Drejtori i Ujësjellësit të Maliqit që aksidentoi për vdekje babë e bijë,lirohet nga Gjykata e Korçës

485
Sigal

Familjarët: Kërkojmë drejtësi, gjykata dhe ekspertët favorizuan drejtorin

4 muaj më parë një aksident fatal i mori jetën një babai dhe vajzës së tij 5 vjeçare. Ngjarja ndodhi, në 8 nëntor të vitit të kaluar, në unazën e qytetit të Korçës. Fakte të reja janë zbuluar rreth kësaj ngjarjeje, teksa Gjykata e Apelit të Korçës njërin prej shoferëve, drejtorin e ujësjellësit të Maliqit, e liroi dhe vendosi që të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa shoferi tjetër në gjendje arresti në burg. Xhuljana Hoxha, nëna dhe bashkëshortja e viktimave që humbën jetën në aksidentin e 8 nëntorit, kërkoi drejtësi tek “Fiks fare”. Gazetarët e “Fiks fare” pyetën dëshmitarë okularë të aksidentit për të hedhur dritë mbi këtë histori. Xhuljana Hoxha, e cila humbi bashkëshortin dhe vajzën e saj 5 vjeçare është e irrituar me vendimin e gjykatës së Apelit Korçë nga i cili, njëri prej të pandehurve, Petrit Kupe është liruar me detyrim paraqitje. “Si mund të dalë një person dhe të jetë i lirë që ka vrarë dy njerëz? Zoti Kupe është drejtori i Ujësjellësit në Maliq dhe ka përfituar nga kjo gjë. Makina e zotit Kupe është lëvizur pas aksidentit duke ndryshuar provat e vendngjarjes”,- shprehet ajo. Të njëjtën gjë pohojnë edhe dëshmitarët që kanë mbërritur para policisë në vendngjarje, makina e zotit Kupe ka lëvizur disa metra nga vendngjarja. “Fiks fare” tregoi me zë e figurë se si kunata e njërit prej shoferëve të përfshire në aksident, Petrit Kupe dhe ai vetë, kërkojnë të ndihmojnë me avokatë (pa pagesë) familjarët e viktimave për të përfituar dëmshpërblimin nga kompanitë e sigurimit. Vetë drejtori i ujësjellësit të Maliqit pranon se kishte autorizuar kunatën e tij për t’u marrë me këtë çështje. Madje ai tregon keqardhje për ngjarjen, por shprehet se mund të kishte qenë edhe vetë viktimë në atë aksident. Gjatë bisedës ai deklaroi se akt-ekspertimi e nxori të pafajshëm, ndryshe nga raporti i vendngjarjes i hartuar nga punonjësit e policisë rrugore të Korçës. “Fiks Fare” iu drejtua për informacion prokurorit të çështjes, Julian Kristo. Sipas tij, ai kishte kërkuar që ekspertët të ishin nga Tirana në mënyrë që mos të kishte ndikim në çështje. “Nga ana jonë janë bërë të gjitha dhe Apeli e ka nxjerrë, por hetimi vazhdon. Nëse ju kini diçka, ndonjë dyshim a të dhënë mund të vini kur të doni në zyrën time, e keni të hapur.” tha Julian Kristo. Ndërkohë akti i ekspertimit nxjerr fajtor vetëm një drejtues të mjetit, Lorenc Pallashin, edhe pse në fillim të aktit të ekspertimit thuhet se në aksident janë përfshirë dy makina.