur që të dëmshpërbleje paditësin me 12 muaj pagë mujore për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, në zbatim të nenit 155/3 të Kodit të Punës. Detyrimin e palës së paditur që të dëmshpërblejë paditësin me 2 paga mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës në zbatim të nenit 144/5 të Kodit të Punës. Detyrimin e palës së paditur që të dëmshpërblejë paditësin me 2 muaj pagë mujore për mosrespektimin e afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës në zbatim të nenit 143 dhe 155/1 të Kodit të Punës”.

-Azem Picari padit Drejtorinë e Përgjithshme të Postës me objekt “Detyrimin e palës së paditur të dëmshpërbleje paditësin me 12-paga mujore për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës, pa shkaqe të arsyeshme. Dëmshpërblim me 2-paga mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës. Dëmshpërblim me 3-paga mujore për mosrespektim të afateve të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës. Dëmshpërblim me 4-paga mujore për shpërblim për vjetërsi në punë”.

– Arjana Shkurti (Vlora) padit Filialin e Postës Vlorë duke kërkuar shpërblimin me 12 muaj pagë për zgjidhjen e menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës; shpërblim me 3 muaj pagë për mosrespektim të afatit të njoftimit të ndërprerjes se marrëdhënieve të punës; shperblimin me 2 muaj page për mosrespektim të procedurës dhe shpërblimin për vjetërsinë në punë. Mesa duket Posta Qendrore ka përhapur fenomenin edhe në filialet e saj.

– Kozeta Torishta, Line Rosaj, Kol Dukaj, etj., gjithashtu kanë paditur Postën Shqiptare me kërkesa të njëjta si dhe kolegët e tyre.