Drejtoria e policisë kallëzon PD në Prokurori për protestën, nuk plotësoi kërkesat ligjore

621
Edhe pse protesta e 13 majit në Tiranë kaloi pa asnjë incident, kjo duket se nuk e ka shpëtuar Partinë Demokratike nga padia e policisë për “organizim të tubimeve të paligjshme”. Drejtoria e policisë së Tiranës mësohet se ka referuar në prokurori pak orë pas protestës kallëzimin penal duke pretenduar për shkelje të ligjit për tubimet. Kallëzimi mësohet se nuk ka emra të përveçëm, por evidenton se protesta e PD para, gjatë dhe pas saj, është kryer në kushtet e nenit 262 të Kodit Penal.

Neni mbi bazën e të cilit është bërë kallëzimi, parashikon se: Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Sipas policisë, Partia Demokratike nuk ka plotësuar ende të gjitha kërkesat ligjore të mësipërme që do të mund të bënte protestën e organizuar prej saj plotësisht ligjore në funksion të garantimit të mbarëvajtjes së saj nga Policia e Shtetit.
Sigal