Drejtori Irfan Dashi, pazare klienteliste e abuzive me makinat që shiten për skrap

118
Drejtoria Qendrore e Rezervave të Shtetit, prej 2 vitesh, nga qendër e përpunimit të materialeve të sekuestruara e ndihma që vijnë deri nga vendet arabe, duket se është kthyer në “magazinë” të prodhim-përpunimit të abuzimeve me ligjin. Gazeta “Telegraf” ka denoncuar faktet e abuzimeve që inskenohen me “kujdes e fines” prej Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave të Shtetit, ish-“SUDE”-s Irfan Dashi, që paprekshmërinë e tij prej ligjit e reklamon gjithë kapadaillëk me vetë-deklarime shpërfillëse sikur është “i përkëdheluri” i kryeministrit dhe “kopsitësi e sekseri” i bindur e gojë-kyçur i “disa punëve” të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilat sipas tij, nisin e mbyllen vetëm me urdhrat e lëshuara “me gojë e me bojë” prej Irfan Dashit, duke u realizuar vetëm në depot dhe zyrat e rezervave ku ka “vartës të besuar” që hedhin firma e vula, të cilat legalizohen edhe nga firma dhe vula e drejtor Irfanit e “sillove” të tij të bindur në zyrat qendrore. Sot, po publikojmë një nga skandalet, ose më saktë aferat e “majme” që ka gatuar drejtor Irfan Dashi me vlerësimin fizik të automjeteve e makinerive të sekuestruara prej firmës “BEHASE”, të cilat ndodhen të bllokuara prej shtetit, vënë nën administrimin (inventarin) e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, me të drejtë shitje me ankand, me emërtesën “skrap”. Këto makineri dolën në shitje dhe blerës i tyre në ankandin e datës 20. 04. 2015 u shpall firma private “Shijaku shpk”, me adresë në fshatin Arrameras të Fushë-Krujës. Përveç faktit, që firma nuk ka mundur të realizoj dot tërheqjen fizike të makinerive të blera, mbasi në Kantierin “Pajovë” ku janë bllokuar automjetet dhe makineritë nuk u lejuan forcërisht prej ish-punëtorëve të firmës “BEHASE”, me pretendimin se “nuk ishin paguar prej firmës”, firma “Shijaku shpk” u gjend edhe përballë skandalit të parapërgatitur qëllimisht prej drejtorit Irfan Dashi, në lidhje me specifikimet teknike e materiale të uljes së peshës së “firos” plastike nga pesha “skrap metal”. Këtë skandal e sqaron “Kërkesa për rishikim ndryshimesh të peshës plastikë” në makineritë e blera, sipas ankandit të datës 20. 04. 2015 dhe Kontratës Nr. 16, datë 03. 06. 2015, lidhur mes Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit dhe firmës “Shijaku shpk”, si fituese e blerjes së 40 makinerive me peshë totale 540 mijë e 899 kilogramë. Pikërisht me peshën “plastikë” të këtyre makinerive është bërë loja e pisët prej drejtor “Fanes” dhe “ustallarëve” të tij juristë, ekonomistë e inxhinierë, të cilët vegjetojnë brenda atyre “zyrave misterioze”, ku i pari i “oxhakut” që “vetë vulos e vetë firmos” është Irfan Dashi. Çfarë abuzimesh janë bërë me këtë ankand? Së pari, prej drejtorit të rezervave është shkelur Ligji Nr. 9920, datë 19.05. 2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 50, paragrafi 1, që thotë: “Tatim-paguesi që i nënshtrohet tatimit mbi vlerën e shtuar, sa herë që ofron mallra apo shërbime për një një person tjetër, duhet të lëshojë faturë tatimore me TVSH, në përputhje me ligjin 7928, datë 27. 04. 1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Në rastin konkret, këto fatura nuk janë dhënë nga drejtoria e rezervave në momentin e peshimit dhe tërheqjes së mallit të blerë! E po kështu, nuk janë bërë matjet as për përcaktim të saktë teknik të firos së materialit plastikë në makineritë skrap. Dhe sikur kjo të jetë dëshirë dhe e drejtë private e drejtor “Fanes”, pas kërkesës së bërë prej firmës “Shijaku shpk” në datën 29. 06. 2015, drejtor Dashi, në datën 01. 07. 2015, me shkresë Nr. 672/1 Prot., i kthen firmës një përgjigje… pa sqarime! Çfarë kërkon prej Rezervave të Shtetit, firma që ka blerë makineritë skrap të firmës “BEHASE” në Pajovë të Elbasanit? Rishikimin e inventarit të makinerive, mbasi numri faktik i makinerive nuk përputhet me numrin e specifikimeve në shtojcën teknike. Ka diferenca të shumta në inventarin e të gjithë kamionëve, makinerive, agregateve, motorëve, diferencialeve, si dhe janë hequr, janë ndërruar ose mungojnë shumë pjesë të automjeteve e makinerive! Raporti i vlerësimit, mbi të cilët janë paraqitur specifikimet për çdo makineri e automjet, janë hartuar pa paraqitur gjendjen reale fizike të tyre në vendin ku gjendeshin, aq sa raporti i vlerësimit, nuk ka marrë parasysh firot për xhamat, plastikat, gomat e kamionëve e fadromave, kundër-peshat e betonit që ekskavatorët ose kamionët kanë si pjesë në trupin e tyre. nuk është përfshirë në vlerësimin e firove, as amortizimi fizik prej 15 vitesh i makinerive, si dhe zhvatjet e shumta që u janë bërë pjesëve të tyre! Në raportin që ka hartuar “ustallarët” e drejtor “Fanes”, me urdhër të “Fanes” dhe me firmë përfundimtare të tij, rezulton se firoja e plastikës tek këto makineri e automjete është përcaktuar në masën 15-27%, duke iu referuar jo katalogut e gjendjes reale fizike të makinerive të “BEHASE”, por… koeficientit të peshave të “Fuoristrada”-ve, të cilat kur shiten për skrap e kanë firon plastike deri në 22% zbritje dhe të automjeteve të llojit autoveturë, të cilat e kanë këtë koeficient zbritjeje në masën 27%. Firma “Shijaku shpk”e ka kundërshtuar këtë masë vlerësimi abuzive, korruptive e diskriminuese të firos së materialit plastik në automjetet dhe makineritë e rënda të firmës “BEHASE”, por drejtor Irfani e ka shpërfillur, duke mos dhënë asnjë shpjegim, paçka se e ka detyrë ligjore. Ndërkohë, që në raste ankandesh me shitje makineri e automjete të të njëjtës kategori, gjendje e lloj, por edhe në shitje llojesh makinerie e automjetesh lloje të tjera, drejtor “Fania” ka bërë zbritje (firo) të peshës plastike deri në 40-50% të peshës së automjeteve, apo makinerive të shitura! Në rastin konkret, jo vetëm që nuk po zbaton qëllimisht e me “porosi” katalogun e raportit tekniko-fizik të makinerive për firot e plastikës dhe koeficientit të amortizimit sipas viteve, por edhe po ul qëllimisht, përqindjet fizike të lëndëve plastike! Përse? Këtë “sekret” e di më mirë drejtor “Fania”! Ne dimë faktin, që firma “Shijaku shpk”, ndryshe nga përgjigja zyrtare e datës 01. 07. 2015, me shkresë Nr. 672/1 Prot., ka marrë këtë përgjigje “gojore konfidenciale” prej drejtor “Fanes”: – Unë nuk jam marrë fare me këtë tender. Unë e di që ke të drejtë, por ja që kështu më kanë urdhëruar ata lartë, besoj e kupton se cilët. Unë kam hedhur vetëm firmat dhe jam urdhëruar të mos bëjë asnjë ndryshim në vlerësimin e paraqitur në raportin e bërë prej “cunave” të mi. Të vetmin ndryshim që jam urdhëruar të bëjë, janë disa “saktësime” tekniko-juridike në proces-verbalin e ankandit dhe të marrjes në dorëzim të mallit të blerë, sa për dijeni edhe këtë nuk e bëj unë, por është urdhër nga “ata lartë”, e kupton vet ti se nga cilët”. I gjendur përballë lojës së drejtor “Fanes” trë luajtur me “zarin” e tij të njohur “Kam urdhër nga ata lartë”, në datën 29. 07. 2015, firma “Shijaku shpk” iu drejtua Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me kërkesë-ankesë, protokolluar nga ministria po në datën 29.07. 2015, me Nr. 5794 Prot.! Nuk i erdhi asnjë përgjigje. Pas disa ditësh, firma realizoi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë “Tahiri”, zotin Genc Gjonçaj, i cili pasi i tha, se “Fania është dora e ministrit dhe e kryeministrit e nuk i hyn gjemb në këmbë”, i kërkoi firmës “Shijaku shpk”, pakt “paqeje” me thirrjen: “Mbylle me kaq çështjen e skrapit, mos u lodh kot, mbasi ministri Tahiri nuk ka nge të merret me skrapin tënd e me broçkullat e Fanes, mbasi “po i zjen koka” nga halle të tjera…”. Nuk e dimë, nëse është e vërtetë që zullumet e bëra nga drejtor Fania mbrohen nga ministri Tahiri dhe nga kryeministri (siç thotë me kapardisje drejtor Fania), por dimë faktin që në këto dy vite (ç)drejtim e zullume në krye të Rezervave të Shtetit, drejtor “Fania” jo vetëm nuk po çohet përballë drejtësisë, por as nuk po po hiqet nga ky kolltuk të ndotur me akte korruptive.