Drejtori Irfan Dashi “bekon” shitjen për skrap, të 600 motoçikletave në gjendje pune

1233
Vjollca KUTA
Cila është firma e privilegjuar, çfarë lidhje ka kjo firmë me ish-ministrin Tahiri dhe përse është shtyrë ankandi?
Krahasuar me skandalet, që po zbulohen përditë, ato në letrat e mallrave të Rezervave të Shtetit, janë “thërrime” faktet e korrupsionit që ka publikuar gazeta “Telegraf”, lidhur me abuzimet që janë bërë me heshtje, me vulë, firmë e miratim shkresor nëpërmjet ankandeve, prej drejtorit të Rezervave të Shtetit, të “damkosurit” disa herë për korrupsion e si shef i ish-firmave piramidale në Tiranë. Një skandal tjetër me ankandet e mallrave të shtetit, të nxjerrë në shitje për “pesë lekë” dhe me standard tjetër klasifikimi fizik, provon korrupsionin dhe klientelizmin që bëhet me shitjen e këtyre mallrave me çmime qesharake, deri 1000 herë më lirë se çmimi faktik, në momentin e shitjes, duke bërë vlerësime fiktive. Skandali që po publikojmë, sot, provon akuzat që ka bërë “Telegraf”, për përdorjen e drejtorit Irfan Dashi në këto ankande klienteliste, prej ish-ministrit Saimir Tahiri, duke sajuar dhe akorduar tenderë e ankande për miqtë dhe ortakët e ish-ministrit Tahiri. Bëhet fjalë për shitje mjetesh motorike si “skrap” të 600 motoçikletave (motorëve) të sekuestruara nga shteti e të futura në depot e rezervave, paçka se thuhet se informacionet që disponojmë, thonë se të 600 motorët, në momentin e vlerësimit fizik e teknik për nxjerrje në ankand, kanë qenë në gjendje të mirë. 

-Përse janë shitur për skrap? 
-Përse nuk janë publikuar në ankand marka (tipi), pesha dhe viti prodhimit të tyre, siç e detyron ligji mbi ankandet e vlerave materiale që shiten? 
-Kush e ka fituar ankandin edhe pas ankimimit dhe çfarë roli ka luajtur drejtori Dashi, në “vlerësimet” për procedurat e ankandit, që fitues të mbetje firma e mikut të ish-ministrit Saimir Tahiri? 
-Si ka bashkëpunuar me Komisionin e Prokurimit Publik dhe përse është futur në lojë drejtori Dashi me një shkresë vlerësimi për fituesin e preferuar nga shefi i tij ministër? 
-Kush e urdhëroi drejtorinë rajonale të rezervave Tiranë, që të bënte këtë vendim? 
Fillimisht po publikojmë njoftimin e ankandit, shpallur në “Buletini i Prokurimit Publik” Nr. 30, datë 1 gusht 2016:
DREJTORIA RAJONALE E REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT, TIRANË 
1. Autoriteti shitës: Drejtoria Rajonale e Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë, me adresë Rruga “Lundër-Gurrë”,Lundër, Tiranë. Tel/faks: 0035544.500192, fton konkurruesit kandidatët/ofertuesit të marrin pjesë në ankandin e hapur me Nr. Ref. 38A/2016. 
2. Data e zhvillimit te ankandit: 22.08.2016, ora 12:00. 
3. Lloji i Procedurës standarde te ankandit: Ankand publik i hapur. 4. Objekti i Shitjes: “Shitje 50.421 kg skrapi përftuar 600 motoçikleta jashtë funksioni dhe kategorizuar për skrap”. 
4. Objekti i shitjes përbëhet nga 600 mjete motoçikleta, jashtë funksioni dhe trajtuara për skrap, në 50.421 (pesëdhjetë mijë e katërqind e njëzet e një) kilogramë skrap. 
5. Vlera fillestare: 1.588.261 (një milion pesëqind e tetëdhjetë e tetë dyqind e gjashtëdhjetë e një) lekë me TVSH. 
6. Vendi i zhvillimit te ankandit: Drejtoria Rajonale e Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë, me adresë Rruga “Lundër-Gurrë”, Lundër, Tiranë 
7. Afati i fundit kohor për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje: 22. 08. 2016, ora 12:00
Loja me këtë ankand, ka si tregues një skandal tjetër: Thuhet se ankandi ka skualifikuar të tre firmat garuese, mes tyre edhe firmën “mike” të ish-ministrit Tahiri, me qëllim që në ankandin e përsëritur, sipas ligjit të ulet vlera mallit, që në rastin konkret janë 600 motoçikletave që ishin në gjendje teknike e pune, por që me “porosi nga lart”, u nxorën në si “skrap”. Kujtojmë, që firma kliente e porositur prej ish-ministrit si favorite për të fituar ankandin quhet “IKONA”, me një zotërues të vetëm të kapitalit, i cili rezulton se është pjesë e një grupi biznesi familjar, që ka fituar tenderë të tjerë në sektorin e Ministrisë së Brendshme në ankandet e makinave dhe të mallrave të tjerë të rezervave, për të cilat do të flasim në vijim… 
Sigal