Drejtoria e Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në KLSH zhvillon analizën vjetore të punës për vitin 2017

591
Në datën 24 janar 2018, Drejtoria e Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë (DKBMJ) zhvilloi analizën vjetore të punës për vitin 2017. 
Drejtoria e Komunikimit ka reflektuar në punën e saj një qasje të re të KLSH-së, e cila është në përputhje të plotë dhe bazohet në standardet profesionale të auditimit publik suprem, ISSAI-t, sipas së cilës ne, si KLSH, do të njihemi për punën tonë vetëm nëse arrijmë të komunikojmë tek qytetarët në mënyrë të qartë atë se çfarë ne bëjmë dhe po ashtu vlerën e shtuar të gjeneruar nga auditimet tona për Shtetin dhe shoqërinë, në mënyrë që të perceptohemi si institucione strategjike të domosdoshme për interesat e qytetarëve. 
Një dokument shumë i rëndësishëm i vitit 2017 për Drejtorinë e Komunikimit dhe për të gjithë KLSH-në është “Strategjia e komunikimit të KLSH-së 2017-2019”, miratuar nga Kryetari i KLSH-së, në korrik te vitit 2017. Në këtë strategji janë përcaktuar qartë Objektivat strategjikë të KLSH në bazë të nevojave, kërkesave dhe sfidave të institucionit në komunikimin me publikun dhe palët e tjera të interesit, por edhe në bazë të burimeve aktuale njerëzore dhe financiare. KLSH në vijim të traditës së mirë të krijuar në këto vite, zhvilloi Konferencën e V-të Shkencore vjetore në datat 11 -13 tetor 2017, në Tiranë, e cila u realizua si një bashkëpunim mes Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Gjykatës Turke të Llogarive dhe Fondacionit të Kontabilitetit për Bashkëpunim Akademik të Turqisë. Konferenca e këtij viti kishte si temë kryesore “Të Auditosh për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim” dhe në të morën pjesë rreth 160 të ftuar. Në këtë konferencë kishte përfaqësues nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, KLSH, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Unioni i Dhomave të Audituesve dhe Kontabilistëve të Licencuar të Turqisë, Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve, Universiteti i Lodz-it, Këshilli i Kontabilistëve të Shqipërisë, studentë, auditues, etj. Një tjetër dimension i rëndësishëm i institucionit është komunikimi me Parlamentin. Qysh prej vitit 2012, KLSH i ka kushtuar një vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Parlamentin duke e konturuar këtë raport në shinat e forcimit të llogaridhënies, transparencës dhe mirëqeverisjes. Në rrafshin e komunikimit institucional dhe të detyrimeve të ndërsjella kushtetuese midis dy institucioneve, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit disa raporte me ndjeshmëri të lartë publike dhe vetëm gjatë vitit 2017 janë dërguar 24 të tilla. Gjatë vitit 2017, shtypi i shkruar ka pasqyruar raportet dhe deklaratat e KLSH-së për shtyp me një numër prej 840 artikuj, njoftime, editorialë dhe komente analitike. Në fund të vitit 2017 ne kemi qenë të pranishëm me rreth 100 kronika më shumë se vitin e kaluar. Gazetarët e mediave te shkruara dhe vizive u janë përgjigjur prononcimeve tona, problematikave të dala nga auditimet e ushtruara nga ana jonë dhe aktiviteteve të ndryshme gjatë këtij viti. Në këtë drejtim ka ndikuar dukshëm edhe prezenca e audituesve të KLSH-së në median e shkruar, shkrimet e të cilëve i janë paraqitur të përmbledhura publikut në 9 volume (periudha 2013-2017), të cilët janë botime të kolanës së KLSH-së. Gjatë vitit 2017, kemi qenë prezentë pothuajse në të gjitha gazetat me 125 shkrime, të shkruara nga auditues të KLSH-së. Gjatë pesë viteve, 2013-2016 audituesit e KLSH kanë botuar 521 artikuj. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë vitit 2017 ka vijuar të trajtojë me korrektesë dhe profesionalizëm letrat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët në çdo rast kanë marrë përgjigje, edhe kur çështja e ngritur prej tyre ka qenë jashtë kompetencave të institucionit. Megjithatë, edhe në këto raste KLSH i ka orientuar qytetarët, nëpërmjet përgjigjeve zyrtare se cilit institucion duhet ti drejtohen për të marrë përgjigje për shqetësimet e tyre. Gjatë 2017, KLSH ka trajtuar 623 letra dhe ankesa, nga të cilat 246 jashtë kompetencës dhe juridiksionit të institucionit. Nga 377 ankesa në kompetencë të KLSH, 204 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënën përgjigje, ndërsa 173 janë në proces verifikimi. E drejta e informimit, si një e drejtë kushtetuese dhe tanimë e parashikuar qartazi në një legjislacion të veçantë është e drejtë elementare e çdo individ në një shoqëri demokratike. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pasur një numër në rritje kërkesash për informacion nga viti në vit. Vetëm gjatë vitit 2017 janë trajtuar dhe u është përcjellë informacioni i kërkuar, rreth 41 kërkesave dhe ankesave që kanë ardhur në adresë të koordinatorit të KLSH-së. Me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, si edhe në kuadër të transparencës dhe njohjes së ndërsjellë të punës mes Departamenteve të auditimit në institucion, KLSH në zbatim të Strategjisë së Komunikimit 2017-2019 dhe të eksperiencës së javës së hapur, të organizuar në nëntor të vitit 2016, organizoi Muajin e Hapur për Qytetarët, në datat 7 Nëntor-11 Dhjetor 2017. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët patën mundësinë të vizitojnë mjediset e KLSH dhe të njihen me historikun dhe arritjet e institucionit ne 92 vitet e ekzistencës së tij nëpërmjet mini-muzeut në korridorin qendror të KLSH, të takohen me punonjës, auditues dhe ekspertë të ndryshëm të institucionit, duke marrë të gjithë informacionin që kanë kërkuar dhe duke adresuar pyetje të ndryshme me interes për ta. Stafi i përgatitur i KLSH-së ishte në dispozicion të qytetarëve gjatë gjithë kësaj periudhe. Gjatë muajit të hapur janë zhvilluar 49 aktivitete të ndryshme si takime mes Departamenteve të ndryshme të auditimit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave; takime me gazetarë; prezantime të botimeve të KLSH-së nga Auditues të rinj; pjesëmarrje në Panairin e librit 2017; prezantimi i Rregullores së Re të KLSH; prezantimi i kolanës së botimeve të KLSH-së në dy panaire; takime dhe leksione me akademikë, profesorë, filozofë të fushave të ndryshme; prezantim i Draft-Strategjisë së zhvillimit të KLSH-së për periudhën 2018-2022; leksione nga kolegë të SAI-ve partnere, prezantimi i buxhetit faktik për vitin 2016; promovime librash që kanë interes për KLSH; aktivitete kulturore, promovimi i pjesëmarrjes së KLSH-së në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, në dy vitet e fundit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave; pjesëmarrje në Kongresin dhe ekspozitën rajonale “Zgjidhja e mbetjeve të ngurta, të lëngëta dhe të gazta”, etj. Në gjashtë vitet e fundit, KLSH ka lidhur 50 marrëveshje bashkëpunimi, nga të cilat 27 me OJF, 17 me institucione homologe dhe të tjerat me institucione shtetërore dhe Universitete Publike. Përgjatë vitit 2017, Kryetari i KLSH ka nënshkruar 8 marrëveshje bashkëpunimi. KLSH vjen në gjashtë vitet e fundit 2012-2017 me një kolanë botimesh prej 83 titujsh. Botimet e KLSH-së janë zbatim i detyrimeve ndërkombëtare të angazhimit të institucioneve të auditimit edhe në fushën e botimeve të dokumentacionit për t’i mundësuar qytetarëve një akses më të gjerë. Gjatë vitit 2017, DKBMJ ka vijuar me sukses punën në këtë drejtim, duke i shtuar 67 botimeve të viteve 2012-2016, 16 botimet e 2017. KLSH do të vijojë të pasurojë kolanën e botimeve të tij edhe për vitin 2018, gjatë të cilit janë parashikuar të botohen 17 tituj, duke arritur në 100 tituj në fund të vitit 2018.
Buletinët statistikore periodikë tre mujorë të auditimeve për vitin 2017, përmbledhin rezultatet e të gjitha auditimeve të kryera nga KLSH në periudhën janar-dhjetor 2017. Në këtë buletin përfshihen, realizimi i planit të auditimeve, dëmi ekonomik i konstatuar, të ardhurat e munguara dhe shpenzimet e kryera jo në përputhje me parimet e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit (3E), masat disiplinore dhe administrative të rekomanduara, si edhe kallëzimet penale të përcjella në Prokurori. Kontrolli i Lartë i Shtetit në dy vitet e fundit, me qëllim rritjen e transparencës ndaj publikut ka vendosur në WEB e KLSH-së pothuajse të gjitha Vendimet e Auditimit, 155 auditime nga 158 të realizuara në vitin 2017 (98%) dhe 152 auditime nga 154 të realizuara për vitin 2016 (98.7%).Gjithashtu në faqen zyrtare të KLSH gjenden të gjitha raportet që janë hartuar dhe përgatitur nga KLSH gjatë vitit 2017 si Raporti i Aktivitetit, Raporti i Buxhetit, Raportet e monitorimit, strategjitë, informacione për të gjitha aktivitetet e zhvilluar nga KLSH si brenda edhe jashtë vendit, botimet e KLSH-së, etj. KLSH po aplikon aktualisht me USAID-in projektin “Transparenca në Sistemin Shëndetësor në Shqipëri” (projekt dy-vjeçar), i cili ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët shqiptarë me fokus luftën ndaj korrupsionit, përmirësimin e transparencës, etj. Bashkëpunimi me SAI-et partnere dhe institucione të tjera ndërkombëtare, si edhe implementimi i projektit të Binjakëzimit, IPA 2013. Një ndër ngjarjet më të rëndësishme gjatë vitit 2017 është dekorimi i Kryetarit të KLSH, z. Leskaj nga Presidenti i Republikës së Polonisë me Urdhrin “Kryqi kalorësiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”. Ceremonia e dekorimit u zhvillua në datën 19 prill 2017 në Varshavë, në ambientet e Institucionit Suprem të Auditimit të Republikës së Polonisë (NIK). Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit polak si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Poloni. Dekorata akorduar nga Presidenti i Republikës, z.Andrzej Duda iu dorëzua z.Leskaj nga Sekretari i Shtetit, pranë Presidentit z. Andrzej Dera. Autoritetet polake e vlerësojnë Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit padyshim si një mik të Polonisë dhe promovues i kulturës polake. Kryetari i KLSH, Z. Bujar Leskaj është dekoruar gjithashtu gjatë vitit 2017 edhe nga Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Nishani me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” me dekretin nr. 10445, dt.12.06.2017, për kontributin e pamohueshëm në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës si dhe ka mundësuar me drejtimin e tij të pagabuar rritjen cilësore të KLSH-së për të qenë një nga institucionet model të shtetit shqiptar. Në zbatim të orientimeve dhe realizimit të objektivave të dhëna nga Kryetari i KLSH-së, janë ndjekur të gjitha procedurat për organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të përcaktuara jashtë vendit dhe konstatojmë me kënaqësi që gjatë vitit 2017 kanë marrë pjesë në aktivitetet jashtë vendit 146 auditues ose 675 ditë/njerëz në total, thënë ndryshe pothuajse të gjithë punonjësit e KLSH-së kanë qenë të paktën një herë jashtë vendit. Viti 2017 ka ruajtur trendin e suksesshëm të pjesëmarrjes së audituesve në aktivitete të ndryshme trajnuese të ofruara nga SAI-t homologe dhe institucione të tjera ndërkombëtare. 

Përgjatë vitit 2017 janë zhvilluar 57 aktivitete jashtë vendit si Kongrese, Konferenca, Takime, seminare, trajnime, (këto të fundit edhe në kuadrin e zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me SAI-et homologe) dhe DKBMJ ka qenë e përfshirë edhe në organizimin e 2 aktiviteteve të realizuara në Tiranë, në bashkëpunim me Institucionet Homologe dhe institucione të tjera të huaja. Ndër këto aktivitete, veçojmë vizitat e Kryetarit të KLSH në aktivitete të rëndësishme të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t dhe faktin që shumë personalitete dhe drejtues të SAI-ve kanë vizituar KLSH-në gjatë vitit 2017. Në të gjitha takimet e zhvilluara me homologët e tij, Kryetari i KLSH ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunimin me institucionet supreme të auditimit, me synim ngritjen dhe përsosjen e kapaciteteve audituese. Projekti i binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të auditimit te jashtëm”, i cili nisi të implementohej në KLSH në mars të vitit 2016 ka vijuar të zbatohet në mënyrë të suksesshme edhe gjate vitit 2017. Gjatë këtij viti janë kryer 37 misione. Pas zhvillimit të suksesshëm të misioneve, në të cilat ekspertët polakë, kroatë dhe holandezë kanë bashkëpunuar ngushtë me drejtues dhe auditues të KLSH-së, janë përfunduar 15 produkte të rëndësishme dhe janë dhënë 80 rekomandime. Lidhur me rekomandimet e dhëna nga ekspertët polakë, kroatë dhe holandezë me Vendim të Kryetarit është miratuar template i implementimit të rekomandimeve të projektit IPA.Në kuadër të projektit janë zhvilluar 6 misione trajnuese me një total prej 21 ditësh trajnim. Në misionet e zhvilluara në periudhën janar-dhjetor 2017, kanë marrë pjesë 98 drejtues dhe auditues të KLSH-së me përkatësisht 893 ditë/njerëz ose mesatarisht me një përfshirje individuale prej 9 ditësh. Projekti i binjakëzimit është monitoruar nga strukturat e Komisionit Evropian dhe u vlerësua pozitivisht në tërësinë e tij, veçanërisht, u vlerësua largpamësia në planifikimin e planit të projektit dhe relevancën e produkteve që do të prodhojë projekti, me synim ngritjen e kapaciteteve institucionale të KLSH dhe forcimin e auditimit të jashtëm publik në Shqipëri. 
Sigal