Drejtori, Klaidi Çitozi/ Po të kishim skemë të dedikuar, barra do të mbahej nga kompanitë. Sigma mund të paguajë deri 850 milion euro dëme

560
Sigal

 Intervist me Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i Sigma Interalbanian VIG

 

Sigma Interalbania VIG, siguria e jetws, pronës dhe pasurisw sw qytetarve

 

 

 

Sigurimi i detyrueshëm i banesës do të bënte që barra që lanë pas tërmetet e muajve të fundit të mbahej nga kompanitë e sigurimit, kurse qeverisë do i takonte të përballonte vetëm pjesën e emergjencës. Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i SIGMA Interalbanian – Vienna Insurance Group nënvizon se kompanitë i kanë të gjitha kapacitetet për të përballuar raste të kësaj natyre pasi funksionojnë në bazë të risigurimit. Ai sjell në vëmendje faktin e banesave të siguruara për efekt kredie ku pas ngjarjes së 21 shtatorit janë trajtuar 140 raste me një vlerë 1 milionë euro ndërkohë që ngjarjet e 26 nëntorit parashikohet të kapin një vlerë dëmshpërblimi prej 4 milionë euro. Shqipëria zvarrit prej vitesh një projekt për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës ndaj fatkeqësive natyrore por ky ka mbetur vetëm në letër.

Cila do të ishte situata sot në terren nëse sigurimi do të ishte i detyrueshëm (barra që do mbanin kompanitë dhe qeveria)?

Sigurisht që nëse sigurimi i banesave do të ishte i detyrueshëm, kjo situatë do të ishte shumë e lehtësuar për qeverinë, qoftë nga ana procedurale ashtu edhe financiare. Kjo faturë do t’i transferohej kompanive të sigurimit dhe në këtë mënyrë nuk do të kishte asnjë arsye pse të prekej fondi i mbledhur nga taksat e qytetarëve apo të thellohej dhe borxhi publik. Asnjë qeveri nuk mund t’i përballojë e vetme këto situata. Qeveria nuk e ka detyrim që të mbrojë qytetarët edhe nga rreziqet natyrore. Shteti është përgjegjës që në rastin e ndodhjes së ngjarjeve të tilla të japë ndihmën e parë për të kaluar situatën emergjente. Për sa kohë ka lejuar në treg që të krijohen mekanizma të tillë për menaxhimin e riskut në jetën e secilit, atëherë dhe qytetarët duhen orientuar drejt këtyre opsioneve. Secili është vetë përgjegjës për pasurinë dhe asetet e tij. Qytetarët dhe bizneset duhet t’u drejtohen kompanive të sigurimit që të sigurojnë një vazhdimësi normale të jetës dhe biznesit të tyre në rast se ndodhin ngjarje të tilla. Në draft ligjin e propozuar për sigurimin e detyrueshëm të banesave, përcaktohet se vlera e marrjes në sigurim për apartamentet në qytet do të ishte rreth 40.000 Euro dhe në fshat 20.000 Euro. Ndërkohe primi i sigurimit për çdo vit do të ishte përkatësisht 40 euro për banesat në qytet dhe 20 euro për banesat në fshat. Në rast të ndodhjes së tërmetit dhe shkatërrimit total të banesave, kompania e sigurimit do të dëmshpërblente totalisht të prekurit nga kjo dukuri. Siç shikohet nga shembulli i mësipërm barra e dëmeve i transferohet pothuajse tërësisht kompanive të sigurimit ndërsa roli i qeverisë reduktohet pothuajse tërësisht vetëm në përballimin e situatës emergjente të momentit.

Një pjesë e banesave të dëmtuara nga tërmetet e fundit janë të siguruara për efekt kredie por në shumë raste ka një sigurim me prim minimal aq sa i takon pjesës së kolateralit, ndërsa pjesa tjetër është lënë me vetëdije e pambuluar. Çfarë mekanizmi nuk ka funksionuar që kemi këtë panoramë dhe sa është mesatarisht vlera e nënsiguruar që konstatoni?

Sigurimi i kolateralit është një garanci për bankën, për huanë që individi apo biznesi ka përfituar. Në këtë aspekt, banka kujdeset më së shumti që të rimbursojë shumën e lëvruar dhe ta ketë të garantuar në rast të ndodhjes së rrezikut. Kuptohet, që në rast të shkatërrimit të shtëpisë, pavarësisht nga mbulimi me sigurim që në rastin konkret është i pjesshëm, edhe financat e klientit cenohen, dhe ka shumë gjasa që dhe aftësia paguese e tyre të ulet. Sigurisht që sigurimi në vlera të vogla i banesave të financuara me kredi priret për të ulur sa më shumë kostot e një kredie. Në këto raste, kontakti i kompanisë së sigurimit me klientin mungon, ndaj bankat duhet të informojnë klientin më në detaje mbi sigurimin që ata po blejnë për banesën e tyre, mbi vlerën dhe mbulimet që ata përfitojnë. Si konkluzion është e nevojshme që çdo njeri duhet të mendojë individualisht për sigurimin e plotë të pronës, qoftë në vlerë ashtu dhe në mbulime.

A keni një fature se sa janë dëmet që keni si kompani nga tërmetet e fundit?

Gjatë tërmetit të 21 Shtatorit, dëmet e raportuara, dhe të paguara kanë kapur shifrën 1 milion Euro dhe kanë qenë në total 140 raste. Për tërmetin e datës 26 nëntor parashikohet që të jenë rreth 4 milion Euro dhe mbi 300 raste të trajtuara deri në këtë moment. Gjithsesi njoftimet për dëme vazhdojnë të vijnë çdo ditë pasi dhe një pjesë e banesave të siguruara veçanërisht në bregdet, janë shtëpi pushimi dhe verifikimet bëhen pak më vonë.

Sa e llogarisni ju primin mesatar të tregut në rast se të gjithë ndërtesat do të sigurohen dhe a mendoni se ka vend për të rishikuar primin e riskut pas tërmeteve të fundit?

Në rast se të gjitha ndërtesat do të siguroheshin, primi mesatar që do të aplikonin kompanitë e sigurimit nuk do të ishte më i lartë se tarifa aktuale. Është e vërtetë që Shqipëria klasifikohet si një zonë me risk të lartë sizmik, por efekti individual do të ishte i vogël si pasojë e numrave të mëdhenj që do të bëhen pjesë e skemës.

Cili është modeli më i përshtatshëm për një skemë sigurimi për pronën e paluajtshme ? Turqia pas tërmetit të vitit 1999 vendosi një mekanizëm që njihet si “Turkish Catastrophic Insurance Pool” dhe që sot menaxhon 30 milionë pasuri të siguruara.Për Shqipërinë çfarë modeli mendoni se është i përshtatshëm: një mekanizëm i përbashkët ku janë pjesëmarrëse të gjithë kompanitë me ndarje sipas pjesës tregut që ka secila apo menaxhim i lirë?

Në rast të një skeme të detyrueshme ajo çka është më e rëndësishme është aftësia paguese e kompanive. Mekanizmi më i përshtatshëm është ai i menaxhimit të lirë të kompanive por me një mbikëqyrje të fortë mbi mbajtjen agregate neto. Pra duhet të jemi të sigurt që do të kemi një zbatim rigoroz të ligjit dhe rregulloreve përkatëse. Gjithashtu transferimi i riskut nëpërmjet risigurimit në kompani serioze është një detyrim absolut për shifrat që flasim. Në punën tonë të përditshme, kemi ndjerë që individët ndihen shumë të pasigurt të na besojnë pasuritë e tyre pasi kanë perceptimin se asnjë kompani në Shqipëri nuk ka aftësi paguese sa të mbulojë katastrofa natyrore të niveleve të tilla. Të gjithë klientët tanë, duhet të jenë të sigurt për të gjitha rreziqet që ne kemi marrë përsipër. Kompanitë e sigurimit i transferojnë rreziqet e mëdha në kompani risigurimi, dhe kjo është një praktikë e njohur botërore.

A do sigurohet çdo pronë sepse jemi përpara faktit kur është ndërtuar pa kriter, pa standarde pa leje? Si do filtrohet ky aspekt?

Ne jemi kompani sigurimi, që do të thotë marrim në sigurim riskun dhe jo ngjarjen e sigurt. Në këtë kuptim edhe primet e sigurimet do të bazohen në risqet e mundshme dhe mund të jenë të diferencuara. Ashtu dhe për objekte të ndërtuara pa kriter dhe në kundërshtim me standardet të cilat paraqesin rrezik të shtuar, kompanitë mund të mos i marrin në sigurim.

Kjo është përgjegjësi e shtetit dhe jo e kompanive të sigurimit. Në Shqipëri nuk është problem vetëm tërmeti, por dhe përmbytja, stuhitë, dhe rreziqe të tjera natyrore apo edhe vjedhja e banesës. Nëse një individ ka zgjedhur të ndërtojë banesën e tij në një zonë ku është e sigurt që do të përmbytet rregullisht, në këtë rast duhet të ndërhyjë shteti. Banesat e ndërtuara pa kriter nuk përbëjnë rrezik vetëm për dëmtimin e ndërtesës. Ato përbëjnë rrezik dhe për jetën e banorëve të kësaj banese dhe janë kërcënim publik edhe për sigurinë e ndërtesave që mund të jenë pranë saj.

Pak javë më parë qeveria prezantoi një nismë për sigurimin 10 vjeçar të ndërtesave të reja nga ndërtuesit me 0.1 për qind të vlerës së ndërtesës por që garanton rastet e defekteve të ndërtimit ose të tokës dhe jo fatkeqësitë. Si e vlerësoni këtë hap dhe çfarë zgjidh kjo iniciativë në këndvështrimin tuaj?

Ky është një hap pozitiv jo vetëm në zhvillimin e tregut të sigurimeve, por edhe në garancinë dhe sigurinë e qytetarëve. Gjatë tërmeteve të fundit, ajo që konstatuam ishte se ndërtesat që kishin zbatuar standarde dhe ato që nuk janë cenuar apo modifikuar në strukturë, i kanë rezistuar mirë këtyre goditjeve. Le të themi që kjo iniciativë rregullon një marrëdhënie përgjegjësie të ndërtuesit dhe është një garanci shtesë për sa i përket rasteve që mund të rezultojnë me defekte teknike në ndërtim. Në këtë rast qytetarët dhe qeveria nuk do të prekeshin financiarisht nga dukuri të tilla që shkaktohen nga terreni apo defektet në ndërtim. Gjithsesi, siç e përmenda më lart, rreziku natyror në Shqipëri nuk është vetëm tërmeti. Kompanitë e sigurimit ofrojnë dhe paketa më të plota se këto, me çmime të përballueshme nga të gjithë, që ofrojnë mbulim në rast dëmtimi të pronës nga një numër i madh rreziqesh .